Joe Biden president i SHBA-së, shkrimtari Kapllani: Trump prishi imazhin e Amerikës gjatë presidencës së tij
Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Çikago për Euronews Albania, shkrimtari Gazmend Kapllani, u shpreh se ky proces zgjedhor ishte ndjekur me shumë vëmendje nga ana e tij për shkak të rëndësisë së këtyre zgjedhjeve dhe kushteve në të cilat u zhvilluan.
Sa i përket polemikave të krijuara në këtë proces elektoral, Kapllani tha se ato ishin normale, së pari prej periudhës së pandemisë ku u zhvilluan zgjedhjet dhe së dyti prej karakterit shumë të ndryshëm të dy kandidatëve.
Ai shprehu bindjen se këto nuk ishin zgjedhje të zakonshme por një referendum.
“Presidenti i tanishëm amerikan është një politikan i cili thotë se nuk është politikan dhe nuk ka shumë respekt për normat e shkruara dhe të pashkruara të demokracisë amerikane kështu që ishte një referendum për politikën e Donald Trump dhe për ‘trampistët’,” – theksoi Kapllani.
Në këndvështrimin e tij, politika e Donald Trump ishte jo vetëm një rrymë politike, por dhe mënyrë të menduari e cila shpreh një pjesë shumë të madhe të shoqërisë amerikane dhe Amerika nga këto zgjedhje, po ta shohim nga pikëpamja politike, siç tha dhe shkrimtari, ka dalë e humbur.
“Amerika nga këto zgjedhje ka dalë e humbur në kuptimin që ka dalë shumë e përçarë, janë dy Amerika të cilat nuk komunikojnë me njëra tjetrën, të cilat e shohin njëra tjetrën në mënyrë armiqësore dhe sot akoma jemi në një territor të pasigurt,” – tha shkrimtari Kapllani për Euronews Albania.
Ndër të tjera ai u shpreh se nuk mendonte që rrezikonte një luftë civile në Amerikë pavarësisht mos pranimit të rezultatit të zgjedhjeve nga Donald Trump.
Problemi sipas gazetarit qëndronte jo të fakti se po kontestohen zgjedhjet sepse kjo nuk është hera e parë që ndodh, madje dhe në mënyrë të ashpër, por të fakti që kemi një president që nuk lajmëron për kalimin paqësor të pushtetit.
Gazmend Kapllani tha se Donald Trump dhe reagimet e tij janë të paparashikueshme, teksa hodhi hipotezën se mund të kemi për herë të parë në histori marrjen e pushtetit nga një president i ri pa praninë e atij të vjetrit, sidoqofte ai beson se Trump nuk do të zhduket madje do të jetë prezent si kandidat në zgjedhjet e 2024.
Pyetur nëse Donald Trump e dëmtoi imazhin e Amerikës gjatë katër viteve të presidencës së tij, Kapllani e pohoi diçka të tillë.
“E dëmtoi dhe po e dëmton dhe kam frikë se do të dëmtojë dhe demokracinë perëndimore dhe po dëmton sidomos vendet e brishta demokratike,” – tha ai teksa sqaroi se mund të merret shembull nga kaosi i krijuar momentalisht në Amerikë, për t’iu dhënë zemër vendeve si Kina, Rusia apo Turqia.
Pavarësisht të gjithave Kapllani përfundoi fjalën e tij duke thënë se nuk është hera e parë që Amerika kalon kriza të tilla dhe se gjithnjë ka dalë më e fortë.
- 09:33 Vrasja e policit në Korçë, reagon Rama: Nderim përjetë dëshmorit të atdheut
- 09:31 Vrau një polic dhe plagosi një tjetër, del fotoja e autorit të ngjarjes së rëndë në Maliq
- 09:24 Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
- 09:11 SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
- 09:08 Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni
- 08:50 Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq