Vitet e ardhshme do të jenë edhe më të nxehta, thotë raporti i OKB-së

9 Gusht 2021 | 10:47

Një raport shkencor i OKB-së ka nxjerrë së fundmi përfundimin se e ardhmja parashikohet të jetë me temperatura më të nxehta dhe fenomene natyrore më të rënda se aktualisht.

Prej shekullit XIX njerëzit kanë ndikuar në ngrohjen me më shumë se 1 gradë celsius të planetit duke përdorur në shkallë të gjerë djegien e lëndëve fosile si qymyri, nafta apo gazi.

Këtë vit pasojat kanë qenë të ndjeshme. Një valë e nxehtë shkaktoi qindra viktima në SHBA dhe Kanada. Stuhi të mëdha shiu shkatërruan zona të tëra të banuara në Gjermani dhe Kinë, ndërsa zjarre të furishme dolën jashtë kontrollit në Siberi, Turqi, Greqi – dhe Shqipëri.

Por kjo panoramë duket të jetë vetëm fillimi. Sipas raportit shkencor të Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimaterike edhe nëse shtetet fillojnë t’i ulin ndjeshëm emetimet e gazrave ngrohja globale ka të ngjarë të vijojë me rritje mbi 1.5 gradë celsius dy dekadat e ardhshme.

Me këtë lloj rritjeje temperaturash shkencëtarët kanë paralajmëruar rreziqe edhe më të mëdha se ato që po përjetohen tani.

Raporti vëren se prej vitit 1950 valët e të nxehtit zgjasin më shumë ndërsa temperaturat maksimale vijojnë të thyejnë rekorde. Në të thuhet se dekada e fundit mund të ketë qenë më e nxehta në planet në 125 mijë vite.

Me mbi 1.5 gradë celsius prirje rritëse të temperaturave rreth 1 miliardë njerëz mund të përfshihen nga valë të nxehti të rrezikshme për jetën dy dekadat e ardhshme.

Qindra milionë njerëz mund të vuajnë mungesën e ujit prej thatësirave të zgjatura, ndërsa disa kafshë dhe bimë, që sot janë nën kërcënim, mund të zhduken.

Raporti thotë se me këtë prirje ngrohjeje ndikim të keq do të ketë për botën ujore dhe sidomos industrinë e peshkimit.

Shkrirja e shpejtë e akullnajave mund të rrisë nivelin e detit dhe të rrezikojë përmbytje në shtetet ishullore apo ato që janë nën nivelin e detit. Në shekullin e shkuar niveli i oqeaneve u rrit me 20 centimetra dhe shkalla e rritjes është dyfishuar që nga viti 2006.

Sidoqoftë jo gjithçka është e humbur. Sipas OKB-së ka ende një mundësi që planeti të mos bëhet shumë më i nxehtë. Kjo kërkon përpjekje të koordinuar për të reduktuar vrullshëm dioksidin e karbonit deri në vitin 2050.

Zëvendësimi i makinave me karburant me makina elektrike shihet si një nga politikat më pozitive në këtë drejtim. Raporti thotë se me politika të ngjashme mund të mbahet prirja e rritjes së temperaturave nën 1.5 gradë celsius.

Nëse kjo do të dështojë raporti thotë se temperatura globale mund t’i kalojë me 2 deri në 4 gradë temperaturat e epokës para revolucionit industrial.

Raporti, i aprovuar nga 195 qeveri të botës dhe i bazuar në mbi 14 mijë studime është më gjithëpërfshirësi deri më tani për sa i përket ngrohjes globale. Ai pritet të jetë pikë themelore për diskutimet që do të mbahen në Samitin e Glasgowt që do të mbahet në nëntor nga OKB-ja.

Dhjetë emetuesit më të mëdhenj të dioksidit të karbonit mbeten Kina, SHBA, BE, India, Rusia, Japonia, Brazili, Indonezia, Irani dhe Kanadaja.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026