Gazi lotsjellës i përdorur kundër protestuesve të opozitës në Shqipëri, është huazuar nga Policia e Kosovës, raporton gazeta kosovare “Insajder”.
Përdorimi i gazit lotsjellës gjatë protestave të opozitës së bashkuar të vitit 2019 në Shqipëri, ngriti shumë debate. Qeveria u kritikua për përdorim të tepruar të gazit lotsjellës, ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se sasia e gazit në përdorim nuk ishte blerë enkas për opozitën, por bënte pjesë në arsenalin ekzistues të Policisë së Shtetit.
Investigimi i medias kosovare ka përgënjeshtruar këtë deklaratë të ministrit.
Gazeta “Insjaderi” ka publikuar një dokument ku thuhet se policia shqiptare ka marrë hua 500 grana me gaz lotsjellës nga Policia e Kosovës, veprim i cili është bërë me anë të një marrëveshjeje mes drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe drejtorit të Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu.
Ndërkohë që në Kosovë skandali konsiston në faktin se policia vendase e ka të ndaluar të japë në përdorim për të tjerë mjete që ajo i blen për llogari të nevojave të saj, në Shqipëri, ky dokument dëshmon lehtësinë me të cilën lëshohen deklarata të pavërteta publike nga autoritetet tona më të larta shtetërore.
Protestat e opozitës vitin e kaluar vijuan me muaj të tërë, ndërsa mazhoranca qeverisëse akuzonte drejtuesit e saj për njollosje të imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Gjatë tubimeve të opozitës, lideri Lulzim Basha deklaronte se qeveria e kryeministrit Rama nuk është produkt i dalë nga vota e lirë, por një qeveri që është e lidhur drejtpërdrejt me krimin.