Zgjedhjet në SHBA 2020, 10 momentet kulmore të fushatës, nga inkriminimi tek COVID

3 Nëntor 2020 | 19:08

Me Donald Trump që garon për t’u rizgjedhur, zgjedhjet presidenciale amerikane janë konsideruar një event sa dramatik, aq edhe argëtues. Por askush nuk kishte parashikuar që një pandemi globale t’i bënte jehonë çdo aspekti të fushatës.

Këto janë 10 momentet më kulmore të vitit elektoral:

1. Shfajësimi i Trump më 5 shkurt të 2020-s.
Në fillim të vitit, gjërat u duk se u përmirësuan për presidentin republikan. Procesi i inkriminimit të tij përfundoi në Senat, me shfajësimin nga akuzat e ngritura nga demokratët. Gjithashtu, rezultatet e hetimit të Robert Mueller nuk rëndonin më në kokën e tij. Nga ana tjetër, ekonomia po arrinte kulmin dhe shanset e tij për një rizgjedhje ishin relativisht të forta. Pas disa vitesh përplasje, momenti që ai të vinte gjërat në vendin e duhur erdhi. Por edhe pse situata dukej më rozë për presidentin, rastet me COVID-19 sapo kishin filluar të qarkullonin në Kaliforni dhe në Veri-perëndim të Paqësorit.

2. Biden fiton primaret në Karolinën e Jugut, më 29 shkurt 2020.
Pas rezultateve zhgënjyese në Ajoua dhe Nju Hempshër, fati presidencial i Biden u duk se mori fund. Por stafi i fushatës së tij paralajmëroi se gjërat do të ndryshonin sapo afro-amerikanët të nisnin të votonin në masë, gjë që rezultoi e vërtetë. Kështu, Biden fitoi terren në Karolinën e Jugut, duke detyruar rivalë të shumtë të tërhiqeshin nga gara dhe të siguronte nominimin demokrat brenda pak javësh. Biden ka gjasa të rezultojë kandidati demokrat më i përshtatshëm për të tërhequr votuesit e moderuar në Miduest dhe zona të tjera ku Trump nuk parapëlqehet.

3. 11 mars 2020, Trump mban fjalimin për coronavirusin.
Pas javësh të tëra injorim të kërcënimit nga COVID-19, me rastet e infektimit që po arrinin kulmin, Trump mbajti një fjalim të rrallë nga Zyra Ovale, në përpjekje për të qetësuar publikun amerikan. Dy ditë më vonë, ai do të deklaronte emergjencën kombëtare. Virusi do të ndryshonte stilin amerikan të jetesës, duke çuar në mbylljen e shkollave, bizneseve dhe restoranteve, si dhe duke bllokuar miliona njerëz në shtëpi dhe duke u kthyer në këtë mënyrë në një çështje kyçe për zgjedhjet e 2020-s. Gjithashtu, epidemia do t’i mbante si Trump edhe Biden larg eventeve elektorale për muaj të tërë.

4. Tërheqja e Bernie Sanders më 8 prill.
I ndodhur shumë prapa Biden dhe me epideminë e coronavirusit që po paralizonte vendin, Sanders u bë kandidati i fundit i demokratëve që u tërhoq nga gara. Pak ditë më vonë, ai do të mbështeste Biden. Lëvizja e Sanders do t’i lejonte Biden të fokusohej më shumë në zgjedhje, kur kishin mbetur 7 muaj nga mbajtja e tyre.

5. Momenti që zbehu figurën e Trump.
Më 23 prill, me bilancin e vdekjeve nga pandemia që po i afrohej kuotës së 50 mijë njësive, Trump sugjeroi në një nga daljet tradicionale të tij se injektimi i dezinfektantëve në trupin e njeriut mund të eliminonte virusin. Ekspertët e shëndetit paralajmëruan menjëherë publikun se duke bërë këtë do të intoksikoheshin dhe vetë Trump do të deklaronte më vonë se ishte treguar sarkastik. Rezultati ishte vendimi i tij për të pezulluar të gjitha deklaratat, edhe pse sondazhet në prill tregonin një rritje të aprovimit të publikut të menaxhimit që ai i kishte bërë krizës.

6. Protestat para Shtëpisë së Bardhë.
Më 1 qershor 2020, Uashingtoni ishte një nga qytetet e shumta të përfshira nga protestat pas vrasjes së 46-vjeçarit me ngjyrë George Floyd nga policia në Mineapolis. Atë ditë, Trump mbajti një fjalim ku i referohej çështjes së “rendit dhe ligjit” që do të ndërmerrte gjatë fushatës së tij. Ai mobilizoi policinë dhe gardën kombëtare, që në Uashington përdorën spraj djegës kundër protestuesve. Kjo bëri që mbështetja për të, të binte shumë shpejt në minimumin e 7 muajve të fundit.

7. Harris bashkohet me Biden.
Më 11 gusht 2020, Biden zgjedh senatoren e Kalifornisë, Kamala Harris si zëvendëse të tij. Sidoqoftë, lëvizja nuk përbënte një surprizë pasi Harris konsiderohej favorite. Por shumë shpejt Harris rezultoi të ishte ajo që Biden kërkonte, duke u kthyer në partneren ideale të fushatës së tij dhe duke i dhënë energji bazës demokrate.

8. Vdekja e gjyqtares Ginsburg.
Më 18 shtator 2020, frika më e keqe e liberalëve u bë realitet, pasi gjyqtarja Ruth Bader Ginsburg, kryetare e Gjykatës Supreme, ndërroi jetë kur mungonin më pak se 2 muaj nga zgjedhjet e 3 nëntorit. Trump nuk hezitoi ta zëvendësonte atë me gjyqtaren Amy Coney Barret, një lëvizje kjo që do të ulte pikët e tij, për faktin se shumica e amerikanëve kërkonin që zëvendësimi i Ginsburg të bëhej pas zgjedhjeve.

9. Debati i parë Trump-Biden.
Më 29 shtator, në nevojë për të rifituar terrenin e humbur, Trump u ndodh përballë Biden në debatin e parë. Por ashpërsia e tij rezultoi një faktor që iu kthye kundër. Ai ndërpreu vazhdimisht Biden dhe moderatorin Chris Wallace, në atë pikë sa i gjithë eventi filloi të dilte nga kontrolli. Ai gjithashtu sulmoi familjen e Biden. Në këtë pikë, sondazhet e mbajtura më pas treguan se votuesit e lëkundur nuk e kishin mbështetur sjelljen e tij.

10. Trump infektohet me COVID.
Më 2 tetor, pas disa javë mitingjesh, ku kishte injoruar masat kundër coronavirusit, Trump dhe disa bashkëpunëtorë të tij rezultuan pozitivë ndaj sëmundjes, që e mbajti atë 10 ditë larg fushatës. Dëmi më i madh nga kjo situatë iu shkaktua vetë imazhit të presidentit. Me Trump që fajësohej nga shumica e amerikanëve për keqmenaxhim të krizës, diagnoza e tij e bëri Shtëpinë e Bardhë të dukej e paaftë dhe hipokrite. Gjithashtu, ajo bëri që virusi të mbetej çështja kryesore e fushatës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara