Biden apo Trump? Si i sheh bota dy kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara
E gjithë bota po mban frymën për të mësuar se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara.
Votimet e para kanë regjistruar pjesëmarrje rekord, me mbi 9 milionë njerëz që kanë hedhur votën e tyre në Teksas, bastion i republikanëve dhe i Donald Trump. Por sondazhet sugjerojnë se kandidati demokrat Joe Biden ka barazuar nivelin.
Në Evropë, qeveritë po presin të shohin se çfarë efekti do të kenë zgjedhjet në vendet e tyre.
Mbretëria e Bashkuar po kërkon një marrëveshje tregtare me Amerikën pas vendimit për t’u larguar nga BE-ja. Por përplasja për atë që njihet si marrëveshja e së premtes së mirë me Irlandën e Veriut, që i dha fund dekadave konflikt, ka vështirësuar gjërat.
Biden e ka bërë të qartë, se nëse nuk ka një rezolutë nuk do të ketë marrëveshje.
Në rrugët e Londrës, shumë njerëz shpresojnë për një fitore të Biden, por e pranojnë se për këtë nuk ka siguri.
“Unë kam shpresë se Biden do të fitojë. Kam parandjenjën se Trump do të përdorë truke, por mendoj se Biden do të ishte zgjedhja më e mirë për ekonominë britanike. Mendoj se Trumpit nuk i intereson shumë gjendja jonë. Ndaj, shpresat e mia janë që të fitojë Biden”, është shprehur Emily Bacon, mësuese në Londër.
“Po, Trump ka përmirësuar ekonominë amerikane, por mendoj se këndvështrimet e tij janë të vjetruara. Biden është më aktual dhe më popullor. Ndaj mendoj se për të mirën e amerikanëve dhe pjesës tjetër të botës, e sidomos për marrëdhëniet me ne, Biden është personi që duhet të fitojë”, tha Will Mills, menaxher kafeneje.
Në Moskë, akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet e 2016-s vazhdojnë të ndihen. Hakerat rusë janë akuzuar se kanë sulmuar postën elektronike të partisë demokratike në Kaliforni dhe Indiana, si dhe të disa figurave politike në Uashington dhe Nju Jork.
“Për ne është më mirë nëse fiton Trump. Me Biden më mirë të mos kesh të bësh. Pastaj, Trump dhe Putin në përgjithësi janë njësoj, edhe pse ky i joni do të jetë në pushtet përgjithmonë. Por gjasat janë të fitojë Biden”, tha Vasiliy Ivanor, banor në Moskë.
“Unë adhuroj Trump, sepse është më i kulturuar krahasuar me kandidatin tjetër. Gjithashtu, konkurrenti i tij është shumë i moshuar. Trump është pak a shumë në rregull”, shprehet Yelena Makarova.
Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja e Parisit për klimën në 2017-n dhe që atëherë marrëdhëniet me Francën kanë qenë të tensionuara.
“Personalisht do të më pëlqente të fitonte Biden sepse më duket jo aq i paparashikueshëm sa Trump. Sa për Francën mendoj se do të ishte më mirë një president më i sjellshëm në marrëdhëniet e tij me aleatët dhe më pak agresiv në nivel ndërkombëtar, sikurse është qasja e Trump ndaj marrëveshjes së klimës, të cilën e kundërshton. Klima është një çështje e rëndësishme për ne”, tha një student në Francë.
Në Gjermani, ministrja e Mbrojtjes, Annegret Kramp Karrenbauer, aleate e ngushtë e kancelares Merkel, ka deklaruar se BE duhet të përpiqet të arrijë një marrëveshje tregtare me Uashingtonin pas zgjedhjeve presidenciale. Në Berlin, njerëzit shprehen të shqetësuar nëse Trump rizgjidhet.
“Shpresoj të fitojë Biden, por kam frikë se do të fitojë Trump. Për Gjermaninë, Biden do të ishte opsioni më i mirë. Pse? Sepse bota ka boll njerëz të çmendur”.
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta