”Koha për të shëruar Amerikën”, Presidenti Biden thirrje për unitet në fjalimin e fitores

8 Nëntor 2020 | 08:20

Nga rreth 140 milion njerëz të cilët votuan në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rreth 70 milion vota shkuan për ish-presidentin Donald Trump dhe me 5 milion vota më tepër Joe Biden u shpall president i 46-të i SHBA-së.

Në një përpjekje për të ndërtuar ura lidhëse në një shtet thellësisht të përçarë, presidenti i zgjedhur Joe Biden apeloi për unitet dhe për një ‘fillim shërimi’ të vendit.

Teksa i fliste turmave në një tubim me makinë në qytetin e tij të lindjes, Wilmington Delaware ai ju drejtua një vendi të mbërthyer nga trazirat për katër vjet se “kjo ishte koha për shërim në Amerikë”.

Ai iu drejtua edhe mbështetësve të presidentit Donald Trump në një përpjekje për të ulur zemërimin e tyre teksa republikanët përpiqen të pajtohen me humbjen.

 “Për të gjithë ju që votuat për presidentin Trump, unë e kuptoj zhgënjimin e sotshëm. I kam humbur edhe vetë disa zgjedhje,” – tha ai.

“Por, tani le t’i japim njëri tjetrit një shans. Është koha për të lënë mënjanë retorikën e ashpër, për të ulur gjakrat, për ta parë njëri tjetrin sërish, për ta dëgjuar njëri tjetrin sërish. Për të bërë përpara ne duhet të ndalojmë së pari kundërshtarët tanë si armiq. Ata nuk janë armiqtë tanë, ata janë amerikanë”.

Associated Press dhe rrjetet kryesore televizive amerikane bënë me dije se Biden ishte i zgjedhuri për president, këtë të shtunë pasi numërimi i votave në shtetin betejë të Pensilvanisë u kthye në favor të demokratit. 20 votat e kolegjit elektoral e çuan atë mbi pragun prej 270 votash që duheshin për të siguruar presidencën.

Presidenti Trump, deri më tani ka refuzuar të pranojë humbjen në këto zgjedhje ndërkohë që ka vendosur të ndërmarrë hapa ligjor në shtetet kryesore të betejës ku ai pretendon se ka prova për manipulime zgjedhore.

Në qytete të ndryshme në SHBA-së, mbështetësit e Trump vijuan protestat e tyre të shtunën jashtë institucioneve shtetërore dhe qendrave të votimit ku numërimi po zhvillohet ende.

Gjatë fushatës Biden e prezantoi veten si kandidati që “do të shpëtonte shpirtin e Amerikës” dhe do të ripërtërinte modelin e të qëndruarit mbi partitë.

“Unë garova si një demokrat krenar. Tani do të jem presidenti i Amerikës,” – tha Biden.

“Do të punoj fort si për ata që votuan për mua si për ata që nuk votuan. Le t’i japim fund kësaj fryme negativiteti njëherë e mirë,” – shtoi ai.

Biden theksoi në veçanti mbështetjen e komunitetit afro-amerikan për fushatën e tij dhe për ndihmën që i dhanë për të arritur te fitorja.

“Dhe mbi të gjitha për ato momente kur fushata ishte në momentet më të këqija, komuniteti afro-amerikan u ngrit për mua. Siç ju më keni mbështetur ashtu do ju mbështes dhe unë,” – tha ai.

“Unë thash që prej fillimit se doja një fushatë që të përfaqësonte Amerikën, dhe mendoj se ja kemi dalë. Tani kështu dua të duket edhe administrata”.

Bashkë kandidatja e tij, Senatorja e Kalifornisë, Kamala Harris, u bë femra e parë në historinë amerikane e zgjedhur si zv presidente. Ajo është gjithashtu e para afro-amerikane dhe e para amerikane nga Azia e Jugut që mban këtë pozicion.

Në fjalët e saj të hapjes, Harris me një veshje të bardhë që simbolizon të drejtën e votës së grave në Amerikë vlerësoi “të gjitha gratë që kanë punuar për të siguruar dhe mbrojtur të drejtën e votës”.

Ajo gjithashtu i dha një rëndësi natyrës historike të zgjedhjes së saj si gruaja me pozicionin më të latë që ka shërbyer ndonjëherë në qeverinë amerikane.

“Ëndërroni me ambicie, udhëhiqni me bindje dhe shiheni veten në një mënyrë që të tjerët thjesht s’munden sepse nuk e kanë parë kurrë më parë,” – tha Harris.

Teksa prezantoi Biden si “presidentin e gjithë amerikanëve”, ajo shtoi se votuesit kishin “nisur një ditë të re për Amerikën”.

“Ju morët një mesazh të qartë,” – tha ajo.

“Ju zgjodhët shpresën, unitetin, mirësjelljen, shkencën dhe po, të vërtetën”.

 

Lexoni gjithashtu: 

Joe Biden zgjidhet Presidenti i Shteteve të Bashkura

Biden po “nxitohet të paraqitet si president” thotë Trump pas shpalljes së rezultatit

Cilat janë qëndrimet e Joe Biden mbi çështjet kyçe?

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026