Ylli britanik i muzikës pop Jessie J është diagnostikuar me kancer. Lajmin e ka bërë vet këngëtarja në një postim që ka bërë në rrjetet sociale duke thënë se kanceri është në fazë të hershme.
37-vjeçarja tani planifikon t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale pas një performance në festivalin e Londrës më 15 qershor.
“Më diagnostikuan me kancer të gjirit në fazat e hershme. Po e theksoj fjalën në fazat e hershme. Kanceri është i keq në çdo formë. Do të largohem për pak kohë pas Summertime Ball për t’u operuar. Dhe do të kthehem dhe do bëjë sërish muzikë”, është shprehur këngëtarja.
Jessie J është një nga yjet më të mëdhenj të muzikës pop në Mbretërinë e Bashkuar, me më shumë se 20 milionë dëgjues mujorë në Spotify.
Këngët e saj hit si ‘Price Tag’, ‘Bang Bang’ dhe ‘Flashlight’ u renditën në top listat vendase dhe ndërkombëtare.
Nuk është hera e parë që Jessie J flet hapur për shëndetin e saj para miliona ndjekësve të saj. Në vitin 2021 ajo postoi për një humbje të shtatzënisë, ndërsa tani ka një djalë 2 vjeç.