Pas refuzimit të kërkesës për raportim sot në Kuvend, presidenti i vendit Hashim Thaçi mbajti një konferencë për mediat për të informuar lidhur me vizitën në SHBA, ku është takuar me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiç.
Thaçi e vlerësoi takimin në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Serbisë si shumë të rëndësishme, pasi sipas tij tregon rikthimin e interesit të SHBA lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Jam takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ky është një takim i rëndësishëm për disa arsye. Takimi shënon kthimin e SHBA në kërkimin e arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Ne këtu në Kosovë kemi kërkuar prezencën amerikane për këtë proces. E dyta, takimi shënon gatishmërinë për të vijuar me dialogun pas një periudhe stanjacioni. Takimi i Uashingtonit e bën më të afërt mundësinë e arritjes së marrëveshjes”, – tha presidenti.
Z. Thaçi këmbënguli se vonesat për arritjen e marrëveshjes finale nuk është në interesin e vendit.
“Vonesa nuk është në interesin tonë. Vetëm unikԯ e të bashkuar do të dalim faqebardhë, sepse kemi presidentin Trump që ka shtuar vëmendjen për Kosovën, kemi Grenell që po shtyn përpara dialogun dhe po angazhohet për marrëveshjen përfundimtare. Ky është momentumi i ri që duhet ta shfrytëzojmë. Humbja e këtij momentumi nënkupton çmim. Cili është çmimi? Vonesa, zhvillimi ekonomik. Por në të njëjtën kohë dua të jem i hapur, vendi ynë, pavarësia jonë nuk ka vetëm miq, por edhe kundërshtarë”, – tha ai.
Thaçi tha se nëse marrëveshja arrihet do të ketë qindra milionë investime të gatshme për Kosovën.
“Qindra milionë të gatshëm për investim në Kosovë për zhvillim ekonomik në qoftë se arrihet marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”, tha presidenti.
Për më tepër, presidenti Thaçi bëri thirrje për unitet për çështjen e dialogut.
“Në pyetje është e ardhmja e Kosovës, andaj nuk duhet të ketë dallime. E duam që Kosova të jetë në NATO, këtë e kemi obligim të gjithë. Unë kam qenë gjithherë i gatshëm të punoj me të gjithë, edhe kur kam qenë në opozitë, kam marrë pjesë në bisedime në Vjenë. Kam përfshirë opozitën në dialog. Edhe sot bëj ftesë për unitet dhe për bashkërendim të hapave tonë. E kemi rastin më të mirë tash, jo nesër, e kemi përkrahjen e plotë të presidentit Trump, vëmendjen e plotë të emëruarit Grenell, kemi mundësinë për të përmbyllur konfliktin ë luftës, dhe të hapim kapitullin e prosperitetit”, tha ai.
Thaçi shprehu bindjen se njohja reciproke do të ndodhë dhe çdo marrëveshje do të jetë në bazë të Kushtetutës.
Pas kthimit nga SHBA, z. Thaçi kishte bërë kërkesë që të raportonte në një seancë të veçantë lidhur me vizitën në SHBA. Por, kjo ishte refuzuar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo tha se kërkesa e presidentit do të shqyrtohet vetëm pas datës 9 marsit, me arsyetimin se deri në atë kohë Kuvendi është i angazhuar.
Lexoni gjithashtu
Hashim Thaçi fton SHBA-në të mbajë rol udhëheqës në proceset në Kosovë