Bilal Hasani është i burgosuri i dytë gjatë këtij viti që humb jetën në institucionin e vuajtjes së dënimit. 43-vjeçari u gjet i vetëvarur në qelinë e tij, në burgun 313 në kryeqytet.
Ai kishte përdorur një çarçaf për t’i dhënë fund jetës. Hasani ishte arrestuar në 11 dhjetor të vitit të kaluar për vjedhje dhe gjykata kishte caktuar masën e sigurisë arrest me burg deri në përfundimin e hetimeve nga prokuroria.
Sipas të dhënave, Hasani shfaqte herë pas here shenja depresioni.
Vetëvrasjet në burgjet shqiptare janë një fenomen mjaft shqetësues dhe i shpeshtë. Rasti që ngjalli reagim publik ishte ai i 6 viteve më parë kur një 52-vjeçar i arrestuar për mospagimin e energjisë elektrike i dha fund jetës në burgun e Rrogozhinës.
Sipas një studimi të vitit 2018, në burgjet shqiptare vuajnë dënimin rreth 700 persona me probleme mendore.
270 prej tyre ndodhen në burgun e Zaharisë, i cili është i specializuar për këtë kategori të burgosurish, por kushtet në këtë institucion lënë për të dëshiruar. Ndërkohë, pjesa tjetër janë ekzaminuar me probleme mendore pasi kanë filluar të vuajnë dënimin. Tentativat për vetëvrasje nga të burgosurit që kanë probleme mendore thuajse janë të përditshme.