Akademia e Sigurisë në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së sot organizojnë konferencën e 5-të shkencore me pjesëmarrje ndërkombëtare, me titull: “Krimi mjedisor, siguria mjedisore dhe siguria kombëtare”.
Konferenca ka si objekt përmirësimin e dijes akademike lidhur me sigurinë mjedisore duke kontribuuar përmes punimeve shkencore.
Sipas njoftimit, konferenca ka si qëllim trajtimin në mënyrë shkencore të shkallës së rëndësisë së mbrojtjes juridiko-penale të mjedisit, kuptimin e veprave penale kundër mjedisit, llojet e veprave penale kundër mjedisit, trajtimin e kuptimit dhe veçorive të hetimit të veprave penale mjedisore e të tjera.
Për këtë çështje të ndjeshme për vendin tonë foli edhe zëvendëskryetari i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton. I pranishëm në studion e “Good Morning Albanians”, z. Wilton tha se mjedisi në Shqipëri është shumë i dëmtuar dhe për këtë shtoi ai, duhet të merren masa të menjëhershme nga ana e strukturave përkatëse. Zëvendëskryetari z. Wilton theksoi se OSBE-ja ka bashkëpunuar me ministritë përkatëse për të shtuar masat mbrojtëse ndaj mjedisit në vendin tonë.
“Deri sa kemi ujë në Shqipëri të pa pijshëm, deri sa kemi tokë e dhe të helmuar dhe ajër të ndotur, ku shumë nga këto fenomenet janë shkaktuar nga veprat e njerëzve të parregullt, dëmet dhe pasojat janë sfida të mëdha për shëndetin e njerëzve. Grupet të organizuara janë marrë më shumë me krimet mjedisore. Ne kemi bashkëpunuar si OSBE me agjencitë përkatëse dhe me zyrtarë e lartë të ministrisë së Mbrojtjes dhe ministrisë së Brendshme për të zhvilluar masat ligjore. Më shumë se ligj është një çështje që ka të bëjë me zbatimin e ligjit. Secili nga ne që sheh një lumë të ndotur, ne menjëherë kuptojmë se si është ndotja”,- tha ai.