Deputetja më e re në moshë në parlamentin e Shqipërisë, Andia Ulliri komentoi në Euronews Albania vendimin e Lulzim Bashës për të përjashtuar nga grupi parlamentar ish-kryeministrin Sali Berisha.
Deputetja 22-vjeçare tha se vendimi i djeshëm është marrë pas shumë sakrificash. Ajo theksoi se Berisha është pjesë e historisë së PD-së dhe për vetë Bashën ka qenë një vendim i vështirë.
“Pas vendimit që u mor dje nga kryetari i Partisë Demokratike mendoj që nuk ngelet shumë për t’u thënë nga vetë grupi parlamentar. Ishte një vendim që u mor në bazë të shumë sakrificave që duheshin bërë. Mendoj që z. Berisha është jo vetëm themeluesi i PD-së, është nga njerëzit që ka qenë faktor, është pjesë e historisë sonë dhe ishte një vendim tepër i vështirë”, u shpreh ajo.
“Nuk mund të them nëse pohoj apo jo nëse jam pro apo kundër këtij vendimi, por mund të them që një pjesë e PD-së besonte që Berisha nuk duhet të largohej”, shtoi deputetja.
Deputetja u shpreh më tej se ndihet krenare për zgjedhjen si deputete dhe se ka shumë përgjegjësi në detyrën e re.
“Jam rritur në një familje tradicionale të djathtë, si një familje tillë kemi përjetuar shumë padrejtësi si nga sistemi i dikurshëm, por edhe nga 8 vite që shohim”, tha ajo.
Ajo përmendi Grida Dumën dhe Belind Këlliçin, si zëra të veçantë brenda PD-së.
“Mendoj që ka pasur shumë persona qe kanë kontribuuar në formimin e këtij vendi dhe duke filluar që nga të vjetrit deri më të rinjtë sot. Kam përmendur më parë në një intervistë sesi Grida Duma ka qenë një zë shumë i veçantë. Belind Këlliçi, i cili është zë për rininë. Mund të përmend ndoshta edhe themeluesit e PD-së”, u shpreh ajo.
LEXONI GJITHASHTU: