Indeksi i UNDP-së për zhvillimin njerëzor, Shqipëria e 69-ta ndër 189 shtete
Indeksi më i fundit i “Zhvillimit Njerëzor”, i mbajtur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), e rendit sërish Shqipërinë në vendin e 69-të, ndërkohë që për aspektin global në tërësi ngre shqetësimin për dëmet në mjedis dhe ndikimin që mund të ketë në zhvillimin në të ardhmen.
Indeksi analizon progresin njerëzor duke marrë në konsideratë jetëgjatësinë në lindje, nivelin e edukimit me vitet e shkollimit, mesataren e përgjithshme të të ardhurave për frymë për 189 shtetet anëtare të OKBS-së dhe i rendit sipas pikëzimeve nga 0 në 1 për secilën kategori.
Këtë vit dhjetë shtetet me “Zhvillimin më të lartë Njerëzor” janë Norvegjia (0.957), Irlanda (0.955), Zvicra (0.955), Hong-Kongu (0.949), Islanda (0.949), Gjermania (0.947), Suedia (0.945), Australia (0.944), Holanda (0.944) dhe Danimarka (0.940). Vlen të theksohet se Norvegjia ka qenë shteti më i vlerësuar në të gjitha raportet e dhjetëvjeçarit të fundit.
Kryesisht shtetet më pak të zhvilluara konsiderohen vendet nga Afrika dhe Lindja e Mesme dhe diçka më pak nga Azia Juglindore.
Shqipëria renditet në vendin e 69-të, me vlerësim 0.795, katër pikë më shumë se raporti i një viti më parë. Krahasuar me vendet e rajonit, vendi ynë mbetet pas Malit të Zi dhe Serbisë, por më mirë se Bosnje e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut – Kosova nuk përfshihet për faktin se nuk është anëtare e OKB-së.
UNDP vlerëson se nga viti 1990, kur ky indeks nisi të mbahej, vlerësimi për Shqipërinë është rritur me 22.3 për qind – nga 0.650. “Nga viti 1990 deri në vitin 2019, jetëgjatësia në lindje në Shqipëri është rritur me 6,7 vjet, mesatarja e viteve të shkollimit është rritur me 2,3 vjet dhe vitet e pritura të shkollimit janë rritur me 3,1 vjet. AKB-ja për frymë në Shqipëri është rritur me rreth 183,5 për qind nga viti 1990 deri në vitin 2019,” – thuhet në deklaratën për shtyp të UNDP-së.
Për sa i përket pabarazisë gjinore, indeksi për Shqipërinë është 0.181, dhe rendit atë në vendin e 42-të. Vendi ynë vlerësohet për përfaqësimin në rritje të grave në politikë, megjithatë shifrat janë të përmbysura përballë burrave – në parlament ka 29.5% gra, – ndërsa ky raport i përmbysur shihet edhe në tregun e punës ku 46,7 për qind e grave përfshihen në këtë treg, krahasuar me 64,6 për qind për burrat.
Raporti i këtij viti ka ngritur shqetësimin se nëse nuk ndërmerren hapa për të ulur dëmet ndaj mjedisit, njerëzimi do të përballet me kriza edhe më të mëdha në të ardhmen dhe progresi i përgjithshëm botëror do të hyjë në stanjacion.
Ai argumenton se planeti dhe njerëzit po hyjnë në një epokë të re gjeologjike, epokën e “Ndikimit të madh të njeriut mbi Tokën” dhe për këtë nevojitet që të gjitha shtetet të riformësojnë rrugëtimet e tyre drejt progresit.
“Më shumë se kurrë më parë, njerëzit kanë më tepër fuqi ndaj planetit,” – tha Achim Steiner, administratori i UNDP-së, – “Pas COVID-19, niveleve rekord te temperaturave dhe rritjes dramatike të pabarazisë, është koha ta përdorim atë fuqi për t’i dhënë një kuptim të ri fjalës progres, ku gjurmët tona të karbonit dhe konsumit nuk janë më të fshehura”.
Steiner tha se brezi aktual ka ende mundësi për të qenë “i pari që zhbën gabimet e së shkuarës” në raport me mjedisin duke hapur “frontin e ardhshëm të zhvillimit njerëzor”.
Ky “Front” thuhet nga UNDP-ja se do të kërkojë bashkëpunim më të madh të njeriut me natyrën. Parashikimet vlerësojnë se deri në vitin 2100 vendet më të varfra në botë do të përjetojnë deri në 100 ditë më shumë mot ekstrem për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme klimaterike.
Raporti kritikon vijimin e politikave subvencionuese për lëndët djegëse fosile, ndërsa thekson se ripyllëzimi është vetëm një nga katër veprimet e domosdoshme që duhen ndërmarrë përpara vitit 2030 për të ngadalësuar rritjen e ngrohjes globale.
Shqipëria bëhet e dyta më e shtrenjta në Ballkan për qiratë ditore
Këmbimi valutor 3 qershor/ Me sa blihen e shiten monedhat kryesore
Shqipëria humbi 28 500 banorë në 2025, mosha mesatare arrin në 45 vjeç
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta