Vaksina anti-COVID pa gjilpërë, studiuesit holandezë testojnë me sukses aplikimin me lazer

13 Tetor 2021 | 15:19

Për të shtuar numrin e të vaksinuarve, studiuesit në Holandë kanë testuar injektimin e vaksinave anti-COVID pa gjilpëra, por përmes teknologjisë lazer.

Ky proces vaksinimi nuk është aspak i dhimbshëm dhe sipas shkencëtarëve edhe më i shpejtë se një pickim mushkonje.

Lëngu i vaksinës do të futet në trupin e njeriut përmes lazerit me një shpejtësi deri në 100 kilometra në orë dhe pa dëmtim të lëkurës.

Pas suksesit në testim, kërkuesit holandezë po shpresojnë të nisin së shpejti testet tek vullnetarët për të vazhduar prodhimin në masë.

David Fernandez Rivas, profesor në Universitetin Twente dhe studiues në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts, që ka vënë në zbatim këtë teknologji, tha se pret që kjo mënyrë aplikimi jo vetëm të ndihmojë në rritjen e numrit të personave që do të vaksinohen, por edhe të shmangë rrezikun e infektimeve përmes gjilpërave.

Gjithsesi, do të duhet 1-3 vjet që kjo metodë të bëhet e zbatueshme për publikun e gjerë, në varësi të progresit të kërkimeve.

Metoda e re synon t’u vijë në ndihmë veçanërisht njerëzve që kanë fobi të injektohen përmes gjilpërave.

Astrid Nijsen, një muzikante 31-vjeçare thotë se përjeton ankth të vazhdueshëm nga ideja që do të vaksinohet, qoftë edhe pa gjilpërë.

“Nisi gjatë pubertetit. Kur shoh një gjilpërë, ndiej se duhet të largohem sa më parë. Qaja me të madhe vetëm që të shmangia një gjilpërë”, tregon ajo për Reuters.

Në Belgjikën fqinje njerëzit janë optimistë dhe thonë se e mirëpresin shpikjen.

“Ndoshta do të ndikojë për mirë tek njerëzit që i kanë frikë gjilpërat, thotë një studente. – Mendoj se pjesa më e madhe e skeptikëve ndaj vaksinave nuk nisen nga fakti nëse ajo injektohet me shiringë apo jo, kështu që nuk e di nëse teknologjia me lazer do të bëjë ndonjë ndryshim të madh, por gjithsesi është mirë kur sheh se teknologjia dhe shkenca kanë bërë progres”, thotë ajo.

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Macron: Fitorja e Magyar shënon fillimin e një epoke të re në Hungari

Presidenti francez, Emmanuel Macron vlerësoi sot fillimin e një “epoke të re” për Hungarinë dhe Evropën, gjatë pritjes në Pallatin Elysee, të kryeministrit të ri...
22:21 | 03/06/2026

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton 5 anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit

Pas tre orësh, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përfundoi votimin për të zgjedhur pesë anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit për mandatin 2027-2028....
20:43 | 03/06/2026

Rreth 90 serbë dëbohen nga aeroporti i Tivatit, policia malazeze i cilëson rrezik për sigurinë

Rreth 90 shtetas të Serbisë janë dëbuar nga aeroporti i Tivatit dhe u është ndaluar hyrja në Mal të Zi, pasi konsiderohen “rrezik për sigurinë”,...
19:15 | 03/06/2026