Një gomone me 91 emigrantë, e nisur nga Libia drejt Europës, duket se ka humbur në Mesdhe, ka lajmëruar të enjten agjencia e refugjatëve e Kombeve të Bashkuara.
Gomonia kishte kryesisht emigrantë nga Afrika dhe ishte nisur rreth 50 kilometra pranë Tripolit më 8 shkurt, tregon Osman Haroun, i afërmi i të cilit ishte në bord.
Ai nuk ka folur me të afërmin e tij, 27 vjeçarin Mohamed Idris apo me10 miqtë e tij të tjerë që gjithashtu ndodheshin në bord që nga nisja e tyre.
Lajmi për zhdukjen e gomones vjen në mes të kritikave për mungesën e misioneve të shpëtimit nga Bashkimi Europian në detin Mesdhe.
Vendet anëtare ranë dakord më herët gjatë kësaj jave që t’i jepnin fund një operacioni kundër trafikantëve të refugjatëve përmes mbikëqyrjes ajrore dhe vendosën që të dërgojnë anije ushtarake për tu përqendruar në embargon e armëve që konsiderohet si një element kyç për t’i dhënë fund luftës së egër që po ndodh në Libi.
Vijojnë kërkimet
Frontex, agjencia kufitare e BE-së, tha se kanë vënë në dispozicion një avion që po kërkon gomonen.
Alarm Phone, një organizatë që iu vjen në ndihmë refugjatëve në det që gjenden në rrezik , i bëri thirrje autoriteteve të Libisë, Maltës dhe Italisë që të shpërndanin informacionet për operacionet e shpëtimit të ditës së enjte pasi kishin dëgjuar për “rrënojat e një anije të padukshme”.
[twitter_feed=https://twitter.com/alarm_phone/status/1230400735680106496]
Ata thanë se një gomone e zezë me 91 persona në bord, kryesisht nga Sudani, Nigeri, Irani dhe Mali, telefonoi organizatën e tyre pasi ishin në rrezik rreth orës 3 pas mesnatës së 9 shkurtit. Pasagjerët kanë arritur t’i japin dhe koordinatat e tyre në momentin që ndodheshin në ujërat ndërkombëtarë në veri të Libisë.
Më pas ata ia kanë kaluar këtë informacion autoriteteve italiane dhe atyre malteze si dhe rojeve bregdetare të Libisë, një forcë e stërvitur nga BE-ja që është kritikuar shumë nga grupet e të drejtave të njeriut, e cila patrullon ujërat mesdhetare dhe kap emigrantët për t’i ndaluar vajtjen në brigjet e Europës.
Rojeve bregdetare të Libisë iu desh pesë orë që t’i përgjigjen kërkesës urgjente të Alarm Phone dhe thanë se kishin dërguar dy anije për të kërkuar gomonen, por nuk kanë dhënë prova për këtë.
Alarm Phone ka humbur kontaktet me anijen dy orë më pas, kur dëgjuan se emigrantët ishin të trembur pasi motori kishte ndaluar së punuari dhe disa prej tyre kishin rënë në det ndërkohë që gomonia po mbushej me ujë.
Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin ka kontrolluar të dhënat nga Italia, Malta dhe Libia por nuk mundët të gjenin informacione që përputheshin me ato të gomones.
Autoritetet nuk u janë përgjigjur ende kërkesës së dërguar nga Alarm Phone të hënën.