Samiti i klimës, objektivi i Biden: 50% emetime më pak brenda 2030-s

23 Prill 2021 | 07:30

Administrata amerikane u zotua të shkurtojë emetimet e gazit me 50 deri në 52% brenda vitit 2030, një objektiv i ri përmes të cilit shpresohet të nxiten edhe vendet e tjera të mëdha që të luftojnë ndryshimet e klimës.

Qëllimi, i cili u bë i ditur në fillim të samitit dyditor të klimës të organizuar nga presidenti Joe Biden, vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përpiqen të marrin lidershipin në luftën kundër ngrohjes globale, pasi ish-presidenti Donald Trump tërhoqi vendin nga përpjekjet ndërkombëtare për reduktimin e emetimeve.

“Shtetet e Bashkuara kanë nisur rrugëtimin për të përgjysmuar gjenerimin e gazrave të çliruara brenda fundit të kësaj dekade. Ky është objektivi ynë si komb dhe kjo është ajo që mund të bëjmë nëse veprojmë për të ndërtuar një ekonomi që nuk është vetëm prosperuese, por edhe e shëndetshme, e drejtë dhe më e pastër për gjithë planetin”, u shpreh Joe Biden, president i Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin, duke folur në samitin virtual, tha se Rusia mund të krijojë kushte për investime të huaja për projektet me energji të pastër.

“Ne ftojmë të gjitha vendet e interesuara të bashkojnë forcat në kërkimet shkencore, të investojmë së bashku në projekte të rëndësishme dhe të zhvillojmë teknologji me nivel të ulët karboni për hir të klimës”, tha Vladimir Putin, president i Rusisë.

Presidenti kinez Xi Jinping u shpreh se Kina është e gatshme të veprojë në mënyrë multilaterale për të ngritur një sistem qeverisës global të barabartë për çështjet e ambientit.

“Ne duhet të veprojmë në mënyrë multilaterale. Duhet të punojmë në bazë të ligjit ndërkombëtar, të ndjekim parimet e barazisë dhe drejtësisë, si dhe të ndërmarrim veprime efikase”, tha Xi Jinping, president i Kinës.

Në të njëjtën linjë me Amerikën, edhe Evropa u angazhua për afrimin e afateve për reduktimin e emetimeve të CO2-shit.

“Do ta bëjmë reduktimin e emetimeve funksional jo vetëm për gjenerimin e energjisë, por edhe për transportet dhe ndërtimin. Karboni duhet të paguajë çmimin, sepse s’mund ta paguajë më natyra”, tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.

Por për aktivisten e klimës, Greta Thunberg, objektivat e liderëve botërorë janë të pamjaftueshëm.

“Nuk mund të kënaqemi me diçka vetëm sepse është më mirë se asgjë. Jemi dekada mbrapa”, deklaroi Thunberg në një video-mesazh.

Lexoni gjithashtu:

Ndryshimet klimatike, Biden thirrje për aksione të menjëhershme

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026