Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar sot një takim me anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjatë takimit me përfaqësues të KLGJ-së, Kim është shprehur se SHBA janë të vendosur për të ngritur një sistem drejtësie të paanshëm.
“Ambasadorja Kim u takua sot me anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe i përgëzoi ata për përpjekjet e tyre në përmirësimin e administrimit të gjyqësorit dhe gjykatave. Ajo theksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të ngritur një sistem drejtësie të paanshëm, bazuar në sundimin e ligjit, ndërsa Shqipëria përpiqet të përmbushë potencialin e saj të plotë duke krijuar institucione të forta demokratike”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë për takimin.
Ambasadorja e re që zëvendëson, ish-ambasadorin Donald Lu, ka vetëm pak ditë që ka marrë detyrën. Kim ka deklaruar se në fokus të mandatit të saj do të jetë vënia në zbatim e reformës në drejtësi.