Vetëm 24 orë pasi figura televizive, Caroline Flack u gjet e vdekur në apartamentin e saj një peticion i nisur në Britani arriti të merrte mbi 60.000 firma. Qëllimi i këtij peticioni, drejtuar qeverisë britanike është që të kërkohet hetim dhe të ndryshohet mënyra sesi mediat transmetojnë në sytë e publikut, jetën e njerëzve të famshëm. Por si nisi ky aksion?
Caroline Flack prezantuesja e Love Island dhe një nga personalitetet më të njohura televizive në Britani, u gjet e vdekur këtë të shtunë nga familja e saj.
Ylli 40-vjeçar ishte duke u përballur me një seancë gjyqësore pasi ajo u arrestua dhe u akuzua për dhunë psikologjike pas një mosmarrëveshje me partnerin e saj, Lewis Burton.
Flack, e cila u paraqit në gjykatë gjatë muajit dhjetor, mohoi të gjitha akuzat. Por, ajo nisi të shënjestrohet nga mediat.
Tabloidët britanikë si “The Sun” po targetohen se nuk kanë arritur të bëjnë një mbulim të duhur për ngjarjet rreth Flack. Madje në lajmin e fundit të publikuar të premten që lamë pas shfaqej një kartë për ditën e Shën Valentinit, duke u tallur me historinë e prezantueses me partnerin e saj. Një artikull që tashmë nuk është më i aksesueshëm në uebsite.
Në kushte të tilla, peticioni i nisur në Britani i bën thirrje qeverisë të hetojë median pas keqtrajtimi që u janë bërë në sy të publikut, figurave të tilla si Caroline Flack, Meghan Markle e jo vetëm.
“Titujt, ngacmimet dhe gjykimet nga media duhet të përfundojnë dhe ato duhet të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në peticion.
Josh, ideatori i peticionit u shpreh se kërkohet nga qeveria britanike që të ketë hetim ndaj tabloidëve të vendit, peticion që mori jetë pikërisht pas vdekjes tragjike të prezantueses.
Peticioni mban emrin “Ligji i Caroline-s” dhe synon që ta kthejë atë në një vepër penale për mediat britanike, të cilat “të vetëdijshme dhe të pamëshirshme sulmojnë njerëzit, qofshin ose jo personazhe publikë.”