Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar se Republika e Kosovës sot është njohur nga Xhamajka.
“Xhamajka ka njohur Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur”, – shkruan Thaçi në Twitter. Po ashtu presidenti e ka falënderuar kongresistin amerikan Eliot Engel, për meritën që e ka në arritjen e kësaj njohje.
“Ky është rezultat i punës së vështirë dhe lobimit për vite të tëra nga kongresisti Eliot Engel. Punë e mirë. Faleminderit miqtë tanë nga Kingstoni”, – ka shkruar Presidenti Thaçi. Kjo njohje vjen pas një kohe të gjatë që Kosova nuk kishte marrë asnjë njohje.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nisën njohjet e shtetit sovran, ndërsa më 18 shkurt 2008 Afganistani ishte shteti i parë që e njohu Kosovën shtet të pavarur.
112 nga 193 shtete anëtare të OKB e njohin Kosovën si shtet të pavarur, shumica e vendeve në BE dhe NATO-s e kanë njohur gjithashtu Kosovën shtet sovran.