Ky është çasti i sikletshëm kur kryeministri holandez Mark Rutte lajmëroi ndalimin përshëndetjes me duar dhe vetëm pak sekonda më vonë i dha dorën kolegut të tij.
“Prej këtij çasti, duhet të ndalojmë shtrëngimet e duarve,” tha kryeministri holandez, duke theksuar masat për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.
“Mund të përshëndeteni me këmbë, bërryla, si të doni. Shoh në shkolla lloj-lloj përshëndetjesh të shtrëngimit të duarve, por nga sot e ndalojmë këtë gjë.”
Ai pastaj u kthye nga drejtori i departamentit të sëmundjeve të Institutit të Shëndetit Publik Holandez, Jaap van Dissel dhe i shtrëngoi dorën.
[instagram_feed=B9jmnjCoRPK]
“Ndjesë, ndjesë nuk mund ta bëjmë më këtë!” kujtoi Rutte veten. “E provojmë prapë!”
Herën e dytë, ata përplasën bërrylat.
Për shumicën e njerëzve, coronavirusi i ri shkakton vetëm simptoma të thjeshta ose pa shumë ndërlikime, si ethet dhe kolla. Për disa, veçanërisht ata në moshë të madhe dhe personat me probleme shëndetësore, mund të shkaktojë sëmundje të rënda, përfshirë pneumoninë.
Shumica e njerëzve e kalojnë coronavirusin. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, njerëzit e prekur lehtazi shërohen brenda dy javëve, ndërsa ata të prekur më rëndë mund të duan tre deri në gjashtë javë për ta marrë veten.
Në Kinë, aty ku shpërtheu fillimisht virusi, më shumë se 80,000 njerëz janë diagnostikuar dhe më tepër se 58,000 e kanë tejkaluar atë.