Forcat Izraelite, që veprojnë në Bregun e uzurpuar Perëndimor, kanë vrarë së paku tetë palestinezë në 24 orët e fundit, thanë të dielën zyrtarët shëndetësorë palestinezë.
Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur dukshëm pas sulmit të Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor në Izrael, e cila e nxiti një luftë shkatërruese në Rripin e Gazës.
Forcat izraelite i kanë vrarë dhjetëra palestinezë dhe i kanë arrestuar qindra të tjerë në Bregun Perëndimor. Ardhësit hebre në Bregun Perëndimor i kanë shpeshtuar sulmet, po ashtu.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se pesë palestinezë u vranë në bastionin militant, Xhenin, ndërsa tre të tjerë u vranë në zona të ndryshme të Bregut Perëndimor prej mëngjesit të së shtunës.
Njëri nga të vrarët, në qendër të Bregut Perëndimor, ishte adoleshent, sipas kësaj Ministrie.
LEXONI GJITHASHTU:
- Dita e tretë e armëpushimit, Hamasi liron grupin e dytë të pengjeve
- U liruan nga Hamasi pas marrëveshjes, 8 pengje izraelitë mbërrijnë në spital