ilirI ftuar në studion e Ilva Now në Euronews Albania, zv. ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, foli për rrethanat që sollën grevën e dhjetë punëtorëve të rafinerisë në Ballsh si dhe për konfliktin midis kompanisë Bankers dhe kompanisë Tosk dhe Bylis.
Zv. ministri i Energjisë konfirmoi se shteti nuk ka asnjë përqindje teksa shtoi se “duke qenë se shteti ishte aksioner minimal, nuk kishte fuqi vetoje, por edhe vetë shteti ishte i humbur me 15 për qindëshin e tij”.
Sipas tij, kjo aferë e ka zanafillën nga “privatizimi i dështuar, i korruptuar në vitin 2008 nga Taçi Oil” kur kjo kompani i kishte mbajtur punëtorët e rafinerisë “për rreth 5 vite me rroga edhe pse në të vërtetë ata kanë punuar rreth 6 muaj”.
Më pas, ishte kompania Nazeri e cila gjithashtu rezultoi problematike duke financuar në të gjitha bankat e nivelit të dytë rreth 220 milionë dollarë, të cilat më pas nuk arritën t’i shlyejnë duke vënë dorë mbi pasuritë kolaterale të nxjerra në shitje.
Tashmë pronarët e vetëm të uzinës janë një firmë nga Azerbajxhani, Allume Energym, të cilët ia kanë dhënë me qira Tosk & Bulis, që punojnë në uzinë që nga prilli 2018.
Z. Bejtja fajësoi kryesisht kompaninë ARMO, që ka një borxh prej 17 pagash ndaj punëtorëve, të cilët i kanë hedhur në gjyq dhe e kanë fituar atë.
Ndër të tjera ai ia vuri fajin dhe disa prej punëtorëve dhe marrëdhënies që ata kanë krijuar me punëdhënësin e tyre duke thënë se “askush nuk punon 17 muaj pa ngrënë bukë”.
Zv/ministri theksoi se qeveria po përpiqet të ndërmjetësojë që punëtorët të marrin 3 pagat, që i kanë me Tosk & Bylis.
“Kanë për të marrë paga edhe sipas informacioneve që kemi, janë paga minimale të një periudhe që nuk kanë punuar, në muajt tetor, nëntor, dhjetor, kur janë paraqitur për ndonjë mirëmbajtje në uzinë”, tha ai.
Më tej zv/ministri shtoi se sipas punonjësve “janë 6 paga për të marrë nga Tosk & Bylis” dhe “kompania është angazhuar për t’i bërë depozitimin, sot të njërës pagë dhe brenda javës dhe dy të tjerave”.
Nga ana tjetër, kompania ka kërkuar mbështetjen e shtetit që të mos i krijojë pengesa sa i përket taksave në mënyrë që të paguhen pagat deri në datën 31 dhjetor.
Z. Bejtja u shpreh se është në interesin e shtetit që rafineria e Ballshit të vijojë punën dhe se firma Tosk & Bylis kanë ende një licencë për të vazhduar punën sipas marrëveshjes së tyre me Allum Energy.
Znj. Ilva Tare e pyeti dhe për problemin që firma Tosk & Bylis ka hasur pasi i duhet të nxjerrin 600 mijë tonë naftë në vit që të vazhdojë të funksionojë, ndërkohë që kompania Bankers nuk e furnizon me aq sa ka nevojë në muaj.
Sipas z. Bejtja, zgjidhja e këtij problemi është të ulen në një tryezë me Bankers. Ai përmendi se shteti ka ndërmjetësuar një takim të tillë, por se në fund të fundit i takon dy kompanive që të arrijnë në një marrëveshje.
“Nuk mund të detyrojmë askënd të lidhë marrëveshje, i japim çfarëdo ndihme, por kurrsesi të punojnë bashkë. Ata duhet të merren vesh vetë, ka shumë prodhues nafte, por edhe Bankers duhet të jetë më mendjehapur, ndërkohë që edhe pala tjetër nuk mund të jetë e varur vetëm nga Bankers”, – tha zv. ministri.
Sipas parimeve të tregtisë së lirë, z. Bejtja theksoi se këto janë elementë ku shteti nuk mund të ndërhyjë pasi “Tregu është vetë rregullator, për sasi, për cilësi, për marrëdhënie, për të drejta, për detyrime, për çmim”.