Autoritetet zvicerane i kanë dhënë dritën jeshile një projekti pilot i cili do të lejojë shitjen e kanabisit për përdorim vetjak.
Ky projekt, i aprovuar ditën e djeshme, do t’i lejojë disa qindra banorëve mbi 18 vjeç në qytetin e Bazelit, që të blejnë kanabis në farmaci pa qenë nevoja e një recete nga mjeku.
Projekti do të nisë në fund të verës 2022 dhe do të përfshijë pushtetin vendor, Universitetin e Bazelit dhe Klinikat Psikiatrike Universitare të këtij qyteti.
Të interesuarit do të kenë mundësi të aplikojnë për t’u bërë pjesë e këtij projekti por atyre do t’iu duhet të bien dakord që të bëhen pjesë e një studimi që do të zgjasë 2.5 vite.
Gjatë kësaj kohe ata do të jenë të detyruar të paraqiten rregullisht në disa klinika ku do të duhet t’i përgjigjen pyetjeve të cilat kanë qëllim të shohin efektet e kësaj substance në gjendjen e tyre emocionale si dhe shëndetin e tyre fizik dhe mendor.
Kultivimi dhe shitja e kanabisit për momentin është e ndalur me ligj në Zvicër, ama Autoriteti Shëndetësor Zviceran pranoi se konsumimi i kësaj droge është i përhapur në masë në këtë shtet.
Ata gjithashtu vunë re ekzistencën e një tregu të zi mjaft problematik i cili i përgjigjet kërkesës së konsumatorëve për këtë drogë dhe ky fakt i bashkëngjitet gjetjeve të një sondazhi të bërë së fundmi i cili tregoi se shumica e zviceranëve janë në favor të rishikimit të politikave të kanabisit nga qeveria zvicerane.
Mbetet për t’u parë se sa efekt do të ketë ky projekt 2.5 vjeçar dhe nëse ai do të pasohet nga legalizimi i kanabisit për përdorim rekreativ në Zvicër.
LEXONI GJITHASHTU:
- Rama lë të hapur mundësinë e legalizimit të kanabisit për përdorim vetjak
- Bushati: Zgjedhja e presidentit, edhe më tallëse se anketimi për kanabisin
- Deputetët që janë kundër legalizimit të kanabisit për përdorim vetjak