Në një kohë kur Australia po kalon një krizë të paprecedentë nga zjarret, mijëra njerëz “pushtuan” rrugët e mbarë vendit duke kërkuar që politika t’i kushtojë më tepër vëmendje ndryshimeve të klimës.
Disa grupe organizuan evente në shumë qytete për të shprehur zemërimin e tyre me qeverinë australiane.
“Ky është një marshim për kriminelët, ajo që dua të them është se shumë njerëz kanë vuajtur, dhe shumë të tjerë vijojnë të vuajnë. Edhe bizneset do të vuajnë. Ajo që qeveria po bën është vërtet për të ardhur keq,”- u shpreh një protestuese.
Ndërsa një tjetër thotë se “Nëse është luftë, ne veprojmë me shpejtësi. Por kur bëhet fjalë për zjarre, për një arsye apo tjetrën, marrim me javë të tëra për tu përgatitur. Ne mund ta kishim ndaluar këtë para se të ndodhte”.
Demonstruesit nuk u mblodhën vetëm për të kërkuar veprim ndaj ndryshimit klimatik, por edhe për mënyrën se si qeveria australiane po e trajton krizën që ka përfshirë vendin prej disa muajsh tashmë.
Shumë prej tyre shprehen se qeveria nuk ka bërë aq sa duhet, duke përmendur edhe pushimet e kryeministrit Skot Morison në kohën kur situata në Australi po përkeqësohej.
Zjarret vijojnë të djegin shumë zona të vendit. Prej tyre kanë humbur jetën të paktën 27 persona që nga shtatori i 2019-ës, mbi 10 milionë hektarë tokë është djegur, më shumë se 2.300 shtëpi janë shkatërruar dhe përafërsisht 1 miliard kafshë janë zhdukur.
Të premten, në New South Wales dhe Viktoria, u lëshua një paralajmërim emergjence pasi priten erëra të forta ndërsa temperatura pritet të shënojnë mbi 40 gradë celsius.