Ish-zonja e parë e Koresë së Jugut dënohet me 20 muaj burg për ryshfet
Ish-zonja e parë e Koresë së Jugut, Kim Keon Hee, bashkëshortja e ish-presidentit të rrëzuar Yoon Suk Yeol, është dënuar me 20 muaj burg për pranim ryshfeti nga Kisha e Unifikimit, një organizatë fetare e diskutueshme në vend.
Gjykata e Qarkut Qendror të Seulit e shpalli 52-vjeçaren fajtore për një nga akuzat, ndërsa e liroi nga akuzat për manipulim të çmimeve të aksioneve dhe për marrjen e sondazheve falas të opinionit përmes një ndërmjetësi politik përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022, të cilat u fituan nga bashkëshorti i saj.
Vendimi vjen në një kohë kur ish-presidenti Yoon Suk Yeol është dënuar më herët me pesë vite burg për abuzim me pushtetin dhe pengim të drejtësisë, lidhur me përpjekjen e tij të dështuar për vendosjen e ligjit ushtarak në vitin 2024. Kjo shënon herën e parë në historinë e Koresë së Jugut që një çift ish-presidencial dënohet në të njëjtën kohë.
Gjyqtari Woo In-sung vlerësoi se Kim kishte “keqpërdorur pozicionin e saj për të ndjekur përfitime personale”, duke theksuar se “sa më i lartë të jetë pozicioni i dikujt, aq më i madh është detyrimi për të shmangur një sjellje të tillë”.
Sipas një ekipi këshilltarësh të posaçëm të emëruar për çështjen, Kim mori dhurata me vlerë rreth 80 milionë won, përfshirë një gjerdan diamanti Graff dhe disa çanta dore Chanel, nga Kisha e Unifikimit mes prillit dhe korrikut 2022, në këmbim të favoreve politike dhe biznesi. Prokuroria kishte kërkuar 15 vite burg dhe një gjobë prej 2 miliardë won, por gjykata mori parasysh faktin se Kim nuk kishte kërkuar drejtpërdrejt ryshfetin dhe se nuk kishte precedentë të rëndësishëm penalë.
Megjithatë, ajo u urdhërua të kthejë 12.85 milionë won në para të gatshme dhe gjykata vendosi konfiskimin e gjerdanit me diamant.
Kim përballet gjithashtu me hetime të tjera, përfshirë përfshirjen e dyshuar në një skemë për rekrutimin e ndjekësve të Kishës së Unifikimit në Partinë Konservatore të Pushtetit Popullor dhe për pranimin e dhuratave në këmbim të emërimeve në poste qeveritare. Këto çështje nuk janë shqyrtuar ende nga gjykata.
Ish-zonja e parë i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke i cilësuar si “thellësisht të padrejta”, ndonëse ka pranuar se kishte marrë çanta Chanel, të cilat tha se i kishte kthyer pa i përdorur. Ajo kërkoi falje publike gjatë paraqitjes për marrje në pyetje në gusht të vitit të kaluar.
Përveç çështjeve penale, Kim ka qenë subjekt edhe i polemikave akademike. Vitin e kaluar, Universiteti i Grave Sookmyung anuloi diplomën e saj të masterit të marrë në vitin 1999, pasi një panel etik konstatoi plagjiaturë në tezën e saj.
Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 09:24 Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
- 09:11 SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
- 09:08 Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni
- 08:50 Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq
- 08:43 Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 08:40 Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut