Ukraina dhe Moldavia drejt BE-së, 27 vendet anëtare bien dakord për hapjen e “Themeloreve”
Bashkimi Europian ka hedhur një hap të rëndësishëm në procesin e zgjerimit, pasi 27 shtetet anëtare ranë dakord të zhbllokojnë negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë.
Marrëveshja u arrit mbrëmjen e së premtes në Bruksel, ku ambasadorët e vendeve anëtare miratuan pozicionin e përbashkët që i hap rrugën fazës së radhës të negociatave. Zhvillimi vjen vetëm pak ditë pasi Hungaria hoqi veton që kishte mbajtur për afro dy vite ndaj procesit të anëtarësimit të Ukrainës.
Hapi formal do të ndërmerret më 15 qershor në Luksemburg, ku Bashkimi Europian do të zhvillojë konferenca ndërqeveritare të veçanta me Ukrainën dhe Moldavinë.
Grupkapitulli i parë që do të hapet quhet “Themeloret” dhe konsiderohet baza e gjithë procesit të anëtarësimit. Ai përfshin fusha kyçe si sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, funksionimi i institucioneve demokratike dhe sistemi gjyqësor.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cilësoi vendimin si një moment të rëndësishëm për të ardhmen e Europës.
“Sot Bashkimi Europian hodhi një hap të madh përpara. Të gjitha shtetet anëtare ranë dakord të hapin grupkapitullin e parë të negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Në konferencën e parë ndërqeveritare të së hënës do të hapim grupkapitullin për themelet, shtyllën kurrizore të procesit të anëtarësimit”, shkroi ajo në rrjetin X.
Von der Leyen theksoi se ky grupkapitull përfshin vlerat bazë mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Europian, nga sundimi i ligjit deri te institucionet e forta demokratike.
“Ky është një vlerësim për vendosmërinë, guximin dhe punën e bërë nga të dy vendet për të çuar përpara reformat, edhe përballë sfidave të jashtëzakonshme. Është gjithashtu një sinjal se oferta e Bashkimit Europian për paqe, stabilitet dhe mundësi është e pakrahasueshme”, deklaroi ajo.
Sipas presidentes së Komisionit Europian, zgjerimi mbetet një zgjedhje strategjike për bllokun europian.
“Duke i afruar më shumë kombet tona, ne forcojmë paqen, sigurinë dhe prosperitetin në të gjithë kontinentin. Në një botë me pasiguri në rritje, një Bashkim Europian më i madh është në interesin tonë të përbashkët. Zgjerimi mbetet një nga historitë më të suksesshme të BE-së dhe investimi ynë më i mirë për të ardhmen e përbashkët”, u shpreh Von der Leyen.
Vendimi është përshëndetur edhe nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili tha se marrëveshja përfaqëson një mbështetje të rëndësishme politike dhe morale për popullin ukrainas.
“Ukraina po mbron veten dhe, duke bërë këtë, po mbron edhe gjithë Europën. Siç kemi thënë, Ukraina po bën atë që duhet dhe është e rëndësishme që edhe Bashkimi Europian po mban fjalën e dhënë”, deklaroi Zelensky.
Procesi i anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë përbëhet nga gjashtë grupkapituj dhe 33 kapituj negociues. Kievi synon që gjatë kësaj vere të hapë sa më shumë kapituj, për t’i dhënë një sinjal qytetarëve se perspektiva europiane mbetet e gjallë pavarësisht luftës me Rusinë.
Megjithatë, zyrtarët europianë kanë theksuar se vendimi për hapjen e grupkapitullit të parë nuk nënkupton përshpejtim automatik të anëtarësimit. Negociatat do të vijojnë sipas parimit të meritës, duke u bazuar te reformat dhe kriteret që duhet të përmbushin vendet kandidate.
OBSH: Temperatura ekstreme, kërcënim serioz për shëndetin publik në Europë
Eurostat: 86% e bizneseve shqiptare përdorin mediat sociale për promovim
Sllovenia heq kontrollet në kufirin e brendshëm të Shengenit me Kroacinë dhe Hungarinë
- 23:00 Drejtoria e Burgjeve reagon për videon e publikuar nga gazetari Artan Hoxha
- 22:57 Pedagogia Skenderi: Për kë “hiena” e ka fjalën Kryeministri
- 22:15 Trump vendos paqe me Europën: Ndihmuan në arritjen e paqes me Iranin
- 22:13 Begaj në Prishtinë për 27-vjetorin e Çlirimit: Shqipëria do të jetë gjithmonë mbështetje e palëkundur për Kosovën
- 22:04 Netanyahu: Për sa kohë që jam kryeministër, Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore
- 21:59 Dita e 13-të e protestës, aktivistët dhe qytetarët marshimin në rrugët e Tiranës