Gripi i shpendëve ka dështuar proçesin e riprodhimit të pelikanit kaçurrel, në Parkun Kombëtar Divjakë Karavasta.
Drejtori i këtij parku, Ardian Koçi, thotë se si pasojë kolonia e shpendëve riprodhues në vendondodhjen e tyre “ishulli i Pelikanit” është ç’akorduar.
“Deri tani numri i ngordhjeve në koloninë tonë është rreth tre, por si proces riprodhimi do ta quaja të dështuar. Kjo sepse e gjithë kolonia u ç’akordua, në qoftë se ajo në fillim filloi me një numër të madh folesh ishin rreth 50 deri në 55 fole këtë vit në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit. Nga prekja e gripit të shpendëve filloi një abandonim në masë i foleve dhe largimi i shpendëve të rritur”, tha Koçi.
Ndër vite, në ishullin e pelikanit numëroheshin 80 deri në 85 fole. Edhe në censusin e vitit 2020, kolonia e kaçurrelsave përbëhej nga 85 fole me vezë dhe zogj. Për vitin 2022, specialistët parashikonin rreth 40 fole nga 100 krerë pelikanë riprodhuese, por pamjet e tanishme tregojnë të kundërtën.
“Ne sot nuk shikojmë shpendë të rritur që të jenë të interesuar për proçesin e riprodhimit, nuk vijnë më në ishull për të riprodhuar, janë diku tjetër. Ne vazhdojmë çdo ditë të monitorojmë dhe shikojmë se në përfundim të këtij proçesi kemi 6 deri në 7 zogj të rinj, kur më përpara kemi patur mbi 60 zogj të rinj çdo vit, sidomos vitet e fundit”, tha Koçi.
Por cila është shpresa?
“Shpresojmë të ruhet bërthama e kolonisë, shpendët riprodhues për të rifilluar vitin tjetër, ku këtu ka qenë e përqendruar dhe puna jonë kryesore për shpëtimin e kolonisë. Këtë vit kemi dështuar të kemi zogj të rinj”, tha Koçi.
Në vendin tonë kolonia e Pelikanit Kaçurrel ndodhet në të quajturin “Ishulli I Pelikanit”,në lagunën e Karavastasë Divjakë. Shpendi i rrallë ka një gjatësi që shkon deri në 1,9 metra nga sqepi deri tek bishti, i cili peshon rreth 20 kg.
LEXONI GJITHASHTU