Trump takon Biden: Sot bota është e bukur dhe unë vlerësoj një tranzicion të qetë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe presidenti Joe Biden u takuan të mërkurën për herë të parë që kur zoti Trump fitoi zgjedhjet javën e kaluar dhe premtuan një transferim të rregullt të pushtetit në janar.
Dy udhëheqësit u ulën në krah të njëri-tjetrit në Zyrën Ovale, një imazh që ishte në kontrast me tensionet që kanë pasur në marrëdhëniet mes tyre.
Zoti Biden fitoi ndaj zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2020, por u tërhoq nga gara e vitit 2024 në korrik pas një paraqitjeje të dobët në debatin përballë rivalit republikanin.
Ai mbështeti si kandidate Nënpresidenten Kamala Harris e cila humbi në zgjedhje.
“Synimi ynë është të kemi një tranzicion të qetë, do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju siguruar çfarëdo që ju nevojitet”, tha Presidenti Biden duke i uruar mirëseardhjen zotit Presidentit të zgjedhur Trump.
“Politika është e vështirë dhe shpesh bota nuk është shumë e bukur, por sot është një botë e bukur dhe unë e vlerësoj shumë një tranzicion të qetë. Do të jetë shumë i rregullt dhe e vlerësoj shumë një gjë të tillë Joe”, tha zoti Trump, i cili merr detyrën më 20 janar.
Gazetarët u përpoqën të bëjnë pyetje por u nxorën me shpejtësi nga salla, përpara se zoti Biden dhe zoti Trump të vazhdonin takimin pa praninë e tyre.
Takimi ishte në një kontrast të thellë me marrëdhënien e tensionuar që kanë pasur ndër vite dy udhëheqësit.
Ekipet e tyre kanë qëndrime shumë të ndryshme mbi politikat, nga çështjet që lidhen me ndryshimin e klimës, tek ato që lidhen me Rusinë deri tek tregtia.
Zoti Biden, 81 vjeç, e ka portretizuar zotin Trump si kërcënim për demokracinë, ndërsa zoti Trump, 78 vjeç, e ka portretizuar zotin Biden si të paaftë.
Presidenti i zgjedhur Trump ka bërë pohime të pa bazuara në fakte për manipulim të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Pritja e presidentit të ardhshëm të vendit në Zyrën Ovale nga presidenti aktual, është në traditën politike të Shteteve të Bashkuara, por zoti Trump e anashkaloi këtë traditë në vitin 2020, kur ai humbi garën për t’u rizgjedhur.
“Ai beson tek normat dhe institucionet tona, ai beson tek transferimi paqësor i pushtetit”, u tha gazetarëve të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre, në lidhje me vendimin e Presidentit Biden për të ftuar për takim zotin Trump.
“Kështu duhet të ndodhë”, shtoi ajo.
Zoti Biden synonte ta përdorte takimin për të treguar vazhdimësi, por tranzicioni nga një administratë tek tjetra është pjesërisht i bllokuar.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, ekipi i zotit Trump, nuk ka nënshkruar ende marrëveshjen që do t’i mundësonte njerëzve të administratës së tij të ardhshme, qasje tek objektet dhe informacionet qeveritare.
“Avokatët e ekipit të tranzicionit Trump-Vance po vazhdojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive me avokatët e administratës Biden-Harris në lidhje me të gjitha marrëveshjet e parashikuara nga Akti i Tranzicionit Presidencial”, tha Brian Vance, një zëdhënës për tranzicionin i zotit Trump, duke iu referuar ligjit që rregullon transferimin e pushtetit.
Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 09:24 Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
- 09:11 SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
- 09:08 Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni
- 08:50 Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq
- 08:43 Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 08:40 Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut