Zgjerimi i Bashkimit Europian është një nga temat që po diskuton sot në Bruksel Këshilli për Çështjet e Përgjithshme të BE.
Gjatë këtij takimi Presidenca kroate paraqet përparësitë për gjashtë muajt e ardhshëm në krye të Unionit.
Synimi është të binden vendet dyshuese për metodologjinë e re të zgjerimit, duke shtuar edhe vlerësimin e ecurisë së reformave deri sot.
Në Bruksel do të mblidhen sot edhe krerët e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa ka edhe disa takime e tryeza të tjera të rëndësishme, ku do të diskutohet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Korrespondenti, Ernest Bunguri tha për Euronews Albania nga Brukseli se ndër përparësitë e Presidencës kroate përfshihet Bashkimi Evropian, Brexit, konferenca për të ardhmen e Evropës, por edhe zgjerimi.
Ai shtoi se ministri gjerman i shtetit për çështjet europiane Michael Roth, deklaroi se Gjermania do ta mbështesë Presidencën kroate, në mënyrë që të arrihet një konsensus mes vendeve anëtare deri në Samitin e marsit.
“Përparësia e dytë e madhe e Presidencës kroate do të jetë me siguri dërgimi i mesazhit se sa seriozisht do ta marrim perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit. Ne shpresojmë që në mars të mund të marrim përfundimisht vendimin që do duhej të ishte marrë për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Do ta ndihmojmë në të gjitha mënyrat Presidencën kroate, në mënyrë që të gjejmë konsensus në Këshill e që të bëjmë të mundur që BE të mbajë fjalën”, – tha z. Roth.
Bunguri dha më tej detaje nga konferenca për përparësitë e njohura të Kombeve të Bashkuara për zhvillimin, ku është i pranishëm zv. kryeministri i RMV, Bujar Osmani. Në këtë konferencë është bërë një studim nga Maqedonia e Veriut se çfarë impakti do të kishte procesi i anëtarësimit dhe çfarë do të ndodhte në Maqedoninë e Veriut nëse ky proces nuk do të zhvillohej.
Në një intervistë për Euronews Albania, zv. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani tha se vëmendja RMV është kthyer nga samiti i marsit, por se tashmë po tregohet më shumë kujdes me premtimet e dhëna.
“Gjithandej marrim mesazhe pozitive. Të njëjtat i merrnim edhe para samitit të tetorit. Prandaj, jam optimist i kujdesshëm. Mendoj se po shkojmë në drejtim të duhur. Mirëpo po i lë të gjitha mundësitë e hapura,” deklaroi z. Osmani për gazetarin Ernest Bunguri.
Në mbrëmje kryeministri Edi Rama do të takohet me presidenten e Komisionit, Von der Leyen, për Konferencën e Donatorëve, por edhe për ecurinë e reformave në Shqipëri.