Dyshohet se ka ndarë informacione me Rusinë, BE i bën thirrje Hungarisë të sqarojë raportet për ministrin
Komisioni Evropian i ka bërë thirrje Hungarisë të sqarojë raportet “shqetësuese” që pretendojnë se ministri i jashtëm hungarez Peter Szijjarto ka ndarë rregullisht informacione të ndjeshme nga takimet e Bashkimit Evropian me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.
The Washington Post raportoi gjatë fundjavës se Szijjarto ishte në kontakt të vazhdueshëm me Lavrov gjatë takimeve të BE-së në Bruksel, duke komunikuar me të gjatë pushimeve. Këto pretendime janë shumë të rënda, pasi shtetet anëtare të BE-së janë të detyruara nga parimi i bashkëpunimit të sinqertë dhe përmbajtja e takimeve konsiderohet konfidenciale.
Qeveria hungareze i mohoi këto pretendime, duke i quajtur lajme të rreme.
“Raportimet në lidhje me ministrin e jashtëm hungarez, i cili pretendohet se ka zbuluar ndaj homologut të tij rus diskutimet e mbyllura në nivel ministror në Këshill, janë shumë shqetësuese,” tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për gazetarët të hënën.
“Marrëdhënia e besimit mes shteteve anëtare dhe mes tyre dhe institucioneve është themelore për funksionimin e BE-së. Ne presim që qeveria hungareze të japë sqarime”, shtoi ai.
Raportimet dolën në një kohë kur tensionet politike po rriten përpara zgjedhjeve parlamentare në Hungari. Partia Fidesz e kryeministrit Viktor Orban po përballet me një sfidë të fortë nga lideri i opozitës Peter Magyar dhe Partia e tij Tisza, e cila kryeson në sondazhet e opinionit.
Qeveria e Orban është një nga të paktat në Evropë që mban lidhje të rregullta me Kremlinin. Hungaria gjithashtu vazhdon të importojë sasi të mëdha karburantesh fosile nga Rusia, pavarësisht thirrjeve të BE-së për të ulur varësinë energjetike nga Moska.
Szijjarto e ka vizituar Moskën 16 herë që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Vizita më e fundit ndodhi më 4 mars, kur ai u takua me presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin.
Kryeministri polak Donald Tusk ishte ndër të parët që dënoi këto zbulime.
“Lajmi se njerëzit e Orban informojnë Moskën për takimet e Këshillit të BE-së në çdo detaj nuk duhet të habisë askënd. Ne kemi pasur dyshime për këtë prej kohësh”, shkroi ai në rrjetet sociale të dielën. Komisioni refuzoi të thotë nëse Hungaria është përjashtuar nga shpërndarja e dokumenteve të ndjeshme. Këshilli i BE-së, që organizon takimet ministrore, tha se po vlerëson nëse Szijjártó ka shkelur ndonjë rregull.
Këto zbulime vijnë disa ditë pasi Orban, të enjten, mbajti veton e tij ndaj paketës së kredisë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, një vendim që u dënua nga shumica e shteteve anëtare, duke qenë se ai e kishte miratuar tashmë këtë masë financiare në samitin e BE-së në dhjetor.
Lideri i opozitës hungareze Peter Magyar tha se nëse Partia e tij Tisza vjen në pushtet, do ta hetojë çështjen.
“Bazuar në informacionet aktuale, Peter Szijjarto duket se po bashkëpunon me Rusinë, duke tradhtuar kështu interesat hungareze dhe evropiane,” tha Magyar.
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut
Kina ndalon hyrjen e katër deputetëve të Zelandës së Re pas vizitës në Tajvan
- 08:50 Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq
- 08:43 Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 08:40 Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut
- 08:35 Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi
- 08:30 Kina ndalon hyrjen e katër deputetëve të Zelandës së Re pas vizitës në Tajvan
- 08:27 Protesta e studentëve kundër masave shtrënguese në Kili, 25 të plagosur nga përleshjet