Komisioni i Veprimtarive Prodhuese kaloi projektligjin që i hap rrugë nisjes së projektit të portit turistik të Durrësit.
Mbledhja e Komisionit, që zgjati gati 2 orë e gjysmë u zhvillua me debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe të qeverisë në njërën anë dhe deputetëve të opozitës në anën tjetër.
Përfaqësuesit e qeverisë mbrojtën projektin, duke deklaruar se në nënshkrimin e marrëveshjes është marrë parasysh interesi publik. Zv.Sekretarja e Përgjithshme e Kryeministrisë, Elira Kokona tha para deputetëve se Mohamed Alabbar kërkoi që i gjithë projektit të ndërtohej me një fazë të vetme, por kjo kërkesë është refuzuar nga pala shqiptare.
Ajo hodhi poshtë akuzat se pas kompanisë fshihen investitorë, apo politikanë shqiptarë dhe shtoi se Alabbar ka dhënë garanci për 2.1 mld eurot investim.
Sa i takon përcaktimit të çmimit të referencës në shitjet e apartamenteve, prej 1500 eurosh për metër katror, përfaqësuesit e qeverisë deklaruan se janë bazuar te modeli që Eagle Hills po zbaton në Serbi, ku sipas tyre çmimet kanë shkuar edhe mbi 10 mijë euro për metër.
LEXONI GJITHASHTU: