Biden rrëmben dhe Miçiganin, çfarë do të thotë kjo për rrugëtimin e tij drejt Shtëpisë së Bardhë?

4 Nëntor 2020 | 23:40

Demokrati Joe Biden ka rrëmbyer 16 votat elektorale të Miçiganit, duke shpërbërë më tej murin e mbështetësve që ndihmuan Donald Trump që të merrte presidencën katër vite më parë.

Përmbysja nga e kuqja në blu është një goditje e madhe për Trump pasi vetë me ndihmën e Miçiganit, Uiskonsin dhe Pensilvanisë ai mund të fitoj mandatin e parë.

Kandidati Demokrat ka fituar dhe në Uiskonsin, ndërsa Pensilvania, ku janë numëruar deri tani 88 për qind e votave, nuk e ka shpallur ende rezultatin.

Biden tashmë ka 264 vota të Kolegjit Elektoral dhe i duhen edhe 6 për të siguruar mandatin e tij si presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Trump ka 214 vota elektorale.

Nevada, shtet i cili ka 6 vota elektorale dhe që votoi për Demokraten Hillary Clinton në 2016, nuk e ka shpallur ende rezultatin.

Më herët, stafi elektoral i Donald Trump ka ndërmarrë një betejë ligjore duke kontestuar rezultatet në disa shtete, përfshi këtu dhe Miçiganin.

Menaxheri i fushatës elektorale të Trump tha nëpërmjet një deklarate të mërkurën se fushatës “nuk i është  dhënë akses i mjaftueshëm në disa qendra votimi për vrojtuar numërimin e votave, ashtu siç e parashikon ligji i Miçiganit”.

Ai shtoi se padia në Gjykatën e Miçiganit “mund të pezullojë numërimin deri në momentin që fushatës t’i garantohet aksesi i nevojshëm”.

 

Lexoni gjithashtu

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara