Ky vit ka nisur mbarë për sektorin e Energjisë Elektrike. Korporata Elektro-Energjetike Shqiptare ka arritur të fitojë 7,6 mln euro në ankandin e parë të hapur për datat 16 deri në 22 janar.
Kjo procedurë është pjesë e shitjeve që kanë nisur që nga mesi i nëntorit, ku reshjet rritën nivelin e hidrocentraleve në Fierzë, Koman dhe Vaun e Dejës.
KESH ka shitur e parë 67 mijë/MWh energji të ndarë në dy faza, me çmim 70 dhe 140 euro. Brenda këtij çmimi ka operuar edhe bursa e Hungarisë këtë javë, bursë e cila shërben si referencë për tregtimin e energjisë në rajon.
KESH ka hapur edhe një procedurë të dytë për shkëmbim energjie, por ka dështuar pasi nuk ka gjetur pjesëmarrës. Sipas kësaj procedure, një sasi e caktuar energjie jepet sot në një shtet tjetër, dhe ky i fundit e kthen në muajt e verës, atëherë kur prodhimi vendas bie.
Pritshmëritë në tregun europian janë që çmimet të pësojnë një ulje graduale, por arritja në normalitetin e dikurshëm mbetet e pasigurt për shkak të konfliktit të zgjatur në Ukrainë. Vitin e kaluar, vendi ynë pagoi rreth 350 mln euro për të garantuar rrymë të pandërprerë.
LEXONI GJITHASHTU:
- Energjia “del” nga kriza, KESH vazhdon të shesë, fiton mbi 13 mln euro për 20 ditë
- Energjia, Rama: Mbetemi në tregje të vogla nëse s’shkojmë përtej kufijve