Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e nisjes së punimeve për aeroportin e Vlorës e cilësoi atë një vepër historike jo vetëm për Vlorën, por për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë shqiptarët.
Në përgjigje të skeptikëve, kryeministri tha se aeroportet janë motorë të zhvillimit ekonomik dhe progresit social për vendin.
“Aeroportet janë fabrika buke se rrisin të ardhurat, sjellin konsumatorë dhe sa më shumë njerëz vijnë në një vend përmes aeroporteve, aq më shumë vendi ka mundësi të rrisë shërbimet, prodhimet, se krijohet një zinxhir i tërë ekonomik që i mbetet vendit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shpjegoi se aeroporti i Vlorës do të jetë në aleancë me aeroportin e Mynihut, çka sipas tij do ta bëjë më të lehtë për të që të bëhet pjesë e sistemit.
“Aeroporti i Mynihut si je forcë operacionale garanton atë për të cilën aeroportet kanë nevojë sinergjinë me aeroporte të tjera. Nuk mjafton një infrastrukturë e bukur apo pistë që këtu do jetë 3,2 km dhe do të jetë edhe për fluturime të drejtpërdrejta transoqeanike, por duhen aleanca edhe me aeroporte të tjera për të krijuar një sistem”, tha Rama.