Beteja ligjore e Trump

5 Nëntor 2020 | 07:21

Ende nuk ka një emër fituesi në zgjedhjet presidenciale në SHBA teksa vëmendja është përqendruar tek ato shtete që mund të bëjnë diferencën.

Procesi i numërimit të votave vijon ndërkohë në Karolinën e Veriut, Nevada, Pensilvani, Alaska dhe Xhorxhia.

Ekipi elektoral i zotit Trump njoftoi se ka paraqitur ankesa ligjore në shtetet e Pensilvanisë dhe Miçiganit, që mund të shërbejnë si bazë për të kundërshtuar rezultatin në këto shtete ende pa rezultat përfundimtar dhe që mund të jenë përcaktuese nëse presidenti do të sigurojë edhe një mandat të dytë.

Ankesat në të dy shtetet kërkojnë qasje më të mirë të vëzhguesve në qendrat ku përpunohen dhe numërohen votat.

Ekipi elektoral i zotit Trump po ashtu kërkon të jetë pjesë e një ankese tjetër në Pensilvani që po shqyrtohet në Gjykatën e Lartë, që ka të bëjë me numërimin ose jo të votave që mbërrijnë në qendrat e numërimit tre ditë pas mbylljes së votimeve, sipas nën-kryetarit të ekipit elektoral të zotit Trump, Justin Clark.

Avokatët e presidentit po kërkojnë ndalimin e përkohshëm të numërimit në të dy shtetet, derisa vëzhguesve t’u krijohet një qasje “domethënëse” në shumë qendra ku numërohen votat dhe të lejohen të shikojnë fletë-votimet që janë nxjerrë nga zarfet dhe janë përpunuar.

Kryetari i ekipit elektoral të presidentit Trump tha se do të kërkojë rinumërimin e votave në Uiskons.

“Presidenti është brenda kufirit të lejueshëm për të kërkuar rinumërimin dhe do ta bëjmë këtë menjëherë,” u shpreh zëdhënësi i Trump, Bill Stepien.

Si funksionon rinumërimi i votave në shtetet me rezultate të afërta në këto zgjedhje:

Nevada, nuk ka rinumërim automatik votash, por një kandidat i cili ka humbur, mund të kërkojë rinumërim, pavarësisht nga përqindja e humbjes. Rinumërim duhet të kërkohet brenda tre ditësh pasi të ketë përfunduar numërimi i votave. Paguan kandidati që kërkon rinumërimin.

Uiskons, nuk ka rinumërim automatik votash, por mund të kërkohet një rinumërim i plotë ose i pjesshëm nëse përqindja e humbjes është më e vogël ose e barabartë me 1%. Kërkesa duhet të bëhet në ditën e parë pas numërimit të votave. Paguan kandidati që kërkon rinumërimin, nëse përqindja është më shumë se 0.25 e votës së përgjithshme.

Miçigan, ka rinumërim automatik. Rinumërimi kërkohet nëse diferenca është më pak ose e barabartë me 2,000 vota. Kërkesa për rinumërim duhet të bëhet brenda 48 orësh pas përfundimit të numërimit të votës. Paguan kandidati që kërkon rinumërimin.

Pensilvania, ka rinumërim automatik. Rinumërim është automatik nëse diferenca e fitores është më e vogël ose e barabartë me 0,5%.

Dy mënyra të tjera për kërkimin e rinumërimeve janë: kërkohen nënshkrimet e të paktën tre votuesve që vërtetojnë një gabim në numërimin e votave dhe shkohet në Gjykatën e Shtetit ku ngrihet padi që pretendojnë mashtrim dhe gabime në procesin e votimit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026