Partia Laburiste në Maltë zgjodhi Robert Abela si liderin e saj të ri. Abela do të zëvendësojë kështu kryeministrin Xhozef Muskat, që njoftoi dorëheqjen në lidhje me vrasjen e gazetares anti-korrupsion, Dafne Karuana Galicia.
Rreth 17 mijë e 500 anëtarë të Partisë Laburiste ishin thirrur për të zgjedhur mes dy konkurrentëve, zëvendëskryeministrin Kris Fearne dhe 42-vjeçarin Abela. Fituesi do të bëhet automatikisht kryeministri i ri i Maltës.
“Sot nuk fitoj unë, as rivali im. Sot kemi vetëm një fitues, uniteti në radhët e Partisë Laburiste dhe unë zotohem se do ta çoj këtë unitet në nivel kombëtar dhe do të punoj në të mirë të vendit”, tha Robert Abela, kryeministri i ri i Maltës.
Të dy kandidatët pranuan se javët e fundit kishin qenë të vështira për vendin, duke kritikuar Muskat, por dhe duke u zotuar se do të punojnë për ripërtëritjen e besimit tek Malta jashtë dhe brenda vendit.
Muskat ka deklaruar se do të dorëhiqet menjëherë pas zgjedhjes së liderit të ri.