Viti 2019 mund të thuhet se ka qenë një vit i pafat për shqiptarët. Krahas fatkeqësisë natyrore të tërmetit, refuzimit të negociatave, problemeve me varfërinë dhe korrupsionin, politizimi i tejskajshëm e shoqëroi vendin edhe gjatë një tjetër viti kalendarik në historinë 107-vjeçare të shtetit shqiptar.
Muaji shkurt kulmoi me largimin e PD dhe LSI nga parlamenti, duke kryer një akt të paprecedentë dhe të pa përkrahur nga ndërkombëtarët, të cilët edhe në fund të këtij viti e konsiderojnë si një situatë dhe jo krizë politike, sikundër e vlerëson opozita që dorëzoi mandatet.
Analistët e pyetur nga Euronews Albania e vlerësojnë si një akt të pa ndodhur më parë djegien e mandateve por ndajnë qëndrime të ndryshme.
Arjon Sulo nga gazeta Liberale e vlerëson si pozitiv vendimin e opozitës. “Vendimi për djegien e mandateve parlamentare nga opozita unë e konsiderojë një vendim të drejtë. Pa atë vendim të opozitës nuk do të kishim një shkundje të opinionit të brendshëm dhe ndërkombëtar që ka ndodhur gjatë këtij viti”, theksoi Sulo për “Euronews Albania”.
Aristir Lumezi nga gazeta “Panorama” ndan një mendim ndryshe përsa i përket qëndrimit të opozitës për djegien e mandateve. “Unë do të thoja që vendimi I opozitës për të djegur mandatet ka qenë vendimi më i gabuar i marrë ndonjëherë dhe nga një opozitë politike shqiptare dhe ky do të mbahet mend si vendimi më negativ apo ngjarja më negative e vitit.
Pas investimit ndërkombëtar për marrëveshjen e 17 majit 2017 dhe rezultatin zhgënjyes të saj, partnerët ndërkombëtarë u bashkuan rreth idesë se aktorët politikë shqiptarë duhet të zgjidhin vetë mosmarrëveshjet e tyre dhe riciklimi i situatave që përsëriten nuk është i shëndetshëm për demokracinë.
Bashkimi Europian u deklarua publikisht për mos dërgimin e një negociatori, përmes drejtorit të zgjerimit Christian Danielson. “Vendimi i anëtarëve të opozitës për të djegur mandatet parlamentare në bllok minon në mënyrë serioze rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Pasiguria duhet tejkaluar në mënyrë urgjente dhe jeta demokratike e vendit duhet restauruar”.
Këto qëndrime të ndërkombëtarë komentohen ndryshe nga dy analistët.
Arjon Sulo: Për mua ndërkombëtarët kanë një axhendë veprimesh që fillon dhe mbaron me reformën në drejtësi. Ne për reformën në drejtësi kemi sakrifikuar shumë demokraci në vend dhe këtë e dinë edhe vetë ndërkombëtarët dhe e kanë bërë qëllimisht.
Aristir Lumezi: Ndërkombëtarët kanë të qartë që në momentin, jo të marrjes së vendimit, por që kur flitej se mund të merrej një vendim I tillë. Kanë qenë kundër një vendimi të tillë. E kanë thënë në mënyrë të përsëritur se jeta politike, debate politik bëhet vetëm në institucione, në parlamentet.
Me ikjen nga parlamenti opozita nisi betejën për zgjedhje të parakohshme përmes 9 protestave siç i quajti opozita kombëtare vërshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Më shumë se sa pjesëmarrja, vëmendjen gjatë disa prej tubimeve të opozitës e mori forma. Molotovi i përdorur dhe përplasja me forcat e policisë solli reagime të ashpra ndërkombëtare ku për herë të parë folën me emra të përveçëm
Zëvendës Ndihmës i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer: “Dua te jem shumë i qartë me Zotin Basha dhe Zonjën Kryemadhi nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për Reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE”.
Për Arjon Sulon nga gazeta “Liberale” protestat e opozitës kishin si synim shkundjen e institucioneve, ndërsa për Aristir Lumezin, tubimet e opozitës gjatë vitit 2019 lanë një shije jo të mirë për shkak të dhunës së përdorur.
Arjon Sulo: Protestat e opozitës sot të parë nga distance nuk mund të quhet protesta të dhunshme në kuptimin e mirëfilltë të asaj që quhet protestë e dhunshme. Protestat bëhen për të shkundur institucionet, në rastin konkret qeverinë.
Aristir Lumezi: Këto lloj protestash të dhunshme me Molotov nuk më kanë lënë një shije të mirë personalisht. Dhe si qytetar dhe si gazetar. Protestat me Molotov mund të bëjnë vetëm shoqatat, shoqëria civile por jo partitë politike.
Pavarësisht se vendimi politik ishte për djegie mandatesh në bllok, jo të gjithë deputetët i shkuan pas vendimit të Kryetarëve. 43 opozitarë emrat e të cilëve ishin në listat e PD dhe LSI të zgjedhjeve parlamentare, vendosën të hyjnë në parlament, me moton për të nisur një politikë të re. Përveç Lefter Kokës, lajm për mediat u bë qëndrimi në Kuvend i Rudina Hajdarit e bija e liderit demokrat e formuar në SHBA dhe me qëndrime të ngjashme me partnerët ndërkombëtarë.
“Nuk mendoj se vetë partitë duhet t’i trajtonin këta si njerëzit e këqinjë, si planprishësit e shtëpisë së tyre. Ata ishin legjitim për sa kohë ishin në një listë legjitime të depozituar në KQZ dhe të votuar se ne nuk dimë sa vota ka marrë ai I pjesës së poshtme të listës dhe ai i pjesës së lartme. Sistemi zgjedhor është I tillë që votohet partia, por nëse do të viheshin individët, ndoshta ndonjë ato individët që kanë hyrë sot në parlament mund të kenë marrë më shumë vota se ata që ikën,” thotë Aristir Lumezi.
“Përgjegjësia është e opozitës në momentin e hartimit të listave. Dhe akoma më gjerë pastaj është faji I këtij sistemi ku një kryetar partie Brenda dy tre ditëve apo Brenda një nate duhet të përpilojë një listë,” komenton Arjon Sulo.
Pranvera e vitit 2019 shënoi edhe një precedent tjetër në përkeqësimin e krizës politike. Opozita e bashkuar nuk pranoi të futej në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Vendimi u përforcua më shumë kur gazeta gjermane e llojit tabloid “Bild” publikoi një sërë përgjimesh të prokurorisë shqiptare të dy dosjeve 339/1 dhe 184.
Arjon Sulo: Qeveria është në borxh me ata që i kanë dhënë vota në mënyrë të pamerituar. Çdo qeveri, jo vetëm kjo qeveri.
Aristir Lumezi: Zgjedhjet e 30 qershorit gjithashtu e kanë pikënisjen nga 21 shkurti, djegia e mandateve të opozitës.
Në mesin e ngërçit politik protagonist u bë kreu i shtetit Ilir Meta. Gjatë zhvillimi të protestës së 8 qershorit Presidenti lajmëroi se kishte anuluar me dekret datën 30 qershor si ditë zgjedhjesh. Ky akt i Presidentit Meta nuk u pranua nga maxhoranca socialiste dhe faktori ndërkombëtar
Zëvendës Ndihmës i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer: Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. Presim që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë e transparente. Pas zgjedhjeve, do të formohet Gjykata Kushtetuese dhe presim që mosmarrëveshjet për kohën e zhvillimit të zgjedhjeve të zgjidhen përmes institucioneve të vendit. Në kushte ideale ne do të kishim dashur që në zgjedhje të merrnin pjesë si partitë e opozitës, ashtu edhe të qeverisë.
I ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane në Tiranë Daniel Koski: Çdo akt dhune nga sot deri në 1 Korrik i bërë apo nxitur nga ju do ta detyrojë Departamentin e Shtetit t’ju klasifikojë si organizata të dhunshme!
Shumica qeverisëse dhe parlamentare nisi punën për një komision hetimor që do të verifikonte ligjshmërinë e veprimeve të Presidentit
Dita e zgjedhjeve shkoi ashtu siç kishin kërkuar ndërkombëtarët, e qetë dhe pa trazira. Opozita u tërhoq atë ditë nga protestat me përjashtim të një grupi të vogël që ironizoi zgjedhjet me këngë e me valle si proceset zgjedhore komuniste
Korriku dhe gushti ishin dy muaj të nxehtë por vetëm për nga temperaturat e larta jo për aktivitetin e politikës shqiptare. Komisionit Qendror i Zgjedhjeve iu desh një muaj për të shpallur rezultatin e një procesi elektoral ku mori pjesë vetëm një kah politik. Opozita punoi në heshtje ku denoncoi dy kryebashkiakë të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit si subjekte të ligjit të dekriminalizimit.
Akuzat e PD rezultuan të vërteta, Valdrin Pjetri la mandatin e të zgjedhurit pa e nisur ende ndërsa Agim Kajmaku u shkarkua nga KQZ
Për Arjon Sulon kjo ngjarje konfirmon kauzën e opozitës ndërsa për Lumezin është dëshmi se ligji vazhdon të funksionojë.
“Shkarkimi i kryetarit të bashkisë së Shkodrës, z. Kajmaku të Vorës, por edhe akuzat që janë për disa kryebashkiak të tjerë konfirmojmë kauzën e opozitës për deformimin e zgjedhjeve,” thotë Sulo.
Lumezi megjithatë argumenton se “Dekriminalizimi është një proces në vazhdim që nuk është se mbaruan këto zgjedhje dhe përfundoi. Element të tillë të hyjnë dhe do të provojnë veten në zgjedhje apo për tu futur në administratë”.
Vjeshta e vitit 2019 nisi me një kërkesë sërish nga ndërkombëtarët, kapërcimin e krizës për të hapur negociatat. Në tetor u mblodh këshilli europian, i cili vendosi bllokimin e negociatave të frymëzuar nga Presidenti francez Macron dhe vizioni i tij për të reformuar BE përpara zgjerimit në Ballkan. Gjermania u investua në favor të Shqipërisë por duke vendosur 9 kushte.
Njëra nga pikat e Bundestagut, miratimi i reformës zgjedhore me opozitën jo parlamentare ishte çështja e cila mund të mundësonte një dialog mes PD-së dhe PS-së. Parlamenti nisi punën me hartimin e reformës gjedhore me mbledhje të njëpasnjëshme. OSBE nga ana e saj u bë si katalizator i kontakteve ndërmjet opozitës jo parlamentare dhe maxhorancë në disa tryeza teknike, por pa një produkt final.
Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi në një intervistë në “Euronews Albania” reformimi synon garantimin e besueshmërisë së politikës në një proces të drejtë.
Damian Gjiknuri: Komisioni i Reformës Zgjedhore është një komision ndryshe nga çdo proces tjetër ligjvënës që kërkon konsensus. Nuk është si komisioni I ligjeve apo një komision tjetër që kur maxhoranca ka vullnetin e kalon atë në mënyrë të njëanshme. Në zgjedhje kërkohet vullnet politik. Ligji nuk bën mrekulli, Kodi Zgjedhor jep garanci që palët të hyjnë në një palë zgjedhje të qeta dhe me pritshmëritë e tyre elektorale.
Sekretari i Partisë Demokratike për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso në studion e Euornews deklaroi se PD nuk do të marrë pjesë në asnjë tryezë të organizuar nga komisioni, por është e gatshme të bashkëpunojë për këtë çështje.
Ivi Kaso: Partia Demokratike nuk merr pjesë në asnjë tryezë të organizuar nga Komisioni I Posaçëm I Reformës Zgjedhore, legjitimitetin e të cilit nuk ja ka njohur asnjëherë që nga momenti I krijimit të tij deri më sot, por nga ana tjetër ka shprehur gatishmërinë që të marrë pjesë në çdo tryezë të vërtetë konstruktive që synon adresimin e problematikave të vërteta të zgjedhjeve të cilat kryesisht janë organizuar nga ata të cilët vërtet I kanë përzemërt rritjen e standardeve zgjedhore në Shqipëri.
Kur po shihej një dakordësi në heshtje në politikë, përkeqësimi i situatës ndodhi sërish. Shkak këtë herë u bë plotësimi i gjykatës kushtetuese, një nga 9 kushtet gjermane. Edhe ky proces në pamje të parë u duk sikur po ecte me shpejtësi, por mandati i një anëtari u bë konflikti i radhës ndërmjet presidentit dhe parlamentit.
Konflikti arriti deri aty sa Presidenti paditi kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi duke e akuzuar për shpërdorim detyre, ndërsa maxhoranca duke e futur këtë çështje në objektin e komisionit hetimor për shkarkimin e Ilir Metës.
Në një trinom përplasjesh ku skajet e secilit largoheshin gjithnjë e më shumë, natyra bëri që palët të mobilizohen në shërbim të shqiptarëve të dërrmuar nga pasojat e lëkundjeve fatale. Zgjimi me dridhje të frikshme të tërmetit 6.4 të shkallës rihter mëngjesin e 26 nëntorit, shkaktoi 51 të vdekur, mijëra të pastrehë, qindra godina të dëmtuara dhe një faturë financiare qindra milionë euroshe që është ende e papërfunduar. Dhe paqe politike për dy javë.
Mesi i dhjetorit rindezi tonet e konfliktit politik me projektligjin e qeverisë për atë që u mbiquajt si paketa anti-shpifje, por që në fakt synonte të rregullonte median online dhe që pësoi ndryshime në bashkëpunim me OSBE deri pak minuta përpara se të miratohej në seancë plenare.
Dy analistët edhe për këtë çështje kishin qëndrime të ndryshme. Arjon Sulo nga gazeta “Liberale” i druhet një auto-censure të medias pas miratimit të këtij ligji ndërsa Aristir Lumezi nga gazeta “Panorama” theksoi se për çështje që media nuk arrin të vetë-rregullohet, kjo mund të bëhet me ligj.
Arjon Sulo: Unë preferoj më mirë një media me problem por të lirë se sa një media që është nën censurë dhe ato-censurë
Aristir Lumezi: Nëse media nuk arrin ta vetërregullohet, mirë është që për ato pika kur cenohen të drejtat e njeriut apo privatësia e tjetrit, është mirë të rregullohet me ligj.
Viti 2020 i gjen shqiptarët të dëshiruar për më shumë shpresë se vendi do të hyjë në normalitet. Se Shqipëria do të mund të hapë negociata me BE, se ekonomia do ta marrë veten, se donatorët shqiptarë e ndërkombëtarë do ta lehtësojnë faturën e rëndë financiare të rindërtimit, se do të ketë transparencë të plotë në përdorimin e fondeve dhe ndërtimeve të reja, se korrupsioni nga zyrtarë publikë do të luftohet nga i sapo ngrituri SPAK, se politika do të vetëdijesohet se pa bashkëpunim dhe reflektim serioz nuk mund të vazhdojë të nëpërkëmbë dinjitetin dhe mirëqenien e shqiptarëve. Dekada e re e shqiptarëve meriton të jetë e bardhë ashtu si zemrat e shqiptarëve të varfër që hapën zemrat e dyert për të prekurit nga tërmeti.
Sjellja e përgjegjshme ndaj shqiptarëve nuk është një opsion është një detyrim dhe për këtë e kanë detyrim vetë shqiptarët që t’i kërkojnë politikës të zbresë më këmbë në tokë, te ajo tokë që dridhet njësoj për të gjithë, pushtetarë e opozitarë, të pasur e të varfër, të ndershëm e të korruptuar. Kjo dekade e re duhet të jetë dekada e shqiptarëve të mirë që sillen dhe punojnë në të mirë të Shqipërisë!