SHBA i heq vizën presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro

27 Shtator 2025 | 08:38

Departamenti i Shtetit njoftoi të premten se do t’i revokojë vizën presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro. Vendimi u mor për shkak të “veprimeve nxitëse” të liderit të majtë gjatë një proteste pro-palestineze në rrugët e Nju Jorkut, theksoi Departamenti i Shtetit.

Sipas mediave kolumbiane, të cituara nga AFP, Petro ishte tashmë në rrugë për t’u kthyer në Bogota të premten në mbrëmje.

Më herët gjatë javës, në një intervistë për BBC, ai krahasoi sulmet ajrore të administratës Trump kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në Detin e Karaibeve me një “akt tiranie”.

Në rrjetet sociale, Petro publikoi një video ku shihej duke iu drejtuar një turme në spanjisht përmes megafonit, ndërsa përkthyesi i tij përcolli thirrjen drejtuar “kombeve të botës” që të kontribuonin ushtarë për një ushtri “më të madhe se ajo e Shteteve të Bashkuara”.

“Prandaj, nga këtu në Nju Jork, u bëj thirrje të gjithë ushtarëve të ushtrisë amerikane të mos drejtojnë armët kundër njerëzimit”, tha Petro.

“Mos zbatoni urdhrin e Trump! Zbatoni urdhrin e njerëzimit!”, shtoi ai.

Departamenti i Shtetit reagoi ashpër:

“Presidenti kolumbian @petrogustavo sot në një rrugë të Nju Jorkut u bëri thirrje ushtarëve amerikanë të mos zbatojnë urdhrat dhe të nxisin dhunë. Për këtë arsye, do t’i revokojmë vizën për shkak të veprimeve të tij të papërgjegjshme dhe nxitëse”, u tha në një postim në X.

Ministri i Brendshëm i Kolumbisë, Armando Benedetti, reagoi duke thënë se në vend të Petros duhej t’i revokohej viza kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. “Por, meqë perandoria e mbron atë, po e nxjerr mbi të vetmin president që pati guximin t’ia thotë të vërtetën në sy,” shkroi ai.

Petro, i cili drejton vendin më të madh prodhues të kokainës në botë, ka deklaruar se dyshon që disa prej të vrarëve në sulmet amerikane ndaj anijeve ishin kolumbianë. Nga ana tjetër, Uashingtoni këmbëngul se këto veprime janë pjesë e një operacioni antidrogë pranë brigjeve të Venezuelës, presidentin e së cilës e akuzon për drejtimin e një karteli.

Marrëdhëniet mes administratës Trump dhe Kolumbisë janë përkeqësuar nën drejtimin e Petro-s, presidenti i parë i majtë në historinë e vendit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Horror në Michigan, gjashtë fëmijë mes 8 viktimave pas të shtënave me armë dhe zjarrit në banesë

Tetë persona, mes tyre gjashtë fëmijë, janë gjetur të vdekur në një banesë në Michigan të Shteteve të Bashkuara, pas një zjarri që përfshiu shtëpinë...
13:10 | 26/07/2026

Rumania në alarm, F-16 rrëzon dronin e tretë brenda tre ditësh në hapësirën e saj ajrore

Tensionet vijojnë të mbeten të larta në kufirin lindor të NATO-s, pasi Rumania njoftoi se një avion luftarak F-16 ka rrëzuar një tjetër dron që...
10:56 | 26/07/2026

Tragjedi në Detin e Kinës Jugore, fundoset anija vietnameze me 62 persona në bord

Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi vijon në Detin e Kinës Jugore për gjetjen e 23 personave të zhdukur, pas mbytjes së një anijeje vietnameze me...
09:19 | 26/07/2026