Live Blog: Joe Biden shpallet Presidenti i Shteteve të Bashkura
Mbërrin momenti i zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Donald Trump dhe Joe Biden u duhen 270 vota nga Kolegji Elektoral për t’u zgjedhur president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara.
17:29
Joe Biden shpallet Presidenti i Shteteve të Bashkura
Pas përfundimit të numërimit të votave në Pensilvani, Joe Biden është zyrtarisht Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.
Ai ka marrë 20 votat elektorale të këtij shteti duke tejkaluar kështu pragun prej 270 votash të nevojshme për shpallur president i SHBA.
16:08
Ish-kryeministri danez i tregon Trump “rrugën e duhur” për t’u larguar nga detyra
Ish-kryeministri i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, i ka treguar Presidentit Donald Trump “rrugën e duhur për t’u larguar nga detyra”.
Rasmussen dha dorëheqjen në 2019 pasi humbi në zgjedhjet e përgjithshme.
@realDonaldTrump. Just a little piece of advice… This is the right way to leave office with honor once you have lost election. Thanks for honest conversations over the last 4 years. Let’s keep in touch.
Best regards. Lars Løkke Rasmussen, former Prime Minister of Denmark. pic.twitter.com/daNQWml11n— Lars Løkke Rasmussen (@larsloekke) November 6, 2020
“Thjesht një këshillë të vogël… Kjo është mënyra e duhur si të largohesh nga zyra, me nder, pasi ke humbur zgjedhjet. Falemnderit për bisedat e ndershme të këtyre katër viteve. Le të qëndrojmë në kontakt”, shkruan ish kryeministri në Twitter.
Presidenti Donald Trump ka thënë vazhdimisht se do të kërkojë që verdiktin e rezultatit të zgjedhjeve ta japë Gjykata Supreme.
Stafi elektoral i Trump ka paditur shtetet e Xhorxhias, Pensilvanisë dhe Miçiganit për manipulim elektoral.
15:35
Donald Trump sulmon Pensilvanian me një lum statusesh në Twitter
Presidenti Donald Trump ka lëshuar një sërë akuzash në Tëitter ku pretendon se mbikëqyrësit Republikanë të votave nuk po lejohen të ruajnë procesin e numërimit në Pensilvani dhe disa shtete të tjera kritike.
Disa prej statuseve janë censuruar nga Twitter, për shkak se “përmbajtja mund të jetë dezinformuese”, Trump tha se dritaret dhomave të numërimit janë mbuluar me “copa kartoni të trasha” ndërsa dyert “janë bllokuar me traktorë”.
Ai tha se “dhjetëra mijëra” vota kanë mbërritur pas ditës së zgjedhjeve duke “ndryshuar plotësisht dhe me shumë lehtësi rezultatin në Pensilvani dhe shtetet e tjera të fushëbetejës”.
Në Pensilvani po vazhdon numërimi i votave, ndërsa Joe Biden po kryeson me afro 0.4 për qind.
14:54
Joe Biden është rrugës drejt fitores, thotë Senatori Bernie Sanders
Senatori Vermontit, Bernie Sanders, tha se demokrati Joe Biden duket se është drejt fitores në shtetet kyçe dhe së zgjedhurit si presidenti i ardhshëm.
“Zgjedhja ishte midis dhënies fund të gënjeshtrave patologjike në Shtëpinë e Bardhë dhe rimarrjes së demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendin tonë”, tha Sanders i cili ka garuar gjatë primareve.
Biden kryeson në katër shtete fushëbeteje por ende nuk është shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, pasi ka ende vota për t’u numëruar.
“Përpjekjet tona nuk kanë mbaruar, ato sapo kanë nisur”, shtoi Sanders. Ai tha se demokratët duhet të fitojnë dhe dy postet në Senat në Xhorxhia.
Sanders ka thënë gjithashtu se do të prezantojë agjendën e re në Senat e cila do të jetë kryesisht mbi zgjidhjen e një sërë krizash që po kalon vendi.
13:53
Çfarë janë votat e përkohshme dhe a po e vonojnë ato rezultatin e zgjedhjeve?
Votat e përkohshme cilësohen ato vota kur është në pikëpyetje nëse personi ka të drejtën e votimit.
Kjo mund të ndodhë për një sërë arsyesh, për shembull kur personi nuk është në listën e votuesve, nëse karta e identitetit nuk përputhet me shtetin nga ku është votuar, ose nëse është dërguar me postë por nuk është pranuar.
Në Pensilvani, do të vendoset nëse vota e përkohshme është e vlefshme 7 ditë pas zgjedhjeve.
Ky proces verifikimi mund të zgjasë më shumë.
Në Arizona janë rreth 15 mijë vota të përkohshme për t’u numëruar, ndërsa në qarkun Klark të Nevadës janë afro 60 mijë.
12:29
Pensilvania ka përditësuar shifrat më të fundit të votave, ku Biden është në avantazh ndaj Trump e nëse kjo vazhdon ai do të mund të marrë 20 votat elektorale që duhen për të mbërritur në Shtëpinë e Bardhë.
Numërimi i votave në Filadelfia dhe Alegeni, një qark i cili ka një numër të lartë votash, do të nisë për afro një orë.
Aktualisht, Biden po kryeson me 0.4 për qind e nëse ai arrin në 0.5 për qind atëherë shmang pragun që kërkon rinumërimin e votave.
11:34
Një përmbledhje e shifrave në disa shtete kyçe ku Biden dhe Trump po luftojnë për presidencën
Të shtunën në mëngjes, Biden ishte në përparësi në Pensilvani me mbi 27 mijë vota dhe në Nevada me 22 mijë.
Ndërsa në Xhorxhia, edhe pse Demokrati është në avantazh, ka një diferencë prej vetëm 4 mijë votash në një shtet që ka votuar tradicionalisht për Republikanët.
Biden ka aktualisht 264 vota elektorale dhe nëse fiton në Nevada ai do të kapë 270 votat e nevojshme për të fituar.
Por numërimi në Nevada po merr shumë kohë, me vetëm 87 për qind të votave të raportuara.
Një rrugë më e shkurtër për Biden drejt presidencës do të ishte përmes fitores së Pensilvanisë, e cila ka numëruar 99 për qind të votave dhe ka 20 vota elektorale.
08:49
Donald Trump ka thënë vazhdimisht se kërkon që Gjykata Supreme, ku ai ka emëruar tre gjykatës, të vendosë për rezultatin e zgjedhjeve.
Në 2000 ka qenë Gjykata Supreme që ka vendosur për rezultatin e zgjedhjeve, duke votuar 5-4 për George W.Bush që ishte në garë kundër kandidatit demokrat Al Gore.
Asokohe, vendimi ishte vetëm për shtetin e Floridas kur Bush fitoi me rreth 500 vota më shumë, ndërsa në rastin e sotëm Biden është në avantazh në Pensilvani, Xhorxhia, Nevada, Uiskonsin dhe Arizona.
E vetmja çështje që është dërguar në Gjykatën Supreme për zgjedhjet e 2020 është apeli i Republikanëve për të përjashtuar votat që kanë mbërritur pas ditës së zgjedhjeve në Pensilvani, por Biden mund të fitojë në këtë shtet edhe pa to.
Mund të jetë e mundur që thirrja për ndërhyrjen e Gjykatës Supreme të jetë vetëm një formë propagande e krijuar nga stafi elektoral i Trump, më shumë se një përpjekje reale për të fituar zgjedhjet.
Menaxheri i fushatës së Trump, Bill Stepien, tha të enjten se “çdo natë presidenti shkon për të fjetur duke qenë në përparësi” dhe çdo natë vota të reja “shfaqen në mënyrë misterioze”.
Vërshimi i këtyre çështjeve ligjore, mund të jetë i dobishëm për të justifikuar pretendimet e pabaza se Shtetet e Bashkuara ranë pre e mashtrimit elektoral.
06:55
Shefi i Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë rezulton pozitiv me COVID-19
Shefi i Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, i cili është shfaqur shpesh në evente publike pa mbajtur maskë, është diagnostikuar me COVID-19.
Meadows, këshilltar i lartë i Trump dhe ish-ligjvënës i Karolinës së Veriut, e ka shoqëruar presidentin rregullisht gjatë ditëve të fundit të fushatës.
Trump e ka nënvlerësuar shpesh ashpërsinë e virusit teksa kohët e fundit edhe në Shtetet e Bashkuara ka pasur një rritje të konsiderueshme të rasteve të reja.
05:11
Nuk jemi armiq, jemi amerikanë, deklaron Biden gjatë fjalimit
Në fjalimin nga e bërë nga vendlindja e tij në Uilmington, Biden i ka bërë thirrje mbështetësve të tij për unitet.
“Do ta fitojmë garën me një shumicë të dukshme”, iu tha ai mbështetësve.
Teksa ka pranuar që procesi i numërimit të votave ka “ngrirë” herë pas here, ai tha se çdo votë përfaqëson burrat e gratë e kombit që i kanë dhënë atij dhe Kamala Harris “mandatin për të vepruar” për ndryshimet klimatike, pandeminë, ekonominë, racizmin sistematik, etj.
“Populli ka folur, mbi 74 milionë amerikanë, kanë folur qartë për biletën tonë drejt Shtëpisë së Bardhë”, tha ai.
Biden nuk e ka përmendur Trump në mënyrë të drejtpërdrejt por la të nënkuptohej se administrata e ardhshme do të ndryshonte drejtim.
Teksa ka pranuar që është në rrugën drejt fitores, tema thelbësore e fjalimit ishte në bashkimin e amerikanëve.
“Po vërtetojmë sërish atë që kemi vërtetuar për 244 vjet në këtë vend: demokracia funksionon. Vota juaj do të numërohet”, tha ai. “Mund të jemi kundërshtare, por nuk jemi armiq. Ne jemi amerikanë”.
01:13
Përse po zgjatet kaq shumë numërimi i votave në Nevada?
Nevada po kritikohet se po merr shumë kohë për të numëruar fletëvotimet duke u kthyer së fundmi dhe në objekt humori në rrjetet sociale.
America: We’d like to have election results today
Nevada: pic.twitter.com/5TNyTRtg3K
— wittyidiot (@stephenszczerba) November 5, 2020
Zyrtarët e shtetit thonë se po përqendrohen që procesi të jetë sa më i saktë pas një prurje masive votash me postë.
“E kemi deklaruar që më parë që rezultati mund të kërkojë të paktën 10 ditë”, tha zëdhënësja e Sekretarit të Shtetit Jennifer A. Russell.
Në gusht, shteti miratoi një ligj që do të lejonte të gjithë votuesit aktivë që të dërgonin votat e tyre me postë me shpresën për të mos u bërë shkak për përhapjen e COVID-19.
Votat që datojnë në ditën e zgjedhjeve do të quhen të rregullta edhe nëse ato mbërrijnë deri në 7 ditë pas 3 nëntorit, pra të martën.
00:59
Përditësimi i rezultateve në disa shtete kyçe
Nevada:
Joe Biden vazhdon të kryesojë në këtë shtet, duke përfshirë dhe votat nga qarku Klark, ku bën pjesë dhe Las Vegas. Demokrati ka marrë afro 2.500 vota në Las Vegas duke dalë në me 22.657 kundër Donald Trump.
Pensilvania:
Sipas përllogaritjeve, Biden po kryeson me 16.784 vota. Raportohet se janë ende mbi 100 mijë fletëvotime të dërguara me postë që mbeten për t’u numëruar dhe 100 mijë të tjera që kanë nevojë të rishikohen nëse janë të rregullta.
Megjithatë, Biden vazhdon të jetë në përparësi në këtë shtet.
Arizona:
Janë përditësuar edhe të dhënat nga Arizona, shtet i cili tradicionalisht ka anuar nga Republikanët por duket se këtë herë është kthyer nga Demokratët.
Parashikohet se shteti do të kthehet në blu për Biden, sipas AP dhe Fox News por vijon ende numërimi votave.
00:21
Trump i bën thirrje Biden në Twitter që të mos “shpallë gabimisht” fitoren e presidencës
Teksa rezultati i votave po thellohet në favor të kundërshtarit të tij në disa prej shteteve kyçe, presidenti Donald Trump ka reaguar në Twitter duke paralajmëruar Biden që “mos të përvetësojë gabimisht zyrën e presidentit”.
Trump deklaron se ka planifikuar që të çojë rezultatin e zgjedhjeve në gjyq.
Joe Biden should not wrongfully claim the office of the President. I could make that claim also. Legal proceedings are just now beginning!
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) November 6, 2020
Kandidati demokrat pritet t’i drejtohet popullit më vonë.
23:37
Kandidatja për zv-presidente, Kamala Harris, pritet të marrë fjalën përpara Biden
Joe Biden pritet të mbajë një fjalim më vonë gjatë natës për situatën e zgjedhjeve, por përpara tij pritet të marrë fjalën Kamala Harris.
Harris është shfaqur përkrah Biden në fjalimet e tij të ditëve të fundit por nuk ka dhënë ndonjë deklaratë publike për situatën elektorale.
Kanë qenë zyrtarët e fushatës së Biden që kanë konfirmuar se ajo do të mbajë një fjalim përpara Biden, raporton AP.
22:08
Agjencia e sigurisë kibernatike reagon pas pretendimeve për manipulimin e zgjedhjeve
Agjencia e Sigurisë Kibernitike dhe Sigurisë së Infrastrukturës të Shteteve të Bashkuara, e cila mbikëqyr mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ka reaguar pas disa aludimeve të pabaza për manipulimin e zgjedhjeve.
Në një postim të titulluar “PROTECT2020 RUMOR VS. REALITY” (Mbrojtja e 2020 Gojëdhëna kundër Realitetit), agjencia nuk ka përmendur specifikisht presidentin Donald Trump i cili, pa pasur prova, ka akuzuar se zgjedhjet nuk po mbahen në mënyrë të drejtë.
Sipas agjencisë, zyrat lokale të zgjedhjeve kanë pajisje detektuese që “e bëjnë shumë të vështirë manipulimin e zgjedhjeve”.
CISA tha se po i kundërpërgjigjej disa gojëdhënave për rolin e Departamentit “Homeland Security” për printimin e fletëvotimeve dhe auditimin e rezultateve.
Agjencia nuk ka të bëjë me printimin e fletëvotimeve, CISA kryesisht ndihmon departamentet vendore e shtetërore për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike.
Ata theksuan gjithashtu se sistemi dhe procesi elektoral që tabulojnë votat dhe certifikojnë rezultatin “janë të mbrojtura nga një sërë masash që ndihmojnë në sigurimin e përpikërisë së rezultatit të zgjedhjeve”.
Numërimi i fletëvotimeve po zgjat më shumë se zakonisht këtë vit kryesisht prej pandemisë dhe numrit të lartë të votave të dërguara me postë.
20:44
Stafi elektoral i Trump publikoi një deklaratë në emër të Trump gjatë së premtes.
“Ne besojmë që populli amerikan meriton të ketë transparencë të plotë për numërimin e votave dhe certifikimin e zgjedhjeve”.
Arrestohen dy persona të armatosur jashtë qendrës së numërimit të votave në Filadelfia
Policia tha se ka arrestuar dy persona pranë një qendre votimi në Filadelfia.
Dy të arrestuarit vinin nga shteti i Virxhinias dhe kishin një stiker në makinën e tyre me stemën Q-Anon, teori konspirative e të djathtës ekstreme që pretendon se bota po sundohet nga rrjet pedofilësh që besojnë në djall dhe kundër presidentit Trump.
20:07
Fushata e Trump thotë se amerikanët “meritojnë transparencë të plotë”
Një ditë pasi Trump hodhi aludimet se po numërohen vota të “paligjshme” për të vjedhur zgjedhjet, fushata e tij ka nxjerrë një deklaratë ku thuhet se ai e kishte fjalën për “integritetin e zgjedhjeve”.
Të shumtë kanë qenë ata që e kanë kritikuar Trump mbi pretendimet e tij, përfshi këtu dhe anëtarë të vetë partisë së tij.
Republikanët kanë përsëritur disa herë që duhen numëruar vetëm “votat e rregullta” ndërsa kanë paditur disa shtete mbi kohën kur janë marrë fletëvotimet e dërguara me postë.
Stafi elektoral i Trump publikoi një deklaratë në emër të Trump gjatë së premtes.
“Ne besojmë që populli amerikan meriton të ketë transparencë të plotë për numërimin e votave dhe certifikimin e zgjedhjeve”.
19:39
Joe Biden pritet të mbajë fjalim
Biden pritet të mbajë fjalim më vonë gjatë së premtes, raporton AP.
Për shkak të ndryshimit të orarit, fjalimi mund të jetë rreth mesnatës.
Edhe pse ka ende vota për t’u numëruar, Biden është në avantazh në disa shtete kyçe dhe Demokratët thotë se ndihen të sigurt që ai do të mund të fitojë zgjedhjet.
19:24
Kryebashkiaku i Filadelfias thotë që Trump duhet të “fillojë të sillet si i rritur”
“Të them të drejtën mendoj që ajo që duhet të bëj presidenti është që të filloj të sillet si i rritur. Ai duhet të pranojë faktin që humbi”, tha kryetari i bashkisë së Filadelfias, Jim Kenney.
Gara presidenciale nuk ka përfunduar ende dhe deklarata e Kenney u bë gjatë një konference për shtyp për përditësimin e numrit të votave.
Filadelfia ka numëruar mbi 690,360 vota, tha komisioneri i zgjedhjeve të qytetit.
19:19
Qarku Klark në Nevada pritet të raportojë rezultatin e 63 mijë votave në ditët e ardhshme
Qarku Klark në shtetin e Nevadës ka edhe 63 mijë për të numëruar. Komisioneri i këtij qarku është shprehur se procesi i verifikimit të votave që janë dërguar me postë ka qenë mjaft i gjatë pasi duheshin ndërmarrë një sërë hapash.
“Procesi nuk mund të shpejtohet, do vazhdojmë të numërojmë çdo votë”, tha Joe Gloria. Ai ka konfirmuar se do të kenë numëruar shumicën deri të dielën.
“Prioriteti ynë është të jemi sa më të saktë në atë që po bëjmë”, tha Gloria.
Joe Biden aktualisht po kryeson kundër Donald Trump në Nevada me rreth 20 mijë vota.
18:52
Senatori Republikan Mitt Romney thotë se Trump u gabua kur tha se “janë vjedhur zgjedhjet”
Senatori i Juta, Mitt Romney, tha se Presidenti Donald Trump “është në të drejtën e tij për të kërkuar rinumërim, për hetim të parregullsive aty ku ka prova dhe për të ezauruar të gjitha mekanizmat ligjore”.
Romney, i cili ka garuar më parë për president, tha se megjithatë presidenti ishte “gabim kur tha se zgjedhjet janë manipuluar, të korruptuara dhe të vjedhura”.
Senatori tha se kjo “dëmton lirinë në SHBA dhe gjetkë” dhe “cenon institucionet që janë gur themelet e Republikës”.
18:31
Pse është Pensilvania shtet kyç për garën presidenciale?
Me 20 vota elektorale, Pensilvania është çmimi më i madh nga pesë shtetet e mbetura në garën presidenciale.
Presidenti Donald Trump nuk do të mund të fitojë një mandat të dytë nëse nuk fiton në këtë shtet.
Deri më tani, Biden ka thelluar përparësinë, kryesisht prej votave të dërguara me postë të cilat janë numëruar më vonë.
Por, ashtu si dhe në shtetin e Xhorxhias, rregullorja e këtij shteti kërkon rinumërim e fletëvotimeve nëse diferenca midis dy kandidatëve është më pak ose e barabartë me 0.5 për qind të votave në total.
Pensilvania gjithashtu ka ndarë votat që kanë ardhur pas ditës së zgjedhjeve, për sa kohë ato datojnë 3 nëntor, për shkak të një çështjeje pezull në Gjykatën Supreme e cila do të vendosë nëse këto vota do të llogariten.
17:59
Biden aktualisht duke kryesuar në 4 nga 5 shtetet fushëbetejë
Biden po kryeson në Xhorxhia, Arizona, Nevada dhe Pensilvani.
Donald Trump është në avantazh në Karolinën e Veriut.
Të gjithë i kanë drejtuar sytë nga Pensilvania pasi me shumë gjatë do të jetë vendimtare për garën.
17:33
Këshilltari ekonomik i Trump: Mendoj se do ketë një ndryshim pushteti paqësor
Larry Kudlow tha se mendon që do të ketë një “ndryshim paqësor pushteti”.
Në një intervistë për CNBC, Drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar të SHBA tha se vendi do të ecë përpara “paqësisht ashtu siç ka ndodhur gjithmonë”.
“Ky është një vend i shkëlqyeshëm. Kjo është demokracia më e mirë në botë dhe ne i qëndrojmë rendit ligjor dhe kështu do të bëjë dhe presidenti”, shtoi Kudlow.
16:58
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi thotë se Biden do të jetë së shpejti presidenti në pritje
Nancy Pelosi, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, thotë se është e qartë se Biden dhe Harris kanë marrë biletën për në Shtëpinë e Bardhë.
Ajo e ka cilësuar si një “ditë të lumtur” për Shtetet e Bashkuara dhe tha se Biden do të jetë së shpejti presidenti në pritje i SHBA.
Ende nuk është shpallur fituesi i garës presidenciale.
Pelosi tha se Shtëpia e Përfaqësuesve po përgatitet për “një administratë të re me Biden”.
16:36
Xhorxhia, Sekretari i Shtetit thotë se do të ketë rinumërim të votave
Sekretari i Shtetit në Xhorxhia ka thënë se do të ketë rinumërim të votave për “tu siguruar që çdo votë është regjistruar saktë”.
“Fokusi për zyrën tonë mbetet që të sigurohemi se çdo votë e rregullt do të numërohet e regjistrohet në mënyrë të saktë”, tja Sekretari i Shtetit Brad Raffensperger.
Në Xhorxhia mbeten dhe 4.169 fletëvotime për t’u numëruar dhe rreth 8 mijë vota të ushtarëve që pritet të numërohen deri në fund të ditës.
“Pritshmëritë dhe emocionet janë në nivele shumë të larta nga të dyja palët”, tha Raffensperger.
Sekretari i Shtetit tha se diferenca do të jetë shumë e vogël midis kandidatëve çka sipas rregullores kërkon për rinumërimin e votave në këtë shtet.
16:22
Biden përparësi prej 7 mijë votash në Pensilvani, edhe 163 mijë fletëvotime për t’u numëruar
Joe Biden ka 6.826 vota më shumë në shtetin e Pensilvanisë por janë ende dhe 163 mijë fletëvotime për t’u numëruar.
Pensilvania ka 20 vota elektorale dhe po shihet me kujdes nga të dy krahët, pasi mund të jetë shteti vendimtar rezultatin e zgjedhjeve.
16:15
Stafi elektoral i Trump: Zgjedhjet nuk kanë mbaruar
Stafi elektoral i Trump kanë thënë se zgjedhjet nuk kanë mbaruar ende duke theksuar se pavarësisht përparësisë së Biden në shtetet fushëbetejë, “kjo nuk do të thotë që ai do të fitojë”.
Në një deklaratë për mediat, Matt Morgan, këshilltari i përgjithshëm i fushatës tha se kishte “parregullsi” në Pensilvani dhe mijëra vota të “pavlefshme” në Nevada.
Morgan tha për Fox News se Associated Press ka gabuar me dhënien e Arizonës për Biden.
15:40
Senatori Republikan thotë se fjalimi i Trump ishte “i vështirë për t’u parë”
Senatori Republikan Pat Toomey tha se fjalimi i Trump të enjten ishte “ i vështirë për t’u parë”.
“Aludimet e presidentit për mashtrim elektoral dhe vjedhje të votave janë të pavërtetuara”, tha Senatori i Pensilvanisë.
Toomey tha se rrugëtimi i Trump drejt fitores në Pensilvani është ende shumë i ngushtë. Ai tha se harku kohor i numërimit ishte shqetësues për shkak të një “sasie masive” votash të dërguara me postë, megjithatë ai përgëzoi zyrtaret e zgjedhjeve për “punën e shkëlqyer me numërimin e votave”.
15:11
Pse mediat kanë rezultate të ndryshme të numrit të votave në Arizona për Joe Biden?
Teksa të gjithë sytë janë fokusuar tek zgjedhjet presidenciale, disa kanë vënë re një mospërputhje të rezultatit të votave në media të ndryshme.
Disa media, si New York Times dhe NBC News raportojnë se Biden ka 253 vota elektorale, ndërsa të tjerë, përfshirë këtu Euronews, kanë raportuar se Biden ka në fakt 264.
Diferenca e rezultatit të votimeve është tek shteti i Arizonës ku Biden po kryeson me rreth 47 mijë vota.
15:10
Biden ka arritur një përparësi të lehtë në Pensilvani, shtet i cili i duhet Trump për t’u rizgjedhur.
Presidentit Donald Trump i duhen dhe 20 vota elektorale në Pensilvani në mënyrë që të fitojë mandatin e dytë.
Disa shtete kyçe kanë kaluar në krahun e Demokratëve gjatë mesnatës, duke përfshirë dhe qarkun Erie që ka votuar për Trump në 2016.
Biden po kryeson me 5.594 vota pas numërimit të fletëvotimeve në Filadelfia.
Trump ishte në përparësi me rreth 18 mijë vota përpara se të përditësoheshin shifrat e fundit.
Stafi elektoral i Trump ka ngritur një sërë padish, duke përfshirë dhe Filadelfian, me pretendimin se mbikëqyrësit e zgjedhjeve nuk janë lejuar që të ishin pranë mjaftueshëm sa për të mbikëqyrur procesin.
13:01
Mediat amerikane ndërpresin transmetimin e fjalimit të Trump nga Shtëpia e Bardhë
Tre mediat kreysore amerikane ABC, CBS dhe NBC ndërprenë transmetimin live të fjalimit të presidentit Trump të enjten teksa ai akuzonte për manipulim dhe vjedhje të votave, raportoi Associated Press.
“Na duhet ta ndërpresim transmetimin këtu, sepse presidenti ka thënë një sërë deklaratash të rreme, duke përshirë manipulimin e votave”, tha Lester Holt nga NBC. “Nuk kemi asnjë provë për deklaratat e tij”.
Pretendimet e Trump erdhën pasi gara mes dy kandidatëve u bë e ngushtë në disa nga shtetet kyçe si Xhorxhia dhe Pensilvani.
CNN dhe Fox Neës e transmetuan të gjithë fjalimin e presidentit amerikan.
Disa repulikanë i kanë mbështetur pretendimet e Trump, i cili më herët tha se nëse “do të numëroheshin vetëm votat e ligjshme” ai do të fitonte lehtësisht.
12:32
Luiziana ndryshon rregullat e abortit
Votuesit në shtetin e Luizianës aprovuan një ligj të ri, i cili thotë se asnjë pikë në kushtetutë nuk siguron të drejtën për abort apo për financimin e tij.
Kjo pikë u aprovua me 62% të votave.
Pyetja e hedhur për votim ishte: A e mbështesni ju një ndryshim që thotë se, për të mbrojtur jetën e njerëzve, e drejta për abort apo për financimin e tij nuk duhet të lejohet në Kushtetutën e Luizianës?
12:11
Biden kryeson në disa qarqe të Pensilvanisë
Kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë tani po kryeson në disa qarqe të Pensilvanisë, të cilët në vitin 2016 kanë votuar për Trump.
Trump fitoi në shtetin e Pensilvanisë në vitin 2016 dhe atij i duhet të fitojë edhe në vitin 2020 për t’u rizgjedhur si president i Shteteve të Bashkuara. Aktualisht Trump mban kryesinë e Pensilvanisë teksa janë numëruar rreth 97% e votave.
Shumë shtete në vend janë duke punuar gjatë natës për të përfunduar numërimin e votave të ardhura me postë.
11:54
“Unë do të fitoj lehtësisht”: Trump përsërit pretendimet e pabaza për manipulim të votave
Donald Trump Donald Trump vijon të theksojë se në procesin e numërimit ka manipulime dhe se nëse numërohen votat e ligjshme atëherë ai shpallet lehtësisht fitues.
Në një deklaratë për mediat nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Trump foli për 15 minuta dhe u largua pa iu përgjigjur asnjë pyetjeje, por në fund të fjalës së tij ai u zotua se sfida ligjore do të vijojë kudo ku konstatohet parregullsi në fletët e votimit.
“Nëse numëron votat e ligjshme, unë lehtësish fitoj. Qëllimi ynë është të mbrojmë integritetin e zgjedhjeve, ne nuk do të lejojmë që korrupsioni të vjedhë një zgjedhje kaq të rëndësishme. Nuk mund të lejojmë heshtjen”, tha presidenti Trump në fjalimin e tij.
Lexoni më shumë duke klikuar këtu.
11:50
Bulldogu francez emërohet kryebashkiak në një qytet të vogël të Kentakit
Një bulldog francez i quajtur Ëilbur është zgjedhur si kryebashkiaku i ri i një qyteti të vogël të quajtur Rabbit Hash, në Kentaki të SHBA.
Zgjedhja e tij është pjesë e një fushate bamirësie për Shoqrinë Historike të Rabbit Hash, dhe nukë shtë hera e parë që në komunitetin e tyre, të përbërë prej 426 personash, është zgjedhur një qen si kreybashkiak.
Katër kandidatët e tjerë qen do të jenë ambasadorë të qytetit.
10:53
Biden kryeson në Xhorxhia
Kandidati demokrat Joe Biden ka marrë kryesinë në shtetin e Xhorxhias duke e kaluar presidentin Trump me më pak se 1000. Ky shtet është thelbësor për të ardhmen e Shtëpisë së Bardhë në SHBA, pasi 99% e votave janë numëruar.
Të dy kandidatët kanë fituar rreth 2.45 milion vota në favorin e tyre, por raportimi i fundit e vendos Biden me përqindjen më të lartë 49.39%, ndërsa Trump me 49.37%.
Në rast se Biden fiton në shtetin e Xhorxhias, ai merr 16 vota elektorale
08:36
Mbikqyrësit e procesit të numërimit mohojnë pretendimet e dyshimta të Trump
idenZyrtarët e zgjedhjeve në shtetet kryesore të votimeve, kanë mohuar pretendimet nga fushata e Trump se mbikqyrësve repulikanë u ishte mohuar në mënyrë të parregullt hyrja për të vëzhguar numërimin e fletëve të votimit.
Ata thanë se rregullat po ndiqeshin të gjitha dhe se transparenca ishte e dukshme.
Zyrtarët thanë se ata po tregohen të kujdesshëm për të balancuar hyrjen në qendrat e votimit për të minimizuar çdo parregullsi që mund të haset.
Mbikqyrësit e procesit të numërimit kanë qenë qendra e akuza të disa betejave ligjore në Pensilvani, Miçigan dhe Nevada. Ndërsa numërimi në Miçigan ka mbaruar, puna vazhdon akoma në Pensilvani dhe Nevada ku të dy kandidatët kanë një diferencë të ngushtë mes njëri-tjetrit.
08:22
Numërimi i votave: rezultatet e së premtes në mëngjes
Xhorxhia: Kryesimi i Donald Trump në këtë shtet pothuajse është zhdukur. Raportimi i fundit i votave tregoi se diferenca mes kandidatëve ishte vetëm 1,700 vota. Është akoma shumë herët për të shpallur një rezultat final, pasi janë edhe shumë vota që do të mbërrijnë nga përtej oqeanit rreth orës 23:00, por duket se kjo valë votash është në krahun e Biden.
Pensilvania: Edhe në këtë shtet kryesimi i Trump është ngushtuar. Ai vazhdon të qëndrojë para me 26,000 vota, por raportime thonë se janë akoma rreth 100,000 vota të tjera për tu numëruar.
Arizona: Gara vazhdon të jetë e ngushtë në këtë shtet. Kandidati demokrat kryeson me 1.5 pikë ndaj Trump. Votat e tjera pritet të arrijnë rreth orës 18:00.
Nevada: Shteti perëndimor ka votuar më shumë për Biden, i cili kryeson me 11,000 vota. Por edhe në këtë shtet priten të vijnë votat e tjera rreth orës 18:00
04:14
Xhorxhia tani ndodhet në një barazim virtual
Diferenca mes dy kandidatëve në shtetin e Xhorxhias është shumë e ngushtë, me vetëm 1,902 vota diference. Trump vazhdon të kryesojë, por në vend janë edhe 16,000 vota për tu numëruar, sipas zyrtarëve të shtetit.
Megjithatë, rezultati përfundimtar nuk pritet së shpejti.
03:32
Raporti i fundit i votave në Arizona ngushton kryesinë e Biden
Rezultatet e fundit të numërimit të votave në Arizona i kanë dhënë presidentit Trump një shtysë, duke ngushtuar kryesinë e Joe Biden, i cili ishte para me 2.4 pikë, ndërsa tani ai qëndron me vetëm 1.5 pikë para. Vendi ka edhe 204,000 fletë votimi për të numëruar, sipas zyrtarëve të shtetit.
01:46
Rezultati në Xhorxhia është përafruar dhe më shumë me një diferencë prej afro 3 mijë votash, sipas të dhënave të fundit.
Janë ende rreth 40 mijë vota për t’u numëruar.
Nëse Biden ia del të përmbysë rezultatin në këtë shtet që tradicionalisht ka anuar nga Republikanët, kjo do të ishte hera e parë që nga 1992 që në këtë shtet fiton një kandidat presidencial Demokrat.
Gjithashtu fitorja do e përafronte edhe më tej me pragun prej 270 votash për të fituar Kolegjin Elektoral, apo vetëm një hap larg nga Shtëpia e Bardhë.
01:30
Disa minuta pas fjalimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, zv-presidenti Mike Pence tha në Twitter se i qëndron deklaratës së presidentit për sa i përket njohjes vetëm të votave të rregullta, apo atyre për të cilat votuesit janë paraqitur vetë në qendrat e zgjedhjeve.
I Stand With President @realDonaldTrump. We must count every LEGAL vote.
— Mike Pence (@Mike_Pence) November 6, 2020
00:49
Trump deklaratë nga Shtëpia e Bardhë për garën elektorale
Presidenti Donald Trump ka dalë në një deklaratë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë ku po komenton zhvillimet më të fundit mbi zgjedhjet, veçanërisht përmbysjen e rezultatit në disa shtete duke hedhur dyshime mbi votat e dërguara me postë.
Nga podiumi ai po flet me tone të ashpra duke përmendur një “valë të kuqe” që ka pushtuar vendin.
Ai gjithashtu thotë se ka fituar votat e ligjshme duke nënkuptuar që skepticizmin e tij ndaj votave të dërguara me postë për shkak të pandemisë COVID-19.
Ai ka vënë në pikëpyetje vërtetësinë e rezultateve duke i thënë mediave se nuk do të “zgjedhjet të vidhen për shkak të korrupsionit” apo “rezultateve të fabrikuara”.
Presidenti foli gjerësisht për një sërë parregullsish, veçanërisht në Miçigan, shtet të cilin ai tha se e ka fituat “ligjërisht”, por që iu dha Biden.
Në një fjalim disi të hallakatur pa shumë prova mbi pretendimet për manipulimin e zgjedhjeve, ai gjithashtu iu referua sondazheve para elektorale si sondazhe “shtypëse” të cilat kishin për qëllim që të linin mbështetësit e tij në shtëpi.
23:33
Disa qindra mijëra vota të mbetura për t’u numëruar në Pensilvani, thotë Sekretarja e Shtetit, Kathy Boockvar
Sekretarja e Shtetit Kathy Boockvar tha se kanë mbetur për t’u numëruar edhe disa qindra mijëra fletëvotime dhe se zyrtarët do të vazhdojnë numërimin deri në mbrëmje.
Ajo shtoi se punojnë me intensivitet për t’u siguruar se të gjitha votat po numërohen me saktësi.
Ajo ka reaguar dhe për akuzat për mashtrim elektoral duke thënë se i vetmi incident është raportuar disa javë më parë dhe se nuk ishte në dijeni për të tjera.
23:16
Si është situata në Pensilvani?
Sekretarja e Shtetit, Kathy Boockvar pritet të mbajë një konferencë për shtyp në orën 23:15
Fitorja në këtë shtet është e një rëndësie thelbësore për të dy kandidatët, por fitorja e Biden do i jepte atij 270 votat elektorale të nevojshme për të fituar.
Raportohet se Trump ka ngritur padi në Pensilvani duke kërkuar për më shumë akses në procesin e numërimit të votave.
22:35
Biden thirrje për “durim” gjatë fjalimit në Uilmington, Delauer
Joe Biden i ka bërë thirrje amerikanëve të durojnë pasi “çdo votë duhet numëruar”.
Kandidati Demokrat duket se gjendet më pranë Shtëpisë së Bardhë, pasi i duhet vetëm një shtet për të shpallur fitoren.
“Procesi po funksionon”, tha Biden për mbështetësit e tij.
21:40
Trump do të garojë sërish në 2024 nëse humb këtë vit, deklaron ish-shefi i kabinetit
Ish-shefi i kabinetit të Donald Trump tha për Euronews se pret që presidenti të kandidojë në 2024 në rast se humb zgjedhjet.
20:12
Pensilvani, Sekretarja e Shtetit konfirmon se mund të përfundojë që sot numërimi i votave
Sekretarja e Shtetit të Pensilvanisë, Kathy Boockvar, tha për CNN se më shumë mundësi “mund të mësojnë” rezultatin e votave të këtij shtetit gjatë fundit të ditës së sotme.
Ajo tha se kanë mbetur edhe 550 mijë vota për t’u procesuar, përfshi këtu edhe 100 mijë të Filadelfias e cila zakonisht voton më shumë për Demokratët.
“Mendoja se do arrinim të numëronim një shumicë dërrmuese deri nesër por mesa duket mund të ndodhë që sot”, tha Boockvar.
Pensilvania ka 20 vota në Kolegjin Elektorale dhe mund të jetë vendimtarë për të vendosur se kush do të fitojë presidencën.
19:38
Miçigan, gjykatësi rrëzon padinë e Trump
Një gjykatës i Miçiganit ka rrëzuar padinë e Trump ku pretendohej se nuk kishin akses të mjaftueshëm në numërimin e votave të dërguara me postë, raporton AP.
Padia synonte të çonte në gjykatë për votat Sekretarin e Shtetit të Miçiganit, por gjykatësi tha se Sekretari i Shtetit nuk ka kontroll mbi numërimin e votave.
19:03
Thellohet diferenca e votave në favor të Biden në Nevada
Duket se diferenca e votave në Nevada është thelluar dhe më shumë në Nevada.
Më parë, diferenca midis dy kandidatëve ishte më pak se 8 mijë vota, ndërsa tashmë është rreth 11.438 sipas Associated Press.
18:48
Protesta në Filadelfia, vijon numërimi i votave
Protestues të shumtë, si pro-Biden ashtu edhe pro-Trump, kanë dalë në demonstrata të enjten ndërkohë që shteti vijon të numërojë votat.
Pensilvania ka 20 vota elektorale dhe gara është ende shumë e ashpër mes dy kandidatëve që kanë një diference të vogël votash.
Janë disa shtete në SHBA ku po zhvillohen protesta por ende nuk është e qartë se kush do jetë rezultati i zgjedhjeve.

17:38
Stafi i fushatës së Biden presin fitoren: Paditë e Trump do të dështojnë
Menaxherja e fushatës së Joe Biden tha se presin që të fitojnë në Nevada dhe për rrjedhojë zgjedhjet presidenciale.
“Sipas pritshmërive tona, ashtu si në Nevada, rezultati do të përafrohet në Arizona”, tha menaxherja e fushatës së kandidatit demokrat Jen O’Malley Dillon.
Ajo tha se të dhëna favorizuese për Biden nga Nevada dhe Arizona do të vijnë më vonë gjatë natës ose të nesërmen.
Fushata e konsideron Xhorxhian si “thikë me dy presa” pasi ka ende një numër të konsiderueshëm votash të pa numëruara në qarqe që anojnë nga Demokratët.
Sipas O’Malley Dillon, shteti i Xhorxhias me shumë gjasa do i shkojë Biden, por qytetarët duhet të presin ende.
Fushata e konsideron Xhorxhian si “thikë me dy presa” pasi ka ende një numër të konsiderueshëm votash të pa numëruara në qarqe që anojnë nga Demokratët.
Këshilltari i fushatës Bob Bauer tha se padia nga fushata e elektorale të Trump është e “pakuptimtë” dhe tha se pretendimet për “mashtrim elektoral” janë pjesë e një “fushate dezinformimi”.
17:00
Xhorxhia, zëdhënësi i Sekretarit të Shtetit: Edhe 60 mijë vota për t’u numëruar
Gabriel Sterling, zëdhënësi i Sekretarit të Shtetit të Xhorxhias tha se kanë mbetur dhe 60 mijë vota për t’u numëruar.
Sipas tij, ajo që ka më shumë rëndësi është “përpikëria” sesa “shpejtësia” por shtoi se shpresojnë të mund t’i numërojnë të gjitha deri në fund të ditës.
“Një numërim i saktë dhe i drejtë është shumë më jetik sesa numërimi i shpejtë”, tha Sterling, duke shtuar se avantazhi do të jetë shumë i ngushtë.
Mbeten për t’u numëruar votat e 13 qarqeve, në disa prej të cilave po kryeson Biden, ndaj është e vështirë për të parashikuar rezultatin.
16:30
Trump bën thirrje që të ndalohet numërimi i votave të dërguara me postë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka bërë thirrje në Twitter që të “ndalohet votimi”, teksa shtetet nxitojnë të numërojnë votat e dërguara me postë.
STOP THE COUNT!
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) November 5, 2020
Presidenti ka insistuar se votat e dërguara me postë, të quajtura dhe votat në mungesë pasi votuesi nuk paraqitet në pikën e votimit, nuk janë të pranueshme edhe pse shumë shtetas amerikanë kanë dërguar votën me postë për shkak të pandemisë.
Mbështetësit e Trump kanë nisur protestat në Detroit të Miçiganit nën thirrjet “ndaloni numërimin” jashtë qendrave të votimit të mërkurën në mbrëmje.
Presidenti tha gjithashtu në Twitter se votat që mbërrijnë një ditë pas zgjedhjeve nuk do të numërohen, por postimi është sinjalizuar nga rrjeti social.
15:36
Arizona shihet gjerësisht si shteti kyç në garën elektorale
Sytë janë kthyer për nga shteti i Arizonës, e cila sipas Associated Press anon më shumë nga Joe Biden.
Të parët që njoftuan për avantazhin e Biden në Arizona ishin Fox News, media amerikane krahut të djathtë.
Sipas raportimeve kjo gjë e ka zemëruar Trump ndërsa gjatë transmetimit vetë prezantuesit e lajmeve e kanë vënë në pikëpyetje kryeredaktorin e tyre.
Kryeredaktori Arnon Mishkin tha se ishte “absolutisht i sigurt” për avantazhin dhe kërkoi ndjesë publikisht.
“Më vjen keq, presidenti nuk do t’ia dalë të sigurojë vota mjaftueshëm për të eliminuar avantazhin prej 7 pikësh me të cilin po kryeson ish-zv.presidenti”, tha Mishkin.
Shumica e mediave në SHBA nuk e kanë projektuar ende rezultatin e Arizonës, ku gara u bë më e nxehtë gjatë natës. Sipas AP midis Biden dhe Trump ka një diferencë prej 68.390 votash, ndërkohë që vazhdon numërimi i votave.
Shteti ka një elektorat Republikan besnik prej vitesh, por ndryshimet demografike kanë sjellë ndryshime në kahet politike.
15:11
Këshilltarët e fushatës së Trump thonë se do të padisin në gjykatë për të ndaluar numërimin e zgjedhjeve
Djali i presidentit Donald Trump ka akuzuar Demokratët për hile në Pensilvani teksa numërimi i votave ka vazhduar gjatë së mërkurës.
“Do të ngremë padi në Pensilvani, është e turpshme që na duhet ta bëjmë dhe është gjëja e fundit që donim të bënim. Por ky është korrupsion flagrant dhe nuk mund të ndodhë”, tha Eric Trump të mërkurën.
Republikanët kanë çuar edhe një çështje tjetër për numërim votash në Gjykatën Supreme.
13:33
Oregon bëhet shteti i parë në SHBA që dekriminalizon drogat e forta
Oregon është bërë shteti i parë në SHBA që ka dekriminalizuar drogat e forta si heroina, kokaina dhe metamfetamina.
Masa është votuar me një shumicë 58.69 për qind, njoftoi Sekretari i Shtetit të Oregonit.
Vendimi e kthen aktin nga vepër penale në një shkelje të lehtë e cila mund të gjobitet deri në $100.
Pjesë e vendimit është edhe krijimi i një fondi për trajtimin dhe rehabilitimin e përdoruesve përmes parave që do të përfitohen nga reduktimi i arrestimeve për këto vepra penale.
Kjo nuk është një metodë e padëgjuar për të trajtuar çështjen e varësisë ndaj drogës.
Portugalia ka dekriminalizuar drogat e forta në 2001, e cila ka rezultuar në një reduktim të vdekjeve nga përdorimi i drogës.
12:10
Zgjedhjet në SHBA janë njollosur nga përpjekjet për të cenuar besimin e popullit tek procesi elektoral, thonë mbikëqyrësit e zgjedhjeve nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE).
OSBE tha se mbikëqyrësit e zgjedhjeve në SHBA “ia kanë dalë të menaxhojnë situatën, pavarësisht vështirësive që ka sjellë pandemia COVID-19”.
Misioni ndërkombëtar shtoi se “fushata ishte e karakterizuar nga një polarizim i thellë politik që shpesh ka mbizotëruar mbi debatin për politikat publike dhe akuzave të paqena për mashtrime sistematike”.
OSBE tha se pandemia ka sjellë vështirësitë e veta por se dita e zgjedhjeve ka kaluar qetësisht.
Sipas tyre, disa dokumente specifike identifikimi kanë ndikuar tek disa grupe të shoqërisë dhe se financat e fushatës mbeten problem në SHBA.
Shpenzimet totale të këtyre zgjedhjeve mendohet se kanë kapur shifrën 14 miliardë dollarë, tha OSBE.
10:25
SHBA dhe BE “duhet të krijojnë një marrëdhënie të re”
Shtete e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duhet të krijojnë një “marrëdhënie të re transatlantike pas zgjedhjeve”, është shprehur ministri i Jashtëm francez.
“Ne tani na duhet të ndërtojmë një marrëdhënie të re transatlantike, një partneritet të ri”, tha Jean-Yves Le Drian, duke theksuar se Europa e kishte pohuar “sovrenitetin e SHBA për katër vite të tjera” ndërsa refuzoi të jepte një qëndrim mes dy kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë.
“Zgjedhja e presidentit i takon amerikanëve. Më pas ne duhet të punojmë me personalitetin e zgjedhur dhe me qeverinë e re amerikane, çfarëdo të jetë rezultati”, shtoi ai.
Marrëdhëniet e presidentit Trump me homologun e tij francez kanë pasur ulje-ngritje. Të dy presidentët në shumë raste janë paraqitur si të afërt me njëri-tjetrin, por në raste të tjera janë kundërshtuar duke përfshirë financimin e NATO-s dhe Marrëveshjen Klimatike të Parisit.
08:04
Mbështetësit e Trump të armatosur rëndë jashtë qendrës së numërimit në Arizona
Qendra e votimit në Marisopa të Arizonës ka falënderuar departamentin e policisë për ruajtjen e sigurisë ndërsa punonjësit vazhdojnë me numërimin e votave dhe jashtë qendrës, mbështetësit e Trump protestojnë të armatosur.
Departamenti posoti: Stafi i qendrës së votimit në Marisopa do vazhdojë të bëjë punën që u ëtshë ngarkuar, që është administrimi i zgjedhjeve në vendin e dytë më të madh në vend. Ne do të vazhdojmë të shpallim rezultatet sot në mbrëmje, siç ishte planifikuar.
Mbështetësit e Trump janë mbledhur jashtë ndërtesës për të protestuar dhe pretendojnë se votat po vidhen. Megjithatë, vëzhguesit e të dy partive kryesore politike qëndronin brenda qendrës zgjedhore ndërsa fletët e votimin numëroheshin dhe procedura transmetohej drejtpërdrejt në internet gjatë gjithë kohës.
04:52
Kongresi duket i ndarë
Zgjedhje e së martës nuk vendosnin vetëm për presidentin e ri të SHBA, por edhe për disa poste të tjera drejtuese në nivel kombëtar dhe shtetëror, përfshirë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin e SHBA.
Në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët janë drejt rrugës për të marrë kontrollin, por mazhoranca e tyre drejtuese duket se po tkurret. Disa spekulime vendosin në pikëpyetje edhe udhëheqjen e kryetares Nancy Pelosi.
Në Senat mungojnë edhe katër poste. Republikanet duken më afër fitores, pasi ata projektohet të ftojnë një vend në Alabama.
04:40
Mbështetësit e Trump kërkojnë që të ndalohet numërimi
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbahen protesta në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve.
Në Miçigan, mbështetësit e Trump u mblodhën jashtë një qendre votimi në Detroit duke u kërkuar zyrtarëve të ndalonin numërimin e votave.
Oficerët e policisë u rreshtuan jashtë qendrës për t’i ndalur protestuesit të futeshin brenda. 16 votat elektorale të Miçiganit, të cilat konsiderohen shumë të rëndësishme në garën presidenciale, projektohet të fitohen nga demokrati Joe Biden.
04:02
Cila shtete priten?
Deri më tani janë edhe pesë shtete ku akoma pritet një fitues.
Alaska: Ky është një shtete që tradicionalisht pritet të fitohet nga republikani Donald Trump, por rezultatet duken se duan dhe shumë kohë që të shpallen. Votat me postë dhe ato që mundojnë mund të mos numërohen deri javën tjetër.
Xhorxhia: Joe Biden dhe Donald Trump kanë një diferencë me vetëm 1% të votave në këtë shtet, i cili papritur është kthyer në konkurrues. Numërimi do të vazhdojë në mbrëmje.
Karolina e Veriut: Donlad Trump ka një epërsi të ngushtë. Shumë nga votat e mbetura pritet të favorizojnë demokratët, por edhe në këtë shtet rezultatet priten në javën e ardhshme.
Nevada: Numërimi në shtetin perëndimor nuk ka ndalur dhe vazhdon edhe gjatë mbrëmjes, megjithatë zyrtarët kanë njoftuar se rezultatet do të shpallen të nesërmen në drekë. (Ditën e enjte në mbrëmje në Europë).
Pensilvania: Gjatë të mërkurës, votat favorizuese ndaj Donald Trump u zvogëluan në mënyrë të vazhdueshme, pas numërimit në zonat urbane dhe periferike. Megjithatë Trump kryeson, por si në Karolinën e Veriut, pritet që Demokratët ta përmbysin rezultatin e deritanishëm.
Një fitore e Biden në cilindo prej këtyre shteteve (përveç Alaskës) do t’i siguronte demokratëve presidencën. Ndërsa presidenti Trump duhet t’i fitojë të gjithë.
03:32
Rezultatet e Arizonës tregojnë një epërsi të ngushtë të Biden
Zyrtarët në Arizona, një shtet ku mendohet se do të fitojë Biden, kanë projektuar disa rezultate të reja, të cilat parashikojnë se fitorja e tij do të jetë shumë e ngushtë.
Deri më tani, Biden udhëheq me 79,173 vota. Fushata e Trump dhe disa organizata të tjera mediatike thonë se gara është shumë e ngushtë për të bërë parashikime.
Numërimi vazhdon në Arizona dhe një njoftim tjetër mbi votat pritet pas një ore.
03:02
Marrëveshja klimatike e Parisit
Në orët e fundit, Joe Biden shkruajti në Twitter mbi një ndër ndryshimet më të mëdha mes dy kandidatëve: çështjet klimatike.
Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë vendi i parë në botë që u tërhoqën nga marrëveshja e klimës së Parisit, pasi presidenti Trump rinjoftoi vendimin e tij të 2017.
Biden shkruajti se në 77 ditë – koha e mbetur deri në inagurimin e presidentit të ardhshëm të SHBA – ai do ta tërheqë atë vendim, në rast se i fiton zgjedhjet.
02:32
Masat ligjore të Trump
Presidenti Donald Trump ka ngritur padi për katër shtete në lidhje me procesin e numërimit të votave.
Të mërkurën, Republikanët kërkuan të kishte një kontroll më të lartë të numëruesve të votave në Pensilvani dhe Nevada, dy nga vendet ku fituesi nuk është shpallur akoma.
Në Miçigan, Trump bëri thirrje për një ndalim të përkohshëm të procesit të numërimit: procesi gjyqësor pretendon se zyrtarët shtetërorë lejuan që fletët e votimit të numëroheshin pa ekipin vëzhgues.
23:58
Demokrati Joe Biden ka rrëmbyer 16 votat elektorale të Miçiganit, duke shpërbërë më tej murin e mbështetësve që ndihmuan Donald Trump që të merrte presidencën katër vite më parë.
Përmbysja nga e kuqja në blu është një goditje e madhe për Trump pasi vetëm me ndihmën e Miçiganit, Uiskonsin dhe Pensilvanisë ai mundi të fitojë mandatin e tij parë.
Biden tashmë ka 264 vota të Kolegjit Elektoral dhe i duhen edhe 6 për të siguruar mandatin e tij si presidenti i Shteteve të Bashkuara.
Demokratët shpresonin t’iu rrëmbenin Republikanëve katër poste në mënyrë që të dominonin Senatin, por nga ana tjetër kanë arritur të sigurojnë vetëm kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Megjithatë do të duhet edhe pak kohë përpara se të vendoset rezultati përfundimtar për dy dhomat e Kongresit amerikan.
23:50
Zbehen shpresat e Demokratëve për të pasur kontrollin e Senatit
Republikanët kanë mbajtur postë të rëndësishme në Senat të cilat Demokratët shpresonin se do të mund t’i përvetësonin, por mesa duket partia e Donald Trump ia ka dalë që të reduktojë edhe më shumë prezencën e Demokratëve në Dhomën e Lartë të Kogresit.
Disa prej pretendentëve më premtues të Partisë Demokratike kanë zhgënjyer në rezultatin e tyre, pavarësisht mbështetjes së donacioneve me shuma marramendëse si ato të Jaime Harrison në Karolinën e Jugut, Amy McGrath në Kentaki dhe MJ Hegar në Teksas.
Susan Collins, kandidatja e shtetit Mejn, ia doli të fitojë kundër kundërshtares Demokratike Sara Gideon.
22:29
Joe Biden mban fjalim pas zgjedhjeve: Jam besimplotë që do të fitojmë
Kandidati Demokrat, Joe Biden, ka folur për herë të parë pas ditës së zgjedhjeve nga Uilmington Delauer ku është shprehur besimplotë për fitoren e tij.
Ai është shprehur se kjo fitore nuk është vetëm e tij, por “e të gjithë amerikanëve” pa dallim nga ngjyra e partisë që kanë votuar dhe është zotuar se do të punojë fort për të gjithë si “President i Shteteve të Bashkuara”.
“Ne, populli, nuk do të heshtim. Ne nuk do të dorëzohemi. Miqtë e mi kam besimin se do të jemi fitues, por kjo nuk është fitorja ime por e të gjithë amerikanëve dhe e demokracisë. Këtu nuk ka vend për shtete blu dhe shtete të kuqe, të vetmet shtete janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përmbylli fjalën e tij Joe Biden.
Për të, fitorja më e madhe ishte vota popullore e cila ka shënuar një shifër rekord duke lënë pas rekordin e mëparshëm që mbahej nga ish-presidenti Barack Obama.
Kandidati Demokrat i ka bërë thirrje popullit që “të ulë tensionet”, e të rikthehen duke “shikuar e dëgjuar njëri-tjetrin”.
“E di që nuk do të jetë e lehtë, e di sa të thella dhe ndryshe janë këndvështrimet tona, por ne nuk jemi armiq. Kemi shumë më të përbashkëta me njëri tjetrin sesa ato çka na ndajnë”.
21:56
Stafi elektoral i presidentit Trump ka njoftuar se kanë paditur Pensilvaninë dhe Miçiganin duke bërë kështu gati terrenin për të kontestuar rezultatin e zgjedhjeve në shtetet e cilësuara si fushëbeteja e këtyre zgjedhjeve e të cilat mund të vendosin nëse Trump do të mund të fitojë një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
21:21
Rrugët që i çojnë kandidatët drejt fitores
Shtetet më të rëndësishme që kanë mbetur në garë janë Miçigani, Pensilvania, Nevada, Karolina e Veriut dhe Xhorxhia.
Uiskonsin iu shkoi Demokratëve, ndaj nëse Biden fiton Nevadën dhe Miçiganin, ai do të kapte votën elektorale të nevojshme për të pretenduar Shtëpinë e Bardhë.
Ish zv-presidenti ka një avantazh shumë të ngushtë kundër Trump në Miçigan, por stafi elektoral i presidentit kanë ngritur një padi për të “pezulluar votimet” në këtë shtet.
Mendohet që Nevada do të përditësojë shifrat e votimeve nesër në mëngjes.
Nga ana tjetër, Xhorxhia është ende e “luhatur”. Teksa në fillim u duk sikur do të fitonte Trump, ky i fundit ka tashmë një avantazh shumë të vogël ndërsa janë numëruar 94 për qind e votave.
Nëse Biden fiton në Xhorxhia atij do i duhej të fitonte vetëm në një prej shteteve të Miduestit.
Fitorja në Pensilvani e të paktën tri shtete të tjera do të ishte rruga më e lehtë drejt fitores për Trump. Nëse ai nuk fiton tek këto të fundit, atij do i duhet të fitojë të katërta shtetet që kanë mbetur për të arritur 270 vota.
20:50
Biden është projektuar të fitojë në Uiskonsin – pjesë kyçe e “murit të kaltër”
Joe Biden ka mundur Presidentin Donald Trump në fushëbetejën e Uiskonsin, duke siguruar 10 vota në Kolegjin Elektoral dhe mbërthyer një pjesë kyçe të “murit të kaltër” i cili iu rrëshqiti Demokratëve katër vite më parë.
Stafi i fushatës së Trump ka kërkuar rinumërim të votave.
Fitorja në Uiskonsin e çon rezultatin e Biden në 248 vota elektorale, ndërsa Trump ka 214. Për të fituar zgjedhjet duhen 270 vota elektorale.
Në 2016, Trump fitoi në Uiskonsin me një diferencë prej 23 mijë votash, rezultat i cili së bashku me atë të Miçiganit dhe Pensilvanisë i siguruan mandatin e parë në Shtëpinë e Bardhë.
Demokratët ishin të vendosur për të rimarrë Uiskonsin, shtet i cili përpara se të votonte për Trump, kishte që në kohën e Ronald Reagan (1984) që nuk votonte për Republikanët.
20:17
Joe Biden fiton në Uiskonsin
20:09
Stafi i fushatës së Trump ngre padi në Miçigan për të ndaluar numërimin e votave
19:31
Trump fiton një votë elektorale në Mejn, tre të tjerat janë fituar më parë nga Joe Biden.
Mejn ka 4 vota në Kolegjin Elektoral.
19:04
Trump do të kërkojë rinumërim votash në Uiskonsin
Menaxheri i fushatës së Donald Trump është shprehur se presidenti ka përgatitur një kërkesë për “numërim të menjëhershëm të votave në Uiskonsin”, aty ku gara paraqitet shumë e ngushtë.
Sipas rregullores së këtij shteti, nëse gara ka një diferencë prej 1 për qind, kandidati që është mbrapa me pikë mund të kërkojë rinumërimin e votave.
“Presidenti është brenda pragut për të kërkuar rinumërimin ndaj do e bëjmë këtë menjëherë”.
Fati i presidencës së Shteteve të Bashkuar është në fije të perit, teksa Trump dhe kundërshtari i tij Biden po luftojnë për Uiskonsin, Miçigan dhe Pensilvani, të cilat mund të jenë vendimtare për fituesin e Shtëpisë së Bardhë.
Në garën drejt shifrës “magjike” prej 270 votash në Kolegjin Elektoral, Biden ka 238 ndërsa Trump 213.
18:29
Rreth 200 mijë vota për t’u numëruar në Xhorxhia
Xhorxhia, një ndër shtetet ku beteja është shumë e ashpër, ka ende rreth 200 mijë vota për t’u numëruar, njoftoi sekretari i shtetit Brad Raffensperger.
“Çdo votë e vlefshme do të numërohet”, shtoi ai gjatë një konference për shtyp.
Xhorxhia ka 16 vota në Kolegjin Elektoral.
18:02
Biden pritet të mbajë fjalim së shpejti nga Uilmington, Delauer
Mund të ndiqni Live fjalën e tij duke klikuar këtu.
16:58
Biden “në rrugëtim të qartë drejt fitores” pretendon menaxherja e fushatës së tij
Menaxherja e fushatës elektorale të kandidatit demokrat ka deklaruar se Biden është “në një rrugëtim të qartë drejt fitores”.
“Joe Biden është drejt fitores së zgjedhjeve dhe ai do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara”, tha Jen O’Malley Dillon.
Ajo tha se kandidati demokrat është duke fituar në Miçigan, Uiskonsin dhe Pensilvani.
“Zv.-presidenti do të luftojë që çdo votë të numërohet”, shtoi ajo.
16:18
Biden fiton numrin më të madh të votave në historinë e zgjedhjeve presidenciale të SHBA
Joe Biden tashmë mban rekordin për numrin më të madh të votave të marra ndonjëherë nga një kandidat presidencial në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë kjo nuk përkthehet në një fitore të sigurt për shkak të sistemit amerikane të votimit.
Kandidati demokrat ia ka kaluar edhe ish-presidentit Barack Obama i cili mbante rekordin e mëparshëm me 69,498,516 vota gjatë zgjedhjeve në 2008.
Aktualisht Biden ka 69,551,307 vota.
Në 2016, Hillary Clinton fitoi votën popullore me 65,853,514 vota, rreth 3 milionë më shumë se Trump, i cili fitoi zgjedhjet pasi mori më shumë vota të Kolegjit Elektoral.
16:05
Joe Biden kryeson në Miçigan
Ende pritet konfirmimi nga një sërë shtetesh kyçe, por në Miçigan ka pasur një përmbysje të rezultatit edhe pse priten ende numërimi i rreth 5 për qind të votave.
Joe Biden po kryeson në Miçigan, shtet i cili ka 16 vota në Kolegjin Elektoral.
Biden kryeson me 49.33 për qind kundrejt Trump me 49.13 për qind, ndërsa janë numëruar rreth 94 për qind e votave.
Biden është rreth 10 mijë vota përpara Trump.
Në 2016, Trump fitoi në Miçigan me 0.3 për qind vota më shumë.
14:22
Pensilvania mund të jetë çelësi drejt Shtëpisë së Bardhë
Edhe pse kanë mbetur disa shtete ku rezultati është shumë i përafërt (Karolina e Veriut, Uiskonsin, Nevada, Miçigani dhe Xhorxhia), shteti që po përflitet më shumë është Pensilvania.
13:51
Menaxheri i fushatës së Biden thotë se do luftojë kundër përpjekjeve të Trump për të çuar rezultatin e zgjedhjeve në Gjykatën Supreme
Menaxherja e fushatës elektorale të kandidatit Joe Biden i është kundërpërgjigjur thirrjes së Trump për të çuar rezultatin e zgjedhjeve në Gjykatën Supreme.
Jen O’Malley Dillon reagoi pas fjalimit të Trump ku ky i fundit shpalli fitoren e zgjedhjeve pavarësisht se kishte ende disa miliona vota për t’u numëruar.
10:53
Parashikimet e sondazheve, të pasakta
Nata e numërimit të votave ka provuar se pritshmëritë e ngritura nga sondazhet janë të pasakta, pasi ato kishin parashikuar një fitore të qartë të demokratit Joe Biden.
Në një garë ku demokratët po shpresonin ta kthenin shtetin republikan në favorin e tyre, realiteti duket se është ndryshme. Gara mes dy kandidatëve vazhdon të jetë e ngushtë dhe rezultati mund të ndryshojë nga shtetet e rëndësishme si Miçigani, Uiskonsin dhe Pensilvania.
09:54
Numërimi i votave vazhdon në disa shtete
Votat vazhdojnë të numërohen në disa shtete ndërsa të dy kandidatët ndihen pozitivë për fitore. Pavarësisht pretendimeve të presidentit për “mashtrim”, vetëm rezultatet përfundimtare do të vendosin se kush e ka fituar garën.
09:11
Joe Biden parashikohet të fitojë tre vota elektorale nga shteti i Meijn.
09:05
Demokrati Mark Kelly zgjidhet në Senat nga shteti i Arizonës
Demokrati Mark Kelly është zgjedhur për një post në Senat nga shteti i Arizonës, një vend të cilin e fitoi në garë me Senatoren Martha McSally. Kelly është një ish-austronaut dhe është i martuar me ish-përfaqësuesen e shtetit Gabrielle Giffords.
09:00
Joe Biden parashikohet të fitojnë në shtetin e Arizonës, i cili në vitin 2016 votoi për Trump
08:12
Presidenti në detyrë Donald Trump u shpreh në një deklaratë për shtyp se “po bëhet gati për festimet” e fitores në zgjedhjet presidenciale.
Në deklaratën e tij Trump u shpreh i bindur për fitore edhe në shtetet më të diskutuara aktualisht si Miçigan, Pensilvania apo Uinsconsin, shtete që më herët u pretenduan “drejt fitores” nga kandidati demokrat Joe Biden.
Zv. Presidenti Mike Pence tha se do të vazhdojnë të jenë “vigjilentë” ndërsa procesi i votimin nuk ka përfunduar dhe se republikanët do të bënin gjithçka për “të mbrojtur integritetin e votës”
08:12
Senatori republikan i Montanës Steve Daines rizgjidhet në Senat
Senatori republikan Steve Daines fitoi një vend në Senat pas një gare të ngushtë kundër demokratit Steve Bullock. Bullock është ish-guvernatori i Montanës.
08:04
Florida miraton pagën minimale prej 10 dollarësh në orë
Votuesit në Florida miratuan një pagë minimale prej 10 dollarësh (8.58 euro) në orë, e cila do të rritet me 1 dollarë çdo vit derisa të arrijë në 15 dollarë (12.87 euro) në vitin 2026.
07:11
Donald Trump fiton në Teksas
Donald Trump fiton në shtetin e Teksasit, me një rezultat të ngushtë, por që pritej.
06:59
Senatorja Joni Ernst fiton një vend në Senat në Ajoua duke i kufizuar demokratëve mundësitë për të drejtuar Senatin
Senatorja Joni Ernst ka fituar një vend në Senat në shtetin e Ajouas, në një garë ku demokratët po shpresonin se do të fitonin me kandidaten Theresa Greenfield. Greenfield është një biznesmene, e cila më parë ka kandiduar për Kongresin, por asnjëherë nuk ka fituar një post.
Fitorja e Ernst nënkupton se Demokratët kanë më pak mundësi për të ndryshuar rezultatin në Senat.
Atyre u duhet të fitojnë edhe katër vende në mënyrë që të drejtojnë Senatin.
06:52
Donald Trump shkruan në Twitter se fushata e tij po shkon shumë mirë
Trump ka akuzuar kundërshtarët e tij se “po vjedhin zgjedhjet” duke thënë se nuk mund të votohet pasi procesi është mbyllur. Rezultatet deri më tani duken më të mira për presidentin amerikan, por gara është akoma e gjatë.
06:46
Biden mban fjalim pas zgjedhjeve: Besojmë se jemi në rrugën e fitores
Kandidati demokrat për president, Joe Biden mbajti një konferencë për shtyp ku u shpreh optimist për rezultatin e deritanishëm në zgjedhje.
“Do të kërkojë kohë të numërohen votat në Pensilvani, por ne do ta fitojmë edhe këtë shtet, jam i kënaqur me pjesëmarrjen në zgjedhje.”
06:40
Donald Trump fiton në Montana
06:27
Donald Trump fiton në Ohajo, Florida dhe Ajoua
Donald Trump fiton në shtetet kyçe të Ohajos, Floridas dhe Ajouas. Ky është një rezultat më i mirë për Presidentin seç ishte parashikuar fillimisht, ndërsa gara për Shtëpinë e Bardhë vazhdon të bëhet më e ngushtë.
06:27
Misisipi voton për të zëvendësuar flamurin e Konfederatës
Shteti i Misisipit ka votuar për të zëvendësuar flamurin e shtetit të tyre.
Flamuri mbante një simbol të Konfederatës që prej Luftës Civile, i cili shihet nga shumë si një simbol racist.
06:17
Joe Biden fiton në Minesota
06:10
Joe Biden fiton në Havai
Joe Biden fitoi në shtetin e Havait, rezultat i cili pritej pasi ky shtet zakonisht voton për Demokratët.
05:57
Gara është shumë e ngushtë mes Joe Biden dhe Donald Trump
Harta duket se anon nga Republikanët më shumë seç ishte parashikuar fillimisht nga sondazhet. Florida dhe Karolina e Veriut po shkojnë drejt Trump, megjithatë gara është shumë e fortë. Trump gjithashtu po kryeson në Ohajo, një shtet që konsiderohet si kyç për zgjedhjet.
Joe Biden pritet të fitojnë në Arizona, por demokratët po shpresonin për një rezultat më të mirë.
Biden do shikojë nga shtetet e Uiskonsin, Miçiganit dhe Pensilvanisë. Këto shtete në sondazhe kanë anuar nga demokratët, por do të duhet shumë kohë për të numëruar votat.
05:22
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesëve Nancy Pelosi foli për legjislacionin e Dhomës ndërsa duket se Demokratët do të kryesojnë dhomën e ulët të kongresit.
Disa përfaqësues shumë të njohur Demokratë u rizgjodhën, duke përfshirë Alexandria Ocasio-Cortez, Ilhan Omar, Deb Haaland.
05:09
Donald Trump fiton në Juta dhe Ajdëho
Donald Trump ka fituar në Ajdëho dhe Juta, rezultat i cili pritej pasi të dyja këto shtete janë konservatore.
05:03
Joe Biden fiton në Uashington, Oregon, Kaliforni
Joe Biden fitoi në tre shtete të bregut perëndimor. Kjo pritej pasi këto shtete zakonisht votojnë për kandidatë Demokrat, ndaj dhe rezultati u shpall me kaq shpejtësi.
04:51
Nju Xhersi voton për të legalizuar kanabisin
Nju Xhersi është shteti i dymbëdhjetë në SHBA që legalizon kanabisin gjatë një referendumi të mbajtur gjatë zgjedhjeve presidenciale.
Shumica dërrmuese e vendit kanë votuar në favor të legalizimit.
04:45
Sarah McBride, Senatorja e parë transgjinore
Demokratja Sarah McBride ka fituar një post në Senat në Delauer dhe do të bëhet Senatorja e parë transgjinore.
“Mendoj se rezultati i sotëm tregon atë që kam ditur gjatë gjithë jetës sime dhe ajo është që banorët e këtij distrikti janë mendje hapur e i shohin kandidatët për idetë dhe jo identitetin e tyre”, tha ajo.
04:34
Donald Trump fiton në Mizuri
04:33
Republikani Tommy Tuberville zgjidhet në Senat
Tommy Tuberville ka mundur senatorin aktual Doug Jones në shtetin e Alabamës. Ky është një post i rëndësishëm për Republikanët dhe do të thotë që tashme Demokratëve iu duhen 3 fitore për të pasur kontrollin në Senat.
Fitorja e tij nuk pritej pasi Alabama është shtet shumë konservator.
04:27
Konfliktohen disa protestues të “Black Lives Matter” me një grup tjetër të cilët dëgjohet teksa thonë “të gjithë jetët janë të rëndësishme”.
04:19
Senatori Republikan Lindsey Graham rizgjidhet në Senat në Karolinën e Jugut
Senatori Lindsey Graham ka fituar sërish në shtetin e Karolinës së Jugut pas një gare të ngushtë me ish kryetarin e partisë Demokratike së këtij shteti, Jaime Harrison.
Harrison kishte mbledhur më shumë se 100 milionë dollarë, një shifër rekord për garën në Senat. Gara është cilësuar si befasuese për një shtet që është thellësisht konservator.
04:08
Donald Trump fiton në Kansas
04:07
Votimet janë mbyllur në disa shtete, por është ende shumë herët për të diskutuar mbi fituesin e mundshëm. Së shpejti, pritet të dalin rezultatet e Ajdëho, Ajova, Montana, Nevada dhe Juta.
Disa prej shteteve kyçe po vazhdojnë numërimin e votave dhe sonte pritet rezultati i Karolinës së Veriut, Floridës, Xhorxhias, Teksasit dhe Arizonës.
03:47
John Hickenlooper fiton postin në Senat në Kolorado
Demokrati John Hickenlooper ka fituar një vend në Senat në Kolorado. Ai mundi senatorin aktual Cory Gardner. Kjo është fitorja e parë e Demokratëve në Senat dhe është njëra prej tre emërimeve që iu duhen në mënyrë që të fitojnë kontrollin e dhomës së lartë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara.
03:41
Joe Biden fiton në Kolorado
03:32
Joe Biden fiton në Distriktin e Kolumbias
03:25
Gara e ngushtë në Florida është shenjë e mirë për Donald Trump
Florida mund të jetë shteti i parë nga të ashtuquajturit “të luhatur” që do të publikojë rezultatin zgjedhor.
Florida është një prej shteteve kyçe, pa të cilën presidenti aktual do ta kishte shumë të komplikuar rrugëtimin drejt fitores.
03:09
Joe Biden fiton në Nju Jork dhe Nju Meksiko
03:04
Donald Trump fiton në Dakotën e Veriut, Dakotën e Jugut, Uajoming, Nebraska dhe Luiziana.
02:59
Donald Trump fiton në Indiana
02:54
Orari kur do të mbyllen votimet e kësaj mbrëmje
03:00 Arizona, Kolorado, Kansas, Luiziana, Miçigan
(mund të duhet deri në një javë për të numëruar të gjithë votat)
Minesota, Nebraska, Nju Meksiko, Nju Jork, Dakota e Veriut, Dakota e Jugut, Teksas, Uiskonsin, Uajoming
04:00 Ajdëho (janë numëruar disa prej votave), Ajova, Montana, Nevada, Oregon (disa vota janë numëruar), Juta
05:00 Kaliforni, Oregon, Rod Ajlënd (votimet me postë),
Uashington, Distrikti i Kolumbias
06:00 Havai
07:00 Alaska
02:31
Donald Trump fiton në Arkansa
02:23
Cila është gara kryesore në Senat, Demokratët përpiqen të përmbysin Dhomën e Përfaqësuesve
Gara në Senat është thelbësore për të dyja partitë politike të cilat shpresojnë të jenë në kontroll të dhomës së lartë të Kongresit për të miratuar prioritetet e tyre legjislative.
Disa prej garave kyçe po ndodhin në shtetet e ashtu-quajtura “të luhatura” ku gara e ngushtë për Senatin mund të ndikojë në rezultatin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Demokratëve me shumë gjasë do iu duhet të fitojnë katër mandate për të marrë nën kontroll Dhomën, teksa i kanë hedhur sytë nga Arizona, Kolorado dhe Mejn. Republikanët po shpresojnë të fitojnë në Alabama dhe Miçigan.
Gara më e fortë është në Ajova, Karolinën e Jugut, Karolinën e Veriut, Montana dhe Xhorxhia.
02:08
Joe Biden fiton në Kënektikat, Delauer, Ilinois, Meriland dhe Masaçusets, Rod Ajlënd dhe Nju Xhersi
02:03
Donald Trump fiton në Alabama, Misisipi, Tenesi dhe Oklahoma
01:58
Donald Trump fiton në Karolinën e Jugut
01:44
Pjesëmarrja në zgjedhje në shifra rekord
Shumë po hulumtojnë nëse pjesëmarrja në këto zgjedhje do të jetë më e lartë se ajo e vitit 2016.
Rreth 102 milionë amerikan kanë votuar më herët – një shifër rekord që përfaqëson rreth 73 për qind të pjesëmarrjes totale në zgjedhjet presidenciale të 2016.
Radhë të gjata janë vërejtur në ditën e fundit të zgjedhjeve dhe miliona amerikanë kanë votuar me postë për shkak të pandemisë COVID-19.
Mbetet për t’u parë nëse pjesëmarrja do të jetë më e lartë në krahasim me 4 vite më parë.
01:42
Joe Biden fiton në Virxhinia
01:32
Donald Trump fiton në Virxhinian Perëndimore
01:23
Është publikuar rezultati i zgjedhjeve të dy shteteve të para.
Këto shtete parashikoheshin se mund t’i shkonin secilit prej kandidatëve për se të dyja kanë një elektorat të përbashkët Republikan ose Demokratik.
01:09
Joe Biden fiton në Vermont
01:11
Donald Trump fiton në Kentaki
12:30
Biden në garë për herë të tretë për Shtëpinë e Bardhë
Teksa përmbylli ditën e fundit të fushatës, kandidati demokrat Joe Biden iu tha gazetarëve se është “shpresëplotë” teksa vazhdon numërimi i votave në Shtetet e Bashkuara.
Ai shtoi se nuk do të komentojë mbi rezultatin gjatë së martës, edhe nëse kjo do të ndodhë nga ana e presidentit Donald Trump.
“Nëse do të ketë ndonjë gjë për të folur, atëherë do e bëj. Nëse jo, do të pres derisa të numërohen të gjithë votat”.
Kjo garë presidenciale është e treta për Biden, pas atyre në vitin 1987 dhe 2008.
12:13
Jo të gjitha shtetet janë të barabarta në SHBA … këto janë ato për të cilat duhet të keni më shumë vëmendje.

Shtetet ‘e lëkundura’ të Amerikës, aty ku vendoset fati i zgjedhjeve presidenciale të SHBA
12:05
Mirëserdhët në transmetimin maratonë nga Euronews Albania të zgjedhjeve presidenciale në SHBA! Qëndroni me ne përgjatë gjithë natës për të mësuar mbi zhvillimet më të fundit.
Lexoni gjithashtu
- Shtetet ‘e lëkundura’ të Amerikës, aty ku vendoset fati i zgjedhjeve presidenciale të SHBA
- Zgjedhjet në SHBA 2020, 10 momentet kulmore të fushatës, nga inkriminimi tek COVID
- Presidenti amerikan Donald Trump: Do ta shpall fitoren vetëm kur të kem fituar
- Një Amerikë e përçarë, qytetarët e SHBA mes dy dilemash
- 09:31 Vrau një polic dhe plagosi një tjetër, del fotoja e autorit të ngjarjes së rëndë në Maliq
- 09:24 Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
- 09:11 SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
- 09:08 Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni
- 08:50 Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq
- 08:43 Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran