Automjete të djegura dhe rrugë të boshatisura, ekspertët paralajmërojnë valë të re dhune në Meksikë

25 Shkurt 2026 | 07:45

Udhëtimi drejt qytetit perëndimor të Guadalajara kalon mes gjurmëve të dukshme të një fundjave të përgjakshme. Mbetje automjetesh të djegura anash rrugëve dhe njolla asfalti të shkrumbuar dëshmojnë për reagimin e dhunshëm të Karteli i Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG), pas vrasjes së liderit të tij, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, shkruan BBC.

Karteli, një nga organizatat kriminale më të fuqishme dhe më të frikshme në Meksikë, i vuri flakën dhjetëra automjeteve dhe ngriti postblloqe në disa shtete, duke dërguar një mesazh të qartë: edhe pa liderin e tyre, ata mbeten të aftë të shkaktojnë kaos në shkallë të gjerë.

Frikë në rrugë, mesazh force nga karteli

Dyqane të plaçkitura, biznese të djegura dhe rrugë të boshatisura kanë shtuar ndjesinë e pasigurisë në Jalisco. Shumë shkolla dhe biznese të vogla u mbyllën, ndërsa banorët qëndruan në shtëpi nga frika e përshkallëzimit të dhunës.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se situata po normalizohet dhe vlerësoi reagimin e forcave të sigurisë, duke folur për “paqen dhe qetësinë” që po rikthehen. Megjithatë, prania e karvanëve të ushtrisë dhe policisë në rrugët e Guadalajara-s për shumë qytetarë shton më tepër ankthin sesa qetësinë.

Pronari i një kafeneje, Anwar Montoya, vendosi ta hapë biznesin pavarësisht frikës. “Ishte një ditë e çuditshme dhe e vështirë – të gjithë ishin të frikësuar. Dhe tani shumëkush ka frikë për çfarë mund të ndodhë më tej,” tha ai.

“Strategjia e goditjes së bosëve sjell më shumë gjakderdhje”

Deputetja e majtë Mariana Casillas thekson se kjo nuk është një situatë e re. Sipas saj, modeli i përqendrimit në eliminimin e liderëve të kartelit ka prodhuar për më shumë se dy dekada cikle të reja dhune, që nga nisja e “luftës kundër drogës” në vitin 2006 nga ish-presidenti Felipe Calderón.

Ekspertja e sigurisë dhe krimit të organizuar Deborah Bonello, nga organizata Insight Crime, paralajmëron se rrëzimi i një lideri të madh zakonisht krijon një vakum pushteti dhe nxit përplasje të brendshme për kontrollin e territorit.

“Çdo herë që eliminohet një figurë e madhe, pason një valë e re dhune,” thekson ajo.

Dhuna përhapet në disa shtete

Reagimi i kartelit ka qenë i shpejtë dhe i koordinuar. Incidente janë raportuar nga Guerrero në bregdetin e Paqësorit deri në Tamaulipas në verilindje, si dhe në Mexico City dhe shtetin përreth.

Në vetë Jalisco, persona të armatosur dhe të maskuar u kanë vënë flakën dyqaneve në Guadalajara. Në Puerto Vallarta, turistët dhe vendasit janë strehuar brenda, duke pritur qetësimin e situatës.

Kupë Bote mes pasigurie

Guadalajara është një nga qytetet që do të presë ndeshje të Kupës së Botës FIFA këtë verë. Megjithatë, pas skenave të fundit të dhunës, shumë banorë janë skeptikë.

“Nuk mendoj se ky është një vend i sigurt për Kupën e Botës,” thotë Montoya.

Presidentja Sheinbaum këmbëngul se nuk ka “asnjë rrezik” për tifozët dhe se janë marrë të gjitha masat e sigurisë. Edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është shprehur i qetë për organizimin e turneut.

Por për shumë banorë, prioritet mbetet siguria dhe zgjidhja e krizës së personave të zhdukur – një plagë e hapur në Meksikë që nga viti 2007, me dhjetëra mijëra raste të raportuara.

Kush ishte “El Mencho”?

Nemesio Oseguera Cervantes, me origjinë nga Michoacán, u ngrit nga rrethana modeste në krye të CJNG-së përmes një kombinimi brutaliteti dhe zgjerimi agresiv territorial.

Ai kishte kaluar më parë në SHBA si emigrant pa dokumente, ishte arrestuar për aktivitete të lidhura me drogën dhe më pas u deportua në Meksikë, ku u përfshi thellë në strukturat e kartelit. Pas shpërbërjes së Kartelit Milenio, ai themeloi CJNG-në dhe e shndërroi atë në një nga organizatat kriminale më dominuese në vend.

Rritja e tij u favorizua edhe nga dobësimi i Kartelit Sinaloa pas ekstradimit të Joaquín Guzmán, i njohur si “El Chapo”, në SHBA.

Bashkëpunim SHBA-Meksikë dhe tensione të mundshme

Autoritetet meksikane dhe amerikane kanë konfirmuar se inteligjenca amerikane ka ndihmuar në operacionin që çoi në eliminimin e El Mencho-s. Kjo shihet si një shenjë e bashkëpunimit të ngushtë mes qeverisë së Sheinbaum dhe administratës së Donald Trump, veçanërisht në luftën kundër trafikut të fentanilit.

Megjithatë, disa figura në Partinë Republikane kanë kërkuar hapur ndërhyrje më të drejtpërdrejta amerikane në territorin meksikan, përfshirë përdorimin e dronëve apo trupave tokësore – një skenar që do të tensiononte ndjeshëm marrëdhëniet mes dy vendeve.

Për momentin, Meksika po përballet me pasojat e menjëhershme të vrasjes së njërit prej kriminelëve më të kërkuar në vend. Pyetja që mbetet është nëse dhuna do të shuhet apo do të përshkallëzohet në ditët dhe javët në vijim.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026