Tension mes dy Koreve, Veriu hedh në erë zyrën ndërlidhëse

16 Qershor 2020 | 15:00

Korea e Veriut hedhi në erë të martën zyrën ndërlidhëse me Jugun, e ndodhur në qytetin kufitar të Kaesongut. Ngjarja ndodhi disa orë pasi Peniani përsëriti kërcënimet e tij për ndërhyrje ushtarake në kufirin mes dy vendeve.

Zyra ndërlidhëse u hap në vitin 2018 për të ndihmuar dy Koretë, zyrtarisht në gjendje lufte, për të komunikuar. Por ajo ka qenë e boshatisur që prej janarit për shkak të kufizimeve të koronavirusit.

Në një deklaratë, Seuli zyrtar paralajmëroi se do të përgjigjet me ashpërsi nëse Veriu vijon të përkeqësojë situatën.

“Shkatërrimi i zyrës shuan shpresat e kujtdo që dëshironte zhvillimin e marrëdhënieve ndër-Koreane dhe paqen në gadishullin Korean”, thuhet në deklaratë, ku shtohet se përgjegjësia për situatën bie mbi Penianin.  

Tensionet mes dy Koreve janë përshkallëzuar prej disa javësh për shkak të disa grupeve dezertorësh që kanë shkuar drejt Jugut dhe kanë shpërndarë materiale propagande në kufi.

Kim Yo Jong, e motra e liderit koreano-verior Kim Jong Un, kërcënoi në fundjavë se do ta shkatërronte zyrën ndërlidhëse.

Fillimisht kishte shpresa për përmirësimin e marrëdhënieve mes Veriut dhe Jugut, si dhe aleatit të ngushtë të kësaj të fundit, Shteteve të Bashkuara, pasi presidenti Donald Trump u takua me Kim në zonën kufitare qershorin e kaluar. Por asgjë nga atmosfera pozitive nuk u materializua dhe që atëherë situata është përkeqësuar.

Aktualisht Korea e Veriut ndodhet nën sanksionet e Shteteve dhe Kombeve të Bashkuara për shkak të programit të saj bërthamor. Lidhur me ngjarjen e fundit kanë reaguar edhe Kina e Rusia, me të parën që ka shprehur shpresën që palët të rivendosin marrëdhëniet dhe të dytën që është shprehur e shqetësuar për situatën.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026

Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut

Partia Demokratike në pushtet në Korenë e Jugut ka shënuar një fitore të thellë në zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e pjesshme parlamentare, duke forcuar më...
08:40 | 04/06/2026

Kina ndalon hyrjen e katër deputetëve të Zelandës së Re pas vizitës në Tajvan

Kina u ka ndaluar hyrjen katër ligjvënësve të Zelandës së Re pas pjesëmarrjes së tyre në një vizitë zyrtare në Tajvan, sipas mediave të Zelandës....
08:30 | 04/06/2026