Bullgaria synon të riparojë sistemin gjyqësor

31 Janar 2022 | 14:18

Administrata e re bullgare nuk po humb kohë për të përmbushur premtimet e saj zgjedhore. Ajo po kërkon të riparojë rrënjësisht sistemin gjyqësor, pas më shumë se një dekade raportesh dhe kritikash nga Bashkimi Evropian.

Qeveria bullgare po kërkon të nisë reformën në drejtësi. Pas një seance dëgjimore me eurodeputetët në Bruksel, kryeministri Kiril Petkov tha se fokusi i qeverisë së tij do të jetë krijimi i një mekanizmi apo procesi për hetimin e Prokurorit të Përgjithshëm, nëse ai dyshohet për kryerjen e një krimi.

“Ne do të kemi një magjistrat që do të veprojë përkohësisht si prokuror, i cili mund të hetojë Prokurorin e Përgjithshëm”, tha Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Megjithatë, qeveria po përballet me një pengesë mjaft të madhe.

“Partia në pushtet nuk ka shumicën e nevojshme për të bërë ndryshime kushtetuese dhe nuk mund të zëvendësojë as Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe as Prokurorin e Përgjithshëm”, shprehet Petkov.

Kiril Petkov, kryeministri i Bullgarisë

Për këtë arsye, qeveria do të duhet të kërkojë mbështetje nga opozita – ish partia në pushtet – GERB. Në seancën dëgjimore në Bruksel ishte i pranishëm edhe kryeprokurori i Bullgarisë, Ivan Geshev.

Pasi u mor në pyetje nga eurodeputetët, ai shprehu shqetësimin për mënyrën se si qeveria synon të zbatojë reformën. Ligji bullgar nuk parashikon një mekanizëm për kontrollin e Prokurorit të Përgjithshëm apo ndjekjen penale të tij.

“Mungesa e llogaridhënies nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm është një problem legjislativ. Eurodeputetët nuk ndjekin rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe Këshillit të Evropës. Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, çdo prokuror mund të hetohet”, shprehet Geshev.

Ekspertja e së drejtës kushtetuese Natalia Kiselova shpjegoi se si mund të zbatohet kjo reformë në drejtësi.

Magjistrati do të përcaktohet në mënyrë të rastësishme dhe do t’i jepet statusi i hetuesit ndaj Prokurorit të Përgjithshëm. Ai do të mbledhë prova për të mbështetur akuzën”, tha Kiselova.

Ajo shtoi se reforma në drejtësi mund të zbatohet më lehtë përmes ndryshimeve në Aktin e Drejtësisë, sesa përmes ndryshimeve kushtetuese. Ky ndryshim do t’i jepte Këshillit të Lartë Gjyqësor Bullgar të drejtën për t’i dhënë magjistratit të zgjedhur të drejtën për të hetuar kryeprokurorin.

Megjithatë, mbetet pyetja se kush do të mund të ngrejë akuza ndaj Prokurorit të Përgjithshëm.

“Për mendimin tim, duhet të ketë më shumë mundësi për hetimin  ndaj Prokurorit të Përgjithshëm. Qëllimi është që të kemi një mekanizëm funksional, jo fiktiv”, tha Kiselova.

Ministri i Drejtësisë pritet të përgatisë ndryshimet përfundimtare legjislative në aktin e drejtësisë, të cilat më pas deputetët do t’i votojnë me urgjencë.

LEXONI GJITHASHTU: 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Macron: Fitorja e Magyar shënon fillimin e një epoke të re në Hungari

Presidenti francez, Emmanuel Macron vlerësoi sot fillimin e një “epoke të re” për Hungarinë dhe Evropën, gjatë pritjes në Pallatin Elysee, të kryeministrit të ri...
22:21 | 03/06/2026

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton 5 anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit

Pas tre orësh, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përfundoi votimin për të zgjedhur pesë anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit për mandatin 2027-2028....
20:43 | 03/06/2026

Rreth 90 serbë dëbohen nga aeroporti i Tivatit, policia malazeze i cilëson rrezik për sigurinë

Rreth 90 shtetas të Serbisë janë dëbuar nga aeroporti i Tivatit dhe u është ndaluar hyrja në Mal të Zi, pasi konsiderohen “rrezik për sigurinë”,...
19:15 | 03/06/2026