Bernie Sanders ka fituar zgjedhjet e para primare të Demokratëve, një sukses i hershëm në garën për të parë se kush do të jetë kundërshtari i Presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në nëntor.
Sanders, një 78-vjeçar i cili e përshkruan veten si një social demokrat, ia doli të mundë me një diferencë të vogël votash ish kryetarin e bashkisë Pete Buttigieg në primaret e Nju Hempshir, kanë raportuar NBC dhe Associated Press.
Buttigieg ishte një kryetar bashkie jo shumë i njohur nga Indiana, para se të hynte në zgjedhjet primare të Demokratëve.
Senatorja Amy Klobuchar nga Minesota doli e treta, duke i dhënë një shtysë për të vazhduar garën teksa drejtohet nga shtetet me popullsi më të madhe.
Senatorja Elizabeth Warren u rendit në vend të katërt dhe ish zv. Presidenti Joe Biden i pesti, rezultate zhgënjyese për të dy kandidatët të cilët dukeshin sikur do të kryesonin në këtë garë.
[twitter_feed=https://twitter.com/BernieSanders/status/1227451624970444801]
“Kjo fitore është fillimi i fundit për Donald Trump” tha Sanders pak pas fitores. Sipas një sondazhi të NBC News, Sanders është votuar gjerësisht nga të rinj liberalë.
Sanders, një senator i pavarur nga Vermonti, ka fituar primaret e Nju Hempshir edhe në vitin 2016.