Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri thotë se distancimi shoqëror është mjeti më i fuqishëm për të kapërcyer krizën e coronavirusit. Duke vlerësuar qytetarët për bashkëpunimin në zbatimin e masave të vendosura nga qeveria, OBSH në Tiranë gjithashtu shpreh vlerësim për mjekët.
“Në shpërthimin e tanishëm epidemik të COVID-19, Zyra e OBSh-së në Shqipëri dëshiron të shprehë vlerësimin dhe mirënjohjen ndaj punonjësve të Shëndetit në Shqipëri, për angazhimin dhe përkushtimin e tyre ndaj qytetarëve në këto kohë të vështira. OBSh-ja dëshiron gjithashtu të përgëzojë qytetarët shqiptarë për bashkëpunimin në zbatimin e masave të marra nga Qeveria për të siguruar distancimin shoqëror. Këto masa janë tanimë mjeti më i fuqishëm që, të gjithë bashkë, kemi për të kapërcyer këtë krizë.”, thuhet në deklaratë.
Zyra e OBSH-së nënvizon më tej se në bashkëpunim me Ministria e Shëndetësisë po sigurohet që masat e marra janë në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Nisur edhe nga fakti se shumë qytetarë që shprehin vullnetin për të kryer testin e COVID-19, marrin përgjigje negative nga autoritetet, OBSH sqaron se një testim i tillë kryhet mbi bazën e disa vlerësimeve paraprake.
“Zyra e OBSh-së në Shqipëri po punon duke u koordinuar ngushtësisht me Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të siguruar që vendimet e marra të jenë në përputhje me rekomandimet e OBSh-së. Në këtë drejtim, ne duam të theksojmë se vendimi për t’u testuar për COVID-19 duhet të bazohet në faktorë klinikë dhe epidemiologjikë, dhe që janë të ndërlidhur me një vlerësim të mundësisë për t’u infektuar. Testimi PCR i kontakteve asimptomatike ose lehtësisht simptomatike mund të konsiderohet në vlerësimin e individëve që kanë pasur kontakt me një rast COVID-19. Protokollet e depistimit duhet të përshtaten me situatën lokale”, përfundon deklarata.