Virusi “Corona” po alarmon qytetarët anekënd Europës, ndonëse autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për qetësi. Shpejtësia me të cilën po përhapet virusi në Kinë dhe shkalla e gjerë e zonave që ai ka prekur deri tani, gjithsesi ka rritur vëmendjen në pikat hyrëse të aeroporteve më të mëdha europiane ku po mundohen të pengojnë depërtimin e personave të infektuar nga Azia.
Ende nuk ka asnjë raportim për rrezik të shtuar në Ballkanin perëndimor apo Shqipëri, megjithatë mbetet për t’u parë nëse autoritetet kanë planifikuar masa kontrolli dhe karantinë në skenarin eventual që virusi do të mësyjë Europën.
Pavarësisht panikut që ka përfshirë botën OBSH-ja bën me dije se është shumë herët për të shpallur një emergjence globale.
Virusi Korona i cili po përhapet me shpejtësi në shumë provinca të Kinës, Koresë e Tajlandës ka shkaktuar dhjetëra të vdekur dhe numri i të infektuarve po rritet me shpejtësi.
Por, çfarë është ky virus, nga e ka origjinën, si mund të merret dhe cilat janë pasojat e tij?
Vatra e parë e virusit mendohet se ishte një treg në qytetin kinez të Vuhanit, në të cilin zhvillohej tregti e paligjshme kafshësh të egra. Sipas dyshimeve, virusi mund të jetë zhvilluar tek gjarpërinjtë e më pas të ketë kaluar te njerëzit. Virusi “Corona” është pjesë e familjes së virusit që njihet me emrin Sars, i cili nga ana e tij, u përhap nga lakuriqi i natës tek njeriu.
Sipas vlerësimeve të shkencëtarëve, virusi “Corona” klasifikohet si një sindromë relativisht më e rëndë respiratore se sa gripi i derrit por ata ende nuk e kanë zbuluar shpejtësinë me të cilën ai transmetohet nga një njeri tek tjetri.
Mjekët nuk kanë zhvilluar aktualisht asnjë vaksinë, e cila mund ta parandalonte këtë virus, por gjithsesi ekipe të shumta kërkimore anekënd botës po punojnë me vrull për ta krijuar atë. Për momentin, vetëm higjiena e mirë personale dhe larja e duarve mbeten masa e vetme mbrojtëse.