Ish-drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi deklaroi se Shqipëria i ka mundësitë financiare për të blerë helikopterë për shuarjen e zjarreve, duke dalë kundër arsyetimit të Ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Prençi u shpreh se vendi ynë duhet të ketë të paktën 4 helikopterë, të cilat nuk kushtojnë më shumë se 12 milionë euro.
“Duke ndjekur prononcimit të Ministrit të Mbrojtjes, personit politik përgjegjës për menaxhimin e krizave, do thoja se Shqipërisë i duhet vizioni i lidershipit. Shqipëria domosdoshmërisht ka nevojë për një flotë, sado të vogël, 3 ose 4 helikopterë që duhet të jenë në gatishmëri.
Unë nuk bie dakord me Ministrin e Mbrojtjes dhe me të gjithë ata që e këshillojnë atë, që Shqipëria nuk ka kapacitete dhe mundësi financiare, pasi 4 helikopterë nuk bëjnë më shumë se 12 milionë euro, në një kohë kur ne 12 ose 20 milionë euro i konsumojmë për të bërë 1 kilometër rrugë”, theksoi Prençi.
Ai nënvizoi se mbi 60% të territorit të Shqipërisë, është terren malor dhe tepër malor, ndaj është e domosdoshme investimi në infrastrukturën ajrore.
Pak ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi raportoi në Komisionin e Sigurisë lidhur me situatën e zjarreve në vend.
Peleshi tha se Shqipëria nuk i ka kapacitetet për të blerë avionë të posaçëm për shuarjen e zjarreve, pasi sipas tij, përveç faktit që kushtojnë shumë, kanë shpenzime të konsiderueshme për mirëmbajtje.
LEXONI GJITHASHTU