Rrëzohet vendimi i Trumpit, Gjykata Supreme: Fëmijët e lindur në SHBA do të marrin shtetësinë direkte

1 Korrik 2026 | 07:36

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka rrëzuar një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili synonte t’i jepte fund fitimit automatik të shtetësisë amerikane për fëmijët e lindur në territorin e SHBA-së.

Me shumicë prej pesë gjyqtarësh, Gjykata vendosi se urdhri i Trumpit shkel Amendamentin e 14-të të Kushtetutës së SHBA-së.

Kryetari i Gjykatës Supreme, John Roberts, iu bashkua gjyqtareve Sonia Sotomayor, Elena Kagan, Amy Coney Barrett dhe Ketanji Brown Jackson, duke vlerësuar se politika ishte e paligjshme. Gjyqtari Brett Kavanaugh u pajtua me vendimin përfundimtar, por në një opinion të veçantë theksoi se nuk beson se urdhri shkel Amendamentin e 14-të, megjithëse sipas tij ai “bie ndesh me një ligj federal”.

Trump e nënshkroi këtë urdhër në janar të vitit 2025, në fillim të mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Ai ishte pjesë e politikave të administratës së tij për të kufizuar emigracionin, si atë të ligjshëm ashtu edhe të paligjshëm.

Sipas urdhrit, 30 ditë pas hyrjes në fuqi, fëmijët e lindur në SHBA nuk do të fitonin më automatikisht shtetësinë amerikane nëse prindërit e tyre ndodheshin në vend në mënyrë të paligjshme ose për qëndrim të përkohësisht.

Amendamenti i 14-të, i miratuar në vitin 1868, përcakton se: “Të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe që i nënshtrohen juridiksionit të tyre janë shtetas të Shteteve të Bashkuara dhe të shtetit ku banojnë.”

Duke paraqitur arsyetimin e shumicës, kryetari i Gjykatës Supreme, John Roberts, shkroi: “Fëmijët e lindur në Shtetet e Bashkuara nga prindër që ndodhen në vend në mënyrë të paligjshme ose përkohësisht i nënshtrohen juridiksionit të Shteteve të Bashkuara dhe janë shtetas që në lindje, sipas Klauzolës së Shtetësisë të Amendamentit të 14-të.”

“Shtetësia, dje dhe sot, ishte e drejta për të pasur të drejta, për të marrë pjesë lirisht në komunitetin tonë politik. Hartuesit e Amendamentit të 14-të e zgjeruan këtë premtim për çdo person të lindur i lirë në këtë vend”, theksoi më tej ai.

Në reagimin e tij ndaj vendimeve të fundit të Gjykatës Supreme, të publikuar në rrjetin social Truth Social, Trump tha se Partia Republikane, në përgjithësi, ishte “trajtuar shumë drejt” nga Gjykata, por shtoi se administrata e tij do të “punojë për ta korrigjuar” humbjen e kësaj çështjeje përmes Kongresit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA kanë vendosur më shumë se 900 ushtarë në Venezuelë: Do të largohemi kur të përfundojmë punën

Më shumë se 900 anëtarë të ushtrisë amerikane janë vendosur në Venezuelë pas tërmetit për të mbështetur operacionet e ndihmës pas tërmeteve shkatërruese që ndodhën...
09:04 | 01/07/2026

Mandati i Macron drejt fundit, Franca cakton datat e zgjedhjeve presidenciale

Franca do të shkojë në kutitë e votimit për të zgjedhur presidentin e saj të ardhshëm më 18 prill dhe 2 maj 2027, tha një...
08:58 | 01/07/2026

Netanyahu sfidon marrëveshjen SHBA-Iran: Izraeli do ta sulmojë sërish Teheranin nëse është e nevojshme

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të martën se Izraeli do ta sulmojë përsëri Iranin “nëse është e nevojshme”, duke u zotuar se Teherani “nuk do...
08:48 | 01/07/2026