Kanë mbërritur në Shqipëri 10 mijë doza të vaksinës ruse “Sputnik V”. Dy ministrat e qeverisë Rama, Ogerta Manastirliu dhe Arben Ahmetaj thanë se këto vaksina janë dhuratë nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed.
Kryeministri Edi Rama teksa shpërndan në faqen zyrtarë në “Facebook” momentin e mbërritjes së vaksinave, thotë se në ditët në vijim priten të vijnë sasi të tjera. Këto prurje të reja thekson Rama do të krijojnë mundësitë për të rritur numrin e vaksinave ditore për t’i bërë ballë pandemisë Covid-19.
“Së shpejti shuma të konsiderueshme vaksinash të tjera do të pasojnë, duke na krijuar mundësinë të rrisim fuqishëm numrat e vaksinimeve ditore, për të dalë së shpejti nga tuneli i gjatë i kësaj lufte të egër”, njofton kryeministri Edi Rama.
Ndryshe nga deklaratat fillestare, kur Rama tha se Shqipëria nuk do të pranojë vaksina ruse dhe kineze, tashmë veprimet e qeverisë duket se po tregojnë të kundërtën.
Përmes një akti normativ të datës 12 mars, Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime në aktin e mëparshëm, ku aprovohen edhe trupa të tjera certifikuese të vendeve që prodhojnë vaksinën anti covid-19 si dhe përdorimin e tyre në popullatë.
Përfshirja e trupave të tjerë certifikues, i hap rrugë edhe vaksinave të tjera, sikurse mund të jenë vaksina ruse dhe kineze.
Ky ndryshim vjen pasi dy ministrave, të Shëndetësisë dhe Rindërtimit iu dha drita jeshile për të negociuar dhe për të siguruar vaksina nga vende, që i kanë prodhuar dhe certifikuar ato brenda territorit të tyre.
Lexoni gjithashtu:
Vaksina kundër COVID-19, Rusia i bën ftesë për negociata Shqipërisë
Vaksina anti-COVID, Rama: Procesi i vaksinimit do të nisë në mes të janarit