Mesditën e sotme në tryezën e “Ballkanit të Hapur” në Tiranë u firmosën 5 marrëveshjet mes kryeministrit Edi Rama, presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Kryeministri Edi Rama teksa renditi marrëveshjet e firmosura theksoi se ato janë prova e prekshme se Ballkani i Hapur është një nismë që shtyn përpara çka është diskutuar në procesin e Berlinit, të cilat sipas tij asnjëherë nuk u realizuan.
Ai e quajti Ballkanin e Hapur një njësi zbatimi e procesit të Berlinit dhe njësi realizmi të tregut të përbashkët rajonal.
“Të gjitha këto janë marrëveshje të cilat janë as më shumë e as më pak por marrëveshjet e tregut të përbashkët mes vendetë BE-së bazuar në të njëjtat parime dhe nevoja”, shtoi kreu i qeverisë, teksa nënvizoi se ‘Ballkani i Hapur’ mori mbështetjen e Komisionit Evropian
Ndërsa në fjalën e tij presidenti serb nënvizoi se Ballkani i Hapur nuk ka të bëjë me Serbinë e madhe, por kjo nismë lidhet drejtpërdrejtë me përfitimet për qytetarët e shteteve anëtare.
Ndërsa falënderoi Ramën për mikëpritjen dhe Zaev për kontributin, presidenti serb solli në vëmendje edhe njëherë ftesën për homologët.
“Ne në fund të fundit po i bëjmë këto gjëra për qytetarët tanë. Kjo nuk është ftesë politike”, u shpreh Vuçiç.
Sakaq, Zaev nënvizoi se kjo është një nismë që nuk ka kthim pas dhe përsëriti thirrjen ndaj tre vendeve të tjera të rajonit; Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës që të bëhen pjesë e Ballkanit të Hapur.
Zaev nënvizoi se thirrja ndaj këtyre vendeve nuk është aspak politike, por në të mirë të Ballkanit Perëndimor.
Sipas kryeministrit Zaev, Ballkani i Hapur është një kontribut për rajonit që e çon atë më pranë Bashkimit Europian.
MARRËVESHJET E FIRMOSURA:
- Marrëveshja për kushtet për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.
- Marrëveshja për ndërlidhjen e skemave të identifikimit elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.
- Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Serbisë dhe RMV për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore.
- Marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik.
- Marrëveshja ndërmjet RMV dhe Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik.
LEXONI GJITHASHTU: