Ndikimi i krizës energjetike, Janez Kopac këshillon Shqipërinë se si duhet të reagojë

5 Tetor 2021 | 20:26

Paralajmërimet për një krizë energjetike janë shoqëruar me pasiguri dhe frikë tek qytetarët evropianë, ndërsa kjo klimë “dëshpëruese’ është shtrirë edhe në vendin tonë, sidomos pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama të dielën e shkuar.

Euronews Albania bisedoi për këtë çështje me drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Janez Kopac. Ai thotë se nuk i pëlqen termi ta quajë “krizë energjetike” pasi nuk është e tillë.

Sipas tij, aktualisht kudo në botë ka një rritje çmimu të energjisë, e ndikuar nga disa faktorë si për shembull; rikuperimi i shpejtë nga pandemia e COVID-19, masat e marra kundër emetimit të CO2 në atmosferë në kuadër të masave për ndryshimet klimatike dhe mungesa e furnizimit me gaz nga Rusia.

Ai u ndal tek kushtet reale në të cilat ndodhet Shqipëri dhe analizoi shanset reale për menaxhimin e kësaj krize.

Për z. Kopac, vendi ynë nuk mund t’i shpëtojë rritjes së çmimit të energjisë, ndërsa thotë se problemi krysor është mungesa e një burse, gjë e cila do të sillte likuiditet dhe efikasitet financiar.

Më tej ai thekson se institucionet shtetërore duhet të mbrojnë shtresat sociale në nevojë, që nuk kanë mundësi të përballojnë shtrenjtimin e energjisë, kurse të tjerët tha Kopac duhet të paguajnë çmimin e tregut.

Intervista e plotë:

Në opinionin tuaj a është kriza energjetike aktuale drejt fundit, apo prisni që të vijojë përgjatë dimrit?
Janez Kopac: Nuk më pëlqen të përdor termin krizë energjetike, por kemi çmime shumë të larta të energjisë dhe gazit jo vetëm në rajon por në të gjithë botën. Kjo është pasojë e shumë faktorëve, një prej të cilëve është rikuperimi i shpejtë pas pandemisë së COVID, nga Azia në SHBA dhe Evropë; një tjetër janë çmimet e larta për emetimet e CO2-shit, të nxitura nga ambiciet për klimën në BE dhe vende të tjera. Më pas vjen mungesa e furnizimit me gaz nga Rusia, mungesa e erës gjatë këtij viti në Gjermani dhe vende të tjera. Kombinimi i këtyre faktorëve i bënë çmimet shumë më të larta se çmimet tradicionale dhe ky trend do të vijojë këtë dimër, vitin e ardhshëm dhe ndoshta deri në dimrin tjetër. Ndoshta nuk do të jenë të larta siç janë aktualisht, por nuk do të kthehen në çmimet tradicionale me të cilat jemi mësuar. Ndoshta nuk do të kthehemi kurrë në këto çmime për shkak të ambicieve të klimës që po intensifikohen. Ky është një realitet i ri. Në Shqipëri, ose në Evropën jug-llindore, që nuk është pjesë e BE-së, nuk ka arsye për një krizë të tillë…

Do të flasim për Shqipërinë, por më lejoni t’ju bëj një pyetje tjetër. Ju përmendët më parë faktorët, por në opinionin tuaj a kanë të bëjnë faktorë të jashtëm të tregut që mund të ndikojnë tek kriza, si lojërat gjeo-politike për shembull?
Janez Kopac: Paksa, po. Një faktor, sikurse e përmenda, është mungesa e furnizimit me gaz nga Rusia; një tjetër është importi i lartë i qymyrit në Kinë, ndalimi i importi të qymyrit nga Australia nga Kina dhe faktorë të tjerë. Por në përgjithësi janë rikuperimi ekonomik dhe ambiciet e klimës. Këto janë dy gjëra që ne në përgjithësi i mbështesim, por që kanë kostot e tyre, të cilat po i ndjejmë.

Le të flasim për Shqipërinë. Dy ditë më parë kryeministri Rama deklaroi se vendi do të përballet me një krizë energjetike. Cili është komenti juaj për këtë? Dhe kur Shqipëria prodhon të gjithë energjinë e saj nga stacionet hidrike, gjatë periudhës së thatësirës duhet të importojë nga prodhuesit evropianë. Në këtë situatë, si mund ta shmangë ajo impaktin e rritjes së çmimeve të elektricitetit?
Janez Kopac: Shqipëria është me fat për shkak të gjenerimit të energjisë nga burime të rinovueshme, por ky import do të preket patjetër nga çmimet e larta, kjo është e sigurt. Vetë Shqipëria nuk mund të bëjë shumë në këto momente, por mund të kishte bërë më shumë në të kaluarën, për të qenë më e përgatitur për situata të tilla. Një gjë është funksionimi më i mirë i tregjeve rajonale. Ne kemi tregje të ndryshme kombëtare, si ai i Shqipërisë, ku nuk ka një bursë dhe nuk ka efikasitet dhe likuiditet financiar. Sikurse e thashë, ky është një problem rajonal, që prek gjithashtu Shqipërinë. Ndërkohë, ka edhe një përdorim të ulët të linjave ndërkufitare. Në rajonin tonë, përfshirë Shqipërinë, vetëm 25-30 për qind e kapaciteteve që ekzistojnë në linjat energjetike përdoret për tregtimin e volumit të elektricitetit. Në BE ky nivel është detyrimisht 70 për qind. Dhe nëse në rajonin tonë sistemet operatore të transmetimit, përfshirë atë shqiptar, do të lejojnë një përdorim më të madh, kjo do të lehtësonte situatën. Ka edhe elementë të tjerë të kësaj krize. Besoj se familjet nuk do të preken, pasi që tani ato paguajnë çmime artificialisht të ulëta. Dhe të gjitha vendet e rajonit, përfshirë tuajin, kanë probleme në përcaktimin e marrjes së ndihmës sociale. Vetëm këtyre grupeve u duhet ofruar çmimi i ulët, të tjerët që mund të përballojnë duhet të paguajnë çmimin e tregut.

Cili do të jetë rekomandimi juaj për qeverinë tonë, për të shmangur këtë të ashtuquajtur krizë?
Janez Kopac: Siç e thashë, lëvizja e parë mund të jetë ngarkimi i operatorit të transmetimit me detyrën e ofrimit të sasive më të mëdha për linjat ndërlidhëse rajonale, për import apo eksport kur është nevoja. Kjo është ajo që mund të bëhet me shpejtësi. E dyta është funksionimi i bursës së energjisë, por një gjë që nuk ka funksionuar jo vetëm prej muajsh, por prej vitesh, nuk mund të funksionojë në një periudhë të shkurtër. Thjesht nuk është e mundur. Ndaj, në terma afatshkurtër, kjo është këshilla.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Shqipëria bëhet e dyta më e shtrenjta në Ballkan për qiratë ditore

Fluksi i lartë i të huajve që po vijnë në Shqipëri, të nxitur nga çmimet e lira të akomodimit, po çon në një shtrenjtim të...
14:50 | 03/06/2026

Këmbimi valutor 3 qershor/ Me sa blihen e shiten monedhat kryesore

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan do të blihet sot me 81.4 lekë dhe do shitet me 82.4 lekë. Ndërkohë monedha evropiane...
08:58 | 03/06/2026

Shqipëria humbi 28 500 banorë në 2025, mosha mesatare arrin në 45 vjeç

Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të krizës demografike. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se popullsia e vendit ka zbritur...
17:25 | 02/06/2026