Të dielën u hapën qendrat e zgjedhjeve në Kroaci, për një garë të ngushtë elektorale për të zgjedhur presidentin e ardhshëm.
Votuesit do të mund të zgjedhin midis presidentes aktuale konservatore ose rivalit të saj të krahut të majtë, në atë që analistët e kanë cilësuar si një “garë të paparashikueshme”.
Kjo vjen vetëm disa ditë pasi vendi mori kryesinë e Presidencës së Bashkimit Europian, që do të thotë se fituesi do të jetë një figurë kyçe në skenën europiane në një kohë kur BE-ja gjendet midis dy zjarresh atë të hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe në anën tjetër largimin e Britanisë.
Anëtarët e Komisionit Europian pritet të vizitojnë Zagrebin të enjten, më 9 janar.
Zgjedhjet këtë vit qëlluan në një periudhë festash, ku sipas traditës mijëra kroat nisen në Itali për të bërë ski, edhe pse është ende e paqartë nëse kjo do të ndikojë mbi rezultatin.
Kush janë kandidatët?
Kolinda Grabar-Kitarović, ish -ambasadore e Kroacisë në Shtetet e Bashkuara, po garon për një mandat të dytë si kandidatja e partisë konservatore Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), aleate me Partinë Popullore Europiane (EPP) në Parlamentin Europian.
51-vjeçarja u bë presidentja e parë grua pas pavarësisë në 2015 por edhe presidentja më e re e vendit.
Kundërshtari i saj është Zoran Milanović, ish-kryeministër i Kroacisë dhe udhëheqësi i Partisë Social-Demokrate të Kroacisë (SDP), një parti e qendrës së majtë, pjesë e Partisë Socialiste Europiane në PE.
Ashtu si Grabar-Kitarović, 53-vjeçari është një ish-diplomat, ka punuar në Ministrinë e Jashtme të Kroacisë përpara se të hynte në politikë.
Në dhjetor, ai theu rekordin duke u bërë kandidati i parë për president që merr më shumë vota sesa presidenti në detyrë në raundin e parë të zgjedhjeve.
Si kryeministër, Milanović prezantoi reforma liberale si edukimi mbi shëndetin në shkolla dhe më shumë të drejta për çiftet të së njëjtës gjini.
Çfarë detyrash mban presidenti kroat?
Është një post kryesisht ceremonial kur e krahason me atë të kryeministrit, i cili ka më shumë pushtet, megjithatë presidenti drejton ushtrinë dhe përfaqëson vendin në takimet me jashtë.
Presidenti zgjidhet nga populli çka i jep më shumë peshë në politikë, duke e bërë një zë të rëndësishëm për çështje kyçe në shoqërinë kroate.
Veçanërisht, presidenti do të jetë një figurë e rëndësishme përgjatë kryesisë së Presidencës Europiane nga Kroacia.
Presidenca e BE-së ndërrohet çdo gjashtë muaj përreth 28 vendeve anëtare. Për Kroacinë, e cila iu bashkua BE-së në vitin 2013 dhe mbetet anëtarja e saj më e re, do të jetë hera e parë që do të marrin kryesinë e presidencës. Mandati 6-mujor nisi më 1 janar.
Profil, Kroacia
Shtëpia e 4.2 milion banorëve, Kroacia hyri në Bashkimin Europian pasi doli nga lufta për pavarësi me Jugosllavinë, në fillim të viteve ‘90, në një luftë ku humbën jetën rreth 10 mijë persona.
Kroacia njihet për bregdetin e Adritatikut, së bashku me qindra ishujt dhe Dubrovnikun, qytetin e kornizuar nga muret antike.
Ekonomia e Kroacisë është duke performuar më mirë sesa vendet e tjera të Europës Juglindore por mbetet pas me mesataren e BE-së. Megjithatë, Kroacia është në rrugën e duhur për t’iu bashkuar zonës së Schengenit dhe drejt adoptimit të euros, si monedhën kryesore të vendit.
Lufta e vitit 1900 mbetet sot e kësaj dite një çështje e rëndësishme politike në Kroaci, një vend kryesisht konservator ku Kisha Katolike luan një rol të rëndësishëm.